MENU
klinika

Si do bëhet “pastrimi” i pasurisë?

Kategoritë që përfitojnë nga amnistia e re fiskale

08.07.2020 - 14:28

Qeveria bëri publike dje zyrtarisht draftin për amnistinë e madhe fiskale dhe penale, edhe pse mediat e publikuan atë një muaj më parë.

Amnistia fiskale e qeverisë do të falë efektet ligjore të fshehjes së tyre për të gjitha pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme të individëve apo kompanive, që do të bëjnë deklarimin vullnetar të tyre.

Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë e kanë hedhur draftin për konsultim publik. Sipas draftit të zbardhur të Ministrisë së Financave, pasuritë brenda apo jashtë vendit që do të mund të deklarohen përfshijnë pronat, paratë, arin, gurët e çmuar, veprat e artit e deri te monedhat dixhitale dhe letrat me vlerë. Për të nxitur këtë proces, subjektet përfituese do të tatohen me 5% të shumës totale të deklaruar nëse e bëjnë aplikimin brenda katër muajve të parë të hyrjes në fuqi të ligjit.

Më pas, kjo shkallë tatimi rritet në 7% për katër muajt e dytë dhe në 10% për katër muajt e tretë. Po ashtu, do të ndërpritet çdo proces gjyqësor apo gjobat dhe kamatat e lidhura me këto pasuri. Çdo e dhënë që do të jepet nga përfituesit do të jetë subjekt i ruajtjes së sekretit dhe do të ndiqet si procedurë nga Njësia Speciale për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive, një strukturë e re që krijohet posaçërisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Nga kjo amnisti nuk do të mund të përfitojnë të zgjedhurit vendorë, ishfunksionarët dhe familjarët e tyre dhe të gjithë ato subjekte që ligji i detyron të bëjnë deklarim të të ardhurave dhe pasurisë së tyre. Gjithashtu, përjashtohen subjektet e ligjit të krimit të organizuar, pastrimit të parave apo personat e shpallur në kërkim për terrorizëm apo financimin e terrorizmit.

PENALITETET

Ajo çfarë është më e rëndësishme në këtë nismë është fakti që nuk do të kërkohen të dhëna për burimin e këtyre të ardhurave. Pra, qytetarët apo bizneset mund ta formalizojnë lehtësisht pasurinë, pa u përballur me kërkesën për të justifikuar mënyrën sesi është krijuar. Jo vetëm që do të ketë “zero llogaridhënie”, por edhe do të përjashtohen nga ndjekja penale.

“Individët, personat fizikë dhe personat juridikë, subjekte përfitues sipas parashikimeve të këtij ligji, me pajisjen me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar: përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara në përputhje me parashikimet e këtij ligji; përjashtohen nga ndjekja e procedurave hetimore dhe administrative, si dhe nga ndjekja penale dhe procedimi penal në kuadër të ligjit penal të zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë, për vepra penale në lidhje me pasuritë e deklaruara sipas kushteve dhe parashikimeve të këtij ligji”, specifikohet në draft.

TË PËRJASHTUAR

Nëpërmjet kësaj amnistie synohet formalizimi i të ardhurave, por kjo nuk fshin mundësinë e keqpërdorimit të saj. Nga kjo skemë mund të përfitojnë emigrantët, ata që kanë punuar deri më sot në të zezë, si dhe sipërmarrësit vendës. Nga ana tjetër, përjashtohen të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi. Ashtu sikundër janë të paamnistueshme të ardhurat e politikanëve dhe të rrethit të tyre familjar, të gjykatësve, prokurorëve dhe të rrethit të tyre familjar, të punonjësve të Policisë dhe të rrethit të tyre familjar, si dhe të gjithë atyre drejtuesve të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive.

Për këto kategori, siç është bërë më herët e ditur, nuk ka amnisti dhe paratë apo asetet e tyre nuk mundet të legalizohen nëse vijnë nga veprimtaria e paligjshme. Amnistia do të zgjasë 1 vit dhe në përfundim të saj, çdo para dhe çdo aset që është jashtë sistemit të formalizuar, konsiderohet para kriminale dhe aset kriminal dhe trajtohet njësoj si paratë dhe asetet e krimit.

APLIKIMI

Drafti i qeverisë specifikon edhe hapat që do të ndiqen deri në depozitimin e parave apo pasurive të tjera në bankë. “Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë strukturës përgjegjëse të ngritur në kuadër të këtij ligji pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve apo ndërmjetësve të autorizuar, që janë bankat e nivelit të dytë apo institutet financiare, në sportel apo online, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi të paracaktuar, formati i të cilit dhe mënyra e procedimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për Financat”, thuhet në projektligj.

Pra, hapi i parë është plotësimi i një formulari aplikimi, në rastin e parave për depozitim të shumës në një numër llogarie bankare të hapur për këtë qëllim. Më pas kryhet depozitimi i shumave në të holla në llogarinë përkatëse. “Detyrimet tatimore të subjekteve përfituese, deri më hyrjen në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund t’i kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara për këtë periudhë, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar”, theksohet në draft.

SI BËHET DEKLARIMI VULLNETAR I PASURIVE

1. Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë njësisë speciale, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi të paracaktuar (formulari i deklarimit vullnetar). Formulari i deklarimit vullnetar paraqitet vetëm një herë nga subjektet e këtij ligji për llojin e pasurisë. Formati i formularit të deklarimit vullnetar dhe mënyra e procedimit për deklarimin vullnetar përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për Financat.

3. Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar përmendur në pikën 2 të këtij neni dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës të lëshuar sipas parashikimeve të këtij ligji.

4. Shumat në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë, ndërsa për pasuritë e tjera, të detyrueshme për t’u regjistruar, ndiqen procedurat e regjistrimit sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës të fushës.

a) subjekti ose përfaqësuesi i posaçëm plotëson një formular aplikimi për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim.

b) formulari verifikohet për mënyrën e plotësimit të tij dhe subjekti pajiset me kopje të aplikimit, të verifikuar;

c) subjekti apo përfaqësuesi i tij kryejnë depozitimin e shumave në të holla në llogarinë përkatëse bankare;

ç) Detyrimet tatimore të subjekteve përfituese, deri më hyrjen në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund t’i kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara për këtë periudhë, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar.

PËR PARATË

1. Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban një tatim të posaçëm në burim në vlerën si vijon:

a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit

b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit

c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit

PËR VEPRAT E ARTIT, FLORINJ, DIAMANTE ETJ.

2. Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale të ngritur në kuadër të këtij ligji, tatim i posaçëm, në burim paguhet në vlerën si vijon:

a) 5 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit

b) 7 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit

c) 10 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.

AMNISTIA NGA NDJEKJA PENALE

1. Subjektet përfituese, ndaj të cilave është lëshuar vërtetimi përkatës i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar, përjashtohen nga ndjekja penale për veprat penale që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me krijimin dhe disponimin e pasurisë së deklaruar sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Nuk përfitojnë nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni, subjektet e parashikuara në nenin 6 të këtij ligji.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN