MENU
klinika

Kujtim Gjonaj: Filmat e Kinostudios nuk kanë nevojë për asnjë rishikim

A duhet të transmetohen filmat e diktaturës?

23.08.2020 - 06:36

Në zhurmnajën e bërë kohët e fundit në rrjetet sociale dhe në disa Media për rishikimin e filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re” që transmetohen në disa televizione shqiptare pa dyshim që ka disa kontraste të panevojshme dhe dritëhije që kanë të bëjnë me konflikte brezash, kaq të njohura në ditët e sotme. Por natyrshëm lind pyetja:A duhet të ndalohen filmat e diktaturës komuniste? Në një bisedë me ish drejtorin e Kinostudios, regjisorin Kujtim Gjonaj, ai na rreshton arsyet pse koha e shkuar duhet respektuar dhe kuptuar siç duhet.

Kinostudio lindi si një dëshirë dhe vullnet i shtetit shqiptar për të patur dhe shqiptarët një histori dhe traditë në filmin shqip. Thuhet rëndom në ditët e sotme që ajo lindi si propagandë. Mbaroi një luftë. U fitua një luftë. Dhe në këtë luftë u derdh gjak dhe u fitua. Dhe mbas saj u vendos Republika Popullore e Shqipërisë. Pra, vendi ynë u rreshtua në kampin komunist. Ishte normale që të propagandoheshin, të kultivoheshin, të përjetësoheshin në art dhe kulturë përpjekjet mbinjerëzore të një populli të tërë për çlirimin dhe idenditetin kombëtar, ashtu si nuk mund të liheshin pa u fiksuar dhe përpjekjet po aq titanike për zhdukjen e plagëve të luftës dhe mobilizimi masiv për rindërtimin e vendit. Në kinematografi do flitej për historinë shqiptare të asaj kohe, për luftën partizane, për ndërtimin e socializmit. Çfarë bëhet sot në Amerikë dhe në vendet e tjera perëndimore?Nuk bëhet po kjo lloj propagande, nuk propagandohet nga të gjithë përpjekja amerikane, për të vendosur drejtësi dhe rend kudo në botë?!

Kinostudio lindi si një nevojë utilitare për të bërë art në këtë vend të varfër që nuk e dinte se ç’ishte arti. Shkrimtarët u formësuan dhe u bënë shkrimtarë në këtë vend që nuk e dinte se ç’ishte shkrimi. Teatri lindi si një nevojë që ne të kishim skenën tonë. Ishte kërkesë e kohës që në një vend si Shqipëria, që dilte e rraskapitur dhe e varfër nga lufta,të kishte një institucion ku të zhvillohej kjo politikë artistike e re. Erdhi koha për tu zhvilluar ky art dhe në Shqipëri. Nëse në botë lindi më 1890 me filmimet e punëtorëve nga vëllezërit Lymier, në Shqipëri lindi gjysëm shekulli më pas, në vitin 1947, kur u krijua Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike. Natyrisht që do bëhej dhe propaganda e Partisë. Dhe lindi gjinia e kinoditarit që ishte lajmi më i shpejtë në atë kohë për të pasqyruar informacionet për ndërtimin socialist të këtij vendi. Po krahas saj erdhën dokumentarët politikë që i shërbenin partisë dhe bëmave të saj.

Këto filma qenë propaganda e kohës, po krahas filmit propagandistik morën jetë dhe filmat dokumentarë që i shërbyen artit, kulturës, traditës, historisë. Të bësh një film për Migjenin nuk ke bërë politikë, apo të fiksosh në celuloid jetën e Vangjush Mios, të tregosh për Aleksandër Mojsiun, Vëllezërit Topulli, Asdrenin apo të ngresh në piedestal filmik kryengritjet e mëdha të Veriut në vitet 1910-1912, nuk bën politikë. Është e njëjta gjë si të shkruash një roman për ndërtimin e një kombinati apo hidrocentrali ku objekt është vepra që ndërtohet, por subjekt janë marrëdhëniet e njerzve që marrin pjesë në ndërtimin e veprës, karakteret, lidhjet ndërmjet njëri-tjetrit, raportet e punës me familjen. Me një fjalë historia e këtyre njerzve dhe përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë. Pra, jo vetëm ke shkruar historinë e vendit tënd, por ke bërë dhe politikën dhe detyrën ndaj historisë dhe vendit tënd. Pra, ka ndërthurje mes politikës dhe artit.

Ajo që mund të shkruhet me shkronja të mëdha është se arti lulëzoi deri në piedestal. Ka patur një konkurrencë brenda llojit. Kinematografia shqiptare arriti të prodhonte deri në 14 filma artistikë në vit. Dhe u realizuan filma me vlera të mëdha. “Dueli i heshtur” ka një frymë politike dhe partishmërinë e kohës, por ka dhe karaktere të spikatur dhe shumë art brenda. Një film vërtet me shije, “Përballimi flet për krizën shqiptare të bukës në vitet 47-48-të dhe kjo është tabloja politike e kohës, por në ecurinë dramaturgjike të filmit ka skena të mrekullueshme plot art dhe mjeshtëri ku gjallojnë figura dhe karaktere artistike mbreslënëse. Shprehja ‘gërmo Tare, gërmo… se kockat e qenit tim do të gjesh” është një shprehje lapidare. Ai e ka nxjerrë kulakun artistikisht bukur. Le të kujtojmë për një moment episodin kur fshatari i pasur, që nuk do të dorëzojë grurin në shtet, ia jep me zor lopës për ta ngrënë duke shfryrë:”më mirë ta hash ti sesa t’ua jap këtyre…”, apo:…Aga thesin!…Dhe sa e sa figura të shkëlqyera të karaktereve brilante ka tek ky film dhe shumë filma të tjerë si : “Debatiku”, “Detyrë e posaçme”, “Përrallë nga e kaluara”, “Mësonjëtorja”, “Qortimet e vjeshtës” etj.

Kinostudio dhe punonjësit e saj artistë, i shërbyen vendit dhe popullit me dashuri, art, pasion dhe kulturë, duke fiksuar në celluloid të vërtetat e mëdha të historisë shqiptare, por natyrisht duke i shërbyer dhe politikës së partisë shtet, sepse ishte ajo që e ngriti, drejtoi dhe financoi këtë ndërmarrje të madhe artistike, kulturore dhe propagandistike.

Ndaj çdo prodhim kinematografik i çdo kohe duhet transmetuar se është produkt dhe pasqyrë e kohës kur është prodhuar. Kinematografia shqiptare nuk ka nevojë për asnjë rishikim. Dhe kjo jo vetëm për arsyet që regjisori rendit më sipër po për faktin se artisti apo shkrimtari nuk ndryshojnë sipas stileve politike. Çdo vepër krijohet në një kontekst kohor të caktuar dhe shërben si njohës i asaj perriudhe.

“Luna Park”, me Adriana Matoshi dhe Nik Xhelilaj

Drama shqiptare, në Festivalin e Filmit në Selanik

“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, këto këngë?!”

Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të

Mundësi për të aplikuar në Guinness

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe

“Janë 5 valixhe të mëdha me objekte personale”

Ku do ekspozohet trashëgimia etnokulturore e Musine Kokalarit?