MENU
klinika

Dorëheqje e kontrata të parinovuara

4 largime të bujshme nga Top Channel

26.08.2020 - 14:56

Me nisjen e sezonit të ri televiziv nis edhe lëvizja e emrave të njohur të ekranit nga televizione të ndryshme. Kontrata që rinovohen e të tjera që përfundojnë, ekranet shqipare janë nën turravrapin e vrullshëm për të bërë gati programacionin që do t’i servirin publikut muajt e ardhshëm.

Top Channel duket se do të jetë një ndër televizionet që do të sjelli më shumë ndryshime këtë sezon të ri. Emra të rinj që i bashkohen këtij ekrani, e po ashtu sipas zërave korridoreve të këtij televizioni, katër prej emrave ikonikë të këtij ekrani nuk do të jenë këtë sezon pjesë e Top Channel.

Pak ditë më parë u tha se ‘blerja’ e re e Topit është moderatorja Bora Zemani, e cila do të prezantojë programin ‘Përputhen’, program ky që këtë sezon do të zërë fashën orare te ‘Dilema’ moderuar sezonin e kaluar nga Eno Popi.

Ndonëse një prej emrave ikonë të Top Channel, duket se për Eno Popin dhe programin e tij ‘Dilema’ nuk ka patur një rinovim kontrate këtë sezon. Nuk dihet arsyeja pse nuk do të vijojë “Dilema” këtë sezon por me gjasë, duke qenë se ky program kërkon patjetër një numër të madh njerëzish në studio, për shkak të pandemisë është dashur të merret ky vendim.

Duket se as për Dojna Memën nuk është parë e arsyeshme që të ketë një rinovim kontrate këtë sezon, pasi drejtuesit e Top Channel kanë vendosur që programi ‘Pop Culture’ të mos transmetohet më.

Pas 15 vitesh në ekranin e Top-it bukuroshja Xhemi Shehu ka dhënë dorëheqjen nga ky ekran si dhe nga programi “Portokalli”. Ende nuk dihet nëse Xhemi do të shfaqet në një tjetër ekran, apo nëse moderatorja ka vendosur të tërhiqet nga televizioni.

Burim të pakonfirmuara bëjnë me dije se edhe Alban Dudushi do të lerë shtëpinë e tij pas rreth 20 vitesh karrierë në Top Channel. Ndërsa e shoqja Bieta do të vijojë me programin e pasdites në këtë ekran, ende nuk dihet se me ç’televizion ka lidhur kontratë Dudushi për këtë sezon.(Bordo)