MENU
klinika

Intervista/ "Nëse kërkohen masa drastike do të merren..."

A do mbyllen sërish kufijtë? Majko: Ja pse kërkova ndihmën e Janullatos!

17.08.2020 - 14:25

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko ka folur për situatën në vend nga COVID-19 dhe nëse do ketë masa të tjera të rrepta, siç është mbyllja e kufijve. Majko tha se situata do të menaxhohet nga ekspertët dhe nëse ata kërkojnë masa drastike do të merren.

Ai e cilësoi situatën delikate për shkak se vendi përballet dhe me pasojat e tërmetit të nëntorit.

“Dëshiroj të them qartasi që kjo është një situatë që do të menaxhohet mbi të gjitha nga ekspertët dhe jo nga politikanët. Nëse do na kërkojnë masa drastike do të merren. Mendoj që do kemi përsëritje të situatave të tilla.
Situata është shumë delikate. Ne menaxhojmë dhe pasojat e pandemisë dhe të tërmeteve që kanë rënë në aksin kryesor të Shqipërisë Tiranë-Durrës. Nuk janë retorikë por fakte që marrin ngarkesë sidomos financiare. Pesha e qeverisë shqiptare shumë e madhe se në vendet e tjera që menaxhohet vetëm situata e covid”, u shpreh Majko.

Sa i përket një çështje tjetër, ajo e votës së emigrantëve ai tha se tashmë i takon KQZ për të vendosur për çështjet teknike.
Në ndryshimet e kodit zgjedhor është dhe e drejta e votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Tani situata ka kaluar në nivel teknik”, tha ai duke shtuar se është komunikuar me ekspertët e OSBE-së.

Majko, foli edhe lidhur me situatën që u krijua na Kakavijë, ku mijëra qytetarë u bllokuan në kufi për ditë me radhë.

Ministri sqaroi dhe statusin e tij në ‘Facebook’, që ngjalli shumë reagime, pasi ai falënderonte Kryepeskopin Anastas Janullatos, duke lënë të kuptohej se ndërhyrja e këtij të fundit kishte zgjidhur situatën kaotike.

Duke folur për News24, Pandeli Majko deklaroi se në statusin e tij të ‘Facebook’ ka falënderuar të gjithë ata që ndërhynë në zgjidhjen e situatës, mes të cilëve ishte edhe Janullatos.

Sipas tij, ky status nuk tregon se situata u zgjidh nga ndërhyrja e Janullatos, por ishte një situatë që kërkonte pikërisht të zgjidhej mes marrëdhëniesh njerëzore e humane, dhe pikërisht një gjë e tillë i dha zgjidhje, pa marrë përmasa edhe më të gjera, shkruan “BalkanWeb”.

Pjesë nga intervista:

A ishte situatë e jashtëzakonshme në Kakavijë dhe a ishte e vonuar ndërhyrja e Shqipërisë për ta zgjidhur?
Mendoj se brenda 24 orëve atje kanë qenë present të gjithë forcat e nevojshme të strukturave administrative. Do të vecoja forcat e FA, që së bashku me policinë, cuan në zgjidhjen e situatës. Kjo situatë rrjedh nga një situatë më e gjerë e krijuar nga pandemia. Një pjesë e vështirësisë që kemi pasur ka qenë në lidhje me faktin se edhe pala greke e kishte marrë vendimin, që nuk kishte të bënte me politikën, por me ekspertët atje. Ministrat Xhacka dhe Lleshaj meritonin një falënderim për menaxhimin e situatës. Sot në Kakavijë nuk ekziston situate që ishte 24 orë më parë.

Ju thatë se keni kërkuar ndërhyrjen e kryepeskopit Janullatos, kur e kërkuan ndihmën e tij dhe si reagoi ai?
Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ne iu drejtuam të gjithë faktorëve, të gjithë strukturat shtetërore kanë qenë të angazhuara. Detajet janë të tepërta, kriza mund të konsiderohet e mbyllur dhe vlen të falënderohen të gjitha strukturat shtetërore, që ndihmuan. Në fund të një krize duhet t’i falënderosh të gjithë ata që kanë ndihmuar. Shënimi në facebook kishte të bënte me strukturat shtetërore, por edhe me kryepeskopin.

Pse kërkuat ndihmë prej tij?
Pse duhet të jetë kaq e jashtëzakonshme se si më vajti mendja tek ai. Mendova se gjithë njerëzit që kishin njohje duhet të kontribuonin, sepse një pjesë e situatës u zgjidh nga njohjet, ishte një situatë që kërkonte marrëdhënie njerëzore. Këto gjëra nuk zgjidhen me urdhra, aq më tepër që situata në Greqi është si te ne. marrëdhëniet njerëzore zgjidhën këtë situatë.

Çfarë e pengonte zgjidhjen e situatës, deri me ndërhyrjen e kryepeskopit?
Ne duhet të ndalojmë menaxhimin e krizave kaq delicate, si kjo, me logjikat e Facebook. Facebook është një mekanizëm social për të ndarë mendime, por nuk është mekanizëm administrativ, që vlerëson punën e gjithsecilit. Sot që po flasim unë jam në zyrën time dhe po drejtohem nga këtu. Kolegët e mi kanë qenë në krye të detyrës, Xhacka ishte në vendngjarje. Në këtë situatë të pazakontë ne u përpoqët ta menaxhonim maksimalisht. Mund të zgjidhej më shpejt, por situata ishte e pakonceptuar nga të dyja palët.

U desh ndërhyrja e kryepeskopit që situata të merrte fund…
Kur dikush falënderon kryepeskopin nuk do të thotë që gjërat mbaruan me ndërhyrjen e tij. Për kryepeskopin kam fjalët më të mira e falënderimet më të vecanta, pikërisht se u angazhua, pavarëisht moshës.

Për kë e keni fjalën në status, për opozitën, presidentin, kur thoni “Të tjerat, janë fjalë për “lugën” e atyre që dinë vec cfarë nuk duan”?
Nëse sot do ti kishim ata njerëz akoma duke pritur, do të kishim më shumë se një emergjencë humanitare, do kishim kaos, por kjo gjë u zgjidh. Të gjithë dhanë më të mirën e mundshme, duke gjetur një zgjidhje mes dy palët. Kjo situatë nuk u krijua nga teknalitete politike, por se në gjithë botën po ndodh kjo, për shkak të situatës së pazakontë. E mira nuk ka fund, por kjo nuk ishte një situatë ku ne ishim të përgatitur. Por Brenda 24 orëve të gjitha strukturat shtetërore u përgjigjën. Vazhdoi pak gjatë, sepse dhe pala tjetër nuk ishte e përgatitur. Tani duhet të reflektojmë. Është absolutisht e gabuar të themi që përgjegjësia totale ishte e qeverisë shqiptare.