Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar sot dekretin e presidentit Ilir Meta për shtyrjen e procesit të Vettingut në Polici.
Lleshaj me anë të një postimi pak më parë dha disa argumenta përse duhet rrëzuar dekreti i Presidentit, që riktheu ndryshimet në ligjin për Vetingun në Polici, Gardë e SHÇBA.
Në përgjigje të tij ka reaguar edhe presidenca, me anë të zëdhënësit të Kreut të shtetit Tedi Blushi. Ky i fundit ka postuar një video në rrjetet sociale nga fushata e PS në vitin 2017. Atë kohë kryeministri Edi Rama u bëri thirrje policisë që pas punës të heqin uniformat dhe të mbledhin sa më shumë vota për PS.
“I bëj thirrje gjithë punonjësve të policisë së Shtetit në momentin që lënë uniformën pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS,” tha Rama atë kohë.
Blushi është shprehur se nuk mund të mbahet peng Vettingu për fushatën e ardhshme të partisë.
“Një kujtesë për z.Lleshaj! Policia e Shtetit nuk mund të mbahet peng i vetting-ut selektiv për t’i bërë fushatën partisë,” shkruan Blushi.