MENU
klinika

Opozita parlamentare tërhiqet nga “pragu kombëtar”

Preket Kushtetuta, lista të hapura, ndalim koalicionesh parazgjedhore

15.07.2020 - 07:20

Mazhoranca dhe opozita parlamentare bien në ujdi; po ndryshimeve kushtetuese për sistemin zgjedhor. Pranohet propozimi për listat e hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. A bie marrveshja e 5 qershorit? Reagojnë aktorët politikë.

Opozita parlamentare doli edhe më “e fortë” nga ç’dukej. Të paktën në aparencë ajo “kushtëzoi” mazhorancën të bëjë ndryshime rrënjësore në sistemin zgjedhor, duke përfshirë listat e hapura, por, mbi të gjitha, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Një lëvizje e beftë që kërkon ndryshime kushtetuese dhe 94 vota në Parlament, për të cilën kryeministri Rama reagoi duke theksuar se: “Do të bashkëpunojë me opozitën parlamentare”, ndërsa “jashtëparlamentarët” duhet të respektojnë institucionin legjislativ.

Ajo që përflitej në korridoret e ngushta të politikës sonë ndodhi dje. Nëpërmjet një mbledhjeje online, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, vendosi të pranojë kërkesën e opozitës parlamentare në dy çështje themelore: “listat e hapura” dhe “ndalim të koalicioneve parazgjedhore”.

Një veprim i tillë solli dy ditë më parë reagimin e opozitës së bashkuar jashtëparlamentare, ndërsa dje edhe një zë i rëndësishëm nga Bundestag-u gjerman, si reagim të fortë në fillim nga nënkryetari i Bundestag-ut gjerman, ku zëvendëskryetari i grupit të CDU/CSU-së, Johann Wadephul, tha se ndalimi i koalicioneve parazgjedhore do të ishte një shkelje serioze e marrëveshjes së 5 qershorit.

Numri dy i CDU-CSU-së thekson se ndryshimi kushtetues do të minonte reformën zgjedhore, ndërsa paralajmëroi se veprime të tilla, të njëanshme, nga ana e mazhorancës mund të kushtëzojnë edhe integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE-së, veçanërisht çështjen e negociatave. Po çfarë parashikon ndryshimi i votuar dje në komisione dhe që pritet të votohet në Parlament, më 30 korrik?

Nga drafti i propozuar, që për “relatorë” dhe iniciues kishte Myslim Murrizin dhe Rudina Hajdarin, bie në sy prekja e nenit 68 të Kushtetutës. Në të theksohet: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit”, por në ndryshimet e reja pjesa “Koalicionet zgjedhore”, është hequr nga Kushtetuta.

Në këtë mënyrë partitë politike, edhe pas ndryshimit në sistemin elektoral do të mund të garojnë në votimet e ardhshme pa koalicione, nëse nisma miratohet në Kuvend. Me gjasë, deri tani llogaritë janë të thjeshta, ku me votat e mazhorancës, përfshirë edhe ato të opozitës parlamentare, mund të shkojmë drejt ndryshimeve kushtetuese, të cilat bien në kundërshtim me klauzolën se: “Nuk lejohen ndryshime kushtetuese një vit para zgjedhjeve”.

Duke iu përmbajtur shtesave të reja, fjalia e dytë e nenit 2 në ndryshimet kushtetuese të propozuara si nismë deputetësh parashikon se: “Ndalohen koalicionet parazgjedhore”. Ndërkohë që në fjalinë e parë të po këtij neni, e cila propozon ndryshimin e fjalisë së parë të pikës 1 të nenit 68, parashikohet heqja e togfjalëshit “koalicionet zgjedhore të partive politike” nga përmbajtja e këtij paragrafi. Me këto ndryshime, nëse ato shkojnë dhe votohen në Parlament, përfundimisht koalicionet zgjedhore nuk mund të jenë me subjekte zgjedhore.

Opozita parlamentare tërhiqet nga “pragu kombëtar”

Opozita e re, e kryesuar nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari, është tërhequr nga propozimi i saj fillestar për uljen e pragut nga 5 në 2 %, siç propozuan në fillim 29 firmëtarët e Kuvendit. Për sa i përket çështjes së “listave të hapura”, në ndryshimet kushtetuese theksohet se vetëm 2/3 e listave të kandidatëve do t’u nënshtrohen listave të hapura, duke garantuar në këtë mënyrë respektimin e kuotave gjinore.

Deri më tani nuk ka pasur reagime nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht nga “trojka” e ambasadorëve, përkatësisht të SHBA-së, BE-së dhe të Britanisë së Madhe. Më 5 qershor ata u bënë nismëtarë, gati me imponim, të marrëveshjes mes mazhorancës, opozitës jashtëparlamentare PD, LSI dhe opozitës parlamentare, të përfaqësuar nga Rudina Hajdari. Në të parashikoheshin disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, ku më kryesoret ishin reformimi i KQZ-së, apo edhe finacimi i partive politike.

Në të nuk përfshihej thelbi i sistemit, që ka të bëjë me çështjen e listave të mbyllyra dhe të lejimit të koalicioneve parazgjedhore. Në fillim, kur doli ideja e “shtesave mbi marrëveshjen” e 5 qershorit, përfaqësues të faktorit ndërkombëtar u shprehën shkurt, por disi prerë se nuk duhet të bëhej asnjë ndërhyrje përtej marrëveshjes së arritur. Tashmë jemi para një zhvillimi të ri, priten në vijim reagimet dhe kundërreagimet.

Deklaratat pas ndryshimeve kushtetuese për sistemin zgjedhor

Kryeministri Edi Rama

“Shoh agjitim në radhët e opozitës jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend, drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë. Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë, por vendos vetë!

Dhe hapja e listave për t’u dhënë mundësi edhe qytetarëve, e jo vetëm kryetarëve, të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit… As jashtëparlamentarja, as presidencialja s’duhet të merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që, e duan, s’e duan, është vendimmarrësi!”

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Ted Blushi

“Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, presidenti i Republikës, Sh.T. Z. Ilir Meta, thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët që nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të opozitës së bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit.

Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues. Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor. Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë. E ardhmja evropiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët”!

Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD-së

“Të gjithë e kanë kuptuar tmerrin tënd nga zgjedhjet, por frika jote nga humbja e pushtetit nuk mund të marrë peng Shqipërinë. Edi Rama, lexoje mirë këtë deklaratë të Bundestag-ut dhe lëri lojërat e pista politike në kurriz të shqiptarëve.”

Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së

“PS-ja është duke punuar shumë për të bërë një marrëveshje të suksesshme për të dyja opozitat. Ne po e çojmë përpara marrëveshjen e 5 qershorit & plotësojmë punën me demokratizimin e mëtejshëm të zgjedhjeve, duke hapur listat, në mënyrë që njerëzit të zgjedhin partinë dhe kandidatin! PS-ja meriton përgëzime për këtë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN