MENU
klinika

"Nuk ka më virus në trupin tim"

25 ditë i infektuar me COVID-19, ish-deputeti jep lajmin e mirë

04.08.2020 - 09:38

Ish-deputeti i Partisë Socialiste në Vlorë, Fatmir Toçi prej 25 ditësh ka “luftuar” me koronavirusin, ndërsa ditën e sotme ka arritur që ta mposhtë këtë virus vdekjeprurës.

Lajmin e ka bërë ai vetë me dije në një postim në rrjetet sociale, ku shprehet se tamponi i dytë ka dalë negativ, por për shkak se COVID-19 i ka lënë disa probleme në mushkëri, do t’i duhet të qëndrojë edhe disa ditë nën kujdesin e mjekëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Ai i falenderon përzemërsisht mjekët që i kanë shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe, duke i quajtur heronj për angazhimin njerëzor dhe shpirtin e tyre fisnik, për të shpëtuar jetët e njerëzve.

Postimi i ish-deputetit:

NEGATIV

Pas 25 ditësh nga testimi i tamponit të parë, dje u krye testimi i tamponit të dytë, i cili rezultoi NEGATIV

Ky është një lajm i gëzueshëm, entuziast e shpresëdhënës, tashmë nuk ka më virus Covid-19 në trupin tim, edhe pse kjo e keqe nuk kaloi pa dhënë një goditje në mushkëri, të cilën e ka prekur pjesërisht, duke më detyruar të mbetem edhe për ca kohë nën kujdesin e jashtëzakonshëm të mjekëve dhe specialistëve të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Sauk të Tiranës, ku organizon e drejton me dorë të hekurt prof. Perlat Kapisyzi me stafin e tij të mrekullueshëm.

Dua të mendoj, dhe besoj, që edhe në qendrat e tjera spitalore, të cilat janë angazhuar në luftën anticovid është i njëjti impenjim dhe të njëjtat rezultate.

Nuk gjenden fjalët për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për këta heronj të kohës sonë, që i janë përkushtuar me profesionalizëm dhe humanizëm jetës së të tjerëve, duke harruar shpesh edhe veten e tyre. Me ato që kam parë e shoh çdo ditë këtu, fjalët janë të varfra dhe nuk mund të shprehin as të njëmijtën e angazhimit njërëzor dhe të shpirtit të tyre fisnik, për t’ju shërbyer dhe për t’i shpëtuar jetët njerëzore.

Me përulësi përpara tyre, që mu gjenden në ditët më të vështira të jetës sime dhe po më rikthejnë në jetë!