Situata me të cilën po përballet vendi ynë, si rezultat i epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, e ka bërë të nevojshëm krijimin e një kuadri ligjor lehtësues për ata tatimpagues të cilët përballen me vështirësitë më të mëdha nga kjo situatë.
Për këtë qëllim, qeveria shqiptare është përpjekur maksimalisht të krijojë mundësinë për lehtësimin e kostove për bizneset duke ndërmarrë iniciativa ligjore të ndryshme.
Në këtë kuadër qeveria ka propozuar ndryshime në shkallën tatimore të aplikuar për tatimin mbi fitimin.
Përmes këtyre ndryshimeve synohet realizimi i reformave të mëtejshme të ndërmarra së fundi nga qeveria në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, si dhe lehtësimi i barrës fiskale të asaj kategorie biznesi, e cila konsiderohet më vulnerabël ndaj situatës së vështirë financiare të krijuar nga COVID-19, nëpërmjet zerimit të shkallës tatimore.
Me anë të këtij projektligji propozohet që tatimpaguesit, me qarkullim deri në 14 milionë lekë të mos tatohen, pra norma e tatimfitimit të jetë në shkallën 0%. Nga kjo lehtësi do të përfitojnë 12 257 subjekte.
Gjithashtu, ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë për qëllim harmonizimin dhe me ndryshimet ligjore të propozuara në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, ku parashikohet një rritje e pragut të TVSH-së nga 2 milionë lekë qarkullim vjetor që është aktualisht në 10 milionë lekë qarkullim vjetor.
Aktualisht, norma tatimore për efekt të tatimit mbi fitimit bazohet në qarkullimin vjetor të tatimpaguesve dhe konkretisht shkalla e tatimit mbi fitimin është 5% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit dhe 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 14 milionë lekë në vit.
Efektet në buxhetin e shtetit nga parashikimet e këtij projektligji vlerësohen përafërsisht në masën -300 milionë lekë/vit, ku do të përfitojnë rreth 12257 subjekte.