“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: A ndikojnë hemorroidet dhe ulcerat në anemi?
Përgjigjet mjeku: Duke u nisur dhe nga klasifikimi i anemive, ndër shkaqet më të shpeshta të anemive që shkaktohen nga humbjet e gjakut përmendim gjakrrjedhjet që mund të ndodhin ngadalë për një periudhë të gjatë kohore dhe shpesh mund të shkojnë pa u vënë re.
Këto ndodhin më shpesh në rastet e çrregullimeve të sistemit të tretjes si për shembull gastritet (inflamacione, infeksione të stomakut), ulcerat e ndryshme, hemorroidet (majasëlli), kanceri.
Mund të ndodhë tek përdoruesit e drogave, nga përdorimi i pakontrolluar i medikamenteve të tilla si aspirina, ibuprofeni, kortizonikët që mund të shkaktojnë gastrit dhe ulcera.
Menstruacionet te femrat mund të shkaktojnë anemi nëse gjakderdhja është e tepruar dhe zgjat shumë në kohë. Edhe gjatë shtatzanisë kemi anemi, por këto trajtohen mjaft mirë dhe kalojnë pa problem nëse situata mbahet nën kontroll nga mjekët.
Po ashtu edhe gjatë lindjes sidomos pas shtatzanive të shumëfishta.
Rasti tjetër është kur organizmi nuk prodhon sasinë e duhur të qelizave të kuqe ose ato prodhohen me defekte të cilat mund të jenë edhe të trashëguara. Në të dy rastet marrim rezultatin e anemisë.
Qelizat e kuqe të gjakut mund të kenë mungesa të mineraleve ose të vitaminave të cilat janë të nevojshme që ato të funksionojnë normalisht. Këtu përmendim aneminë me qeliza në formë drapëri ( anemia drepanocitare ), anemia nga mangësia e hekurit, anemia nga mangësia e vitaminave.
Anemia në formë drapëri (drepanocitare) vjen si rezultat i një defekti gjenetik që trashëgohet. Qelizat e kuqe në formë drapëri nuk mbartin sasinë e duhur të oksigjenit dhe shkatërrohen shpejt kështu që dhe organizmi nuk furnizohet si duhet me oksigjen duke shkaktuar dobësi dhe dhimbje trupore.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.