MENU
klinika

Por, një ditë u pendua aq shumë sa…

Ai ofendohej kur nëna e tij që kishte vetëm njërin sy e vizitonte në shkollë

28.08.2020 - 06:16

“Për vite me radhë e kam urryer nënën time! E urreja për faktin se ajo kishte një sy. Me qëllimin që ne të na plotësoheshin kushtet në familje, nëna ime punonte në një gjelltore.

Puna e saj ishte e lodhshme shpeshherë e mërzitshme, madje dhe e vështirë sepse ajo shikonte vetëm nga njëri sy. Më donte shumë, aq sa unë nuk arrija dot ta kuptoja. Më kujtohet një moment në shkollën fillore kur nëna ime, nga meraku i madh që kishte për mua më vizitoi në shkollë!

Sapo e pashë, u shtanga, nuk doja veten, sepse e dija që shokët do më thoshnin diçka. Në ato momente në mendjen time nuk ishte nëna, por ishin shokët sepse nuk doja të largohesha nga shoqëria e tyre.

Sapo e pa njëri prej tyre nënën time tha: “Eh, nëna jote ka vetëm një sy.”

Në ato momente nuk doja të isha i gjallë dhe e vetmja gjë që kërkoja ishte që nëna të zhdukej përgjithmonë nga jeta ime. I mbushur me mllefin që kisha përbrenda ditën tjetër i thashë: “Përse më përqesh?! Përse nuk vdes?!” Ajo heshti, nuk foli!

E pashë dhe e ndjeva që thellë u pikëllua dhe u mërzit shumë, por prapë nuk ma ktheu fjalën, as nuk më ofendoi, as nuk më qortoi. Pashë në sytë e saj që kishte nevojë për një përqafim të ngrohtë dhe që djali i saj t’i thoshte: “Nënë, të dua shumë.”

Unë kurrë nuk e bëra këtë gjë, madje e vetmja gjë që kërkoja isha të zhdukesha nga ajo shtëpi. Nuk mund të duroja dot që nëna ime ishte vetëm me një sy. Vitet ikën, arrita në një moshë të caktuar, por ndjenjat ndaj nënës ishin njësoj. Ato ishin të ngurta dhe të ftohta. Gjatë gjithë kësaj kohe, nëna ime më ka trajtuar me dashuri, ngrohtësi, por unë ja ktheja me të keq.

Sjellja ime kurrë nuk e lodhi nënën, por përkundrazi ajo më donte shumë dhe këtë gjë unë e dalloja sepse shpeshherë në sytë e saj kullonin lot. Pasi mbarova studimet, erdhi momenti që unë kisha ëndërruar.

U largova nga shtëpia dhe shkova në një qytet më të madh. I lumtur që nënën e lashë në shtëpi, u nisa drejt një jete të re.

U nisa me mendimin se përpara meje nuk do dilte më ajo grua me një sy që ishte nëna ime. Vitet kaluan pa u vënë re dhe unë kurrë nuk mendova për nënën. Pasi u njoha me një vajzë, u martuam dhe më pas Zoti na dhuroi fëmijë të mrekullueshëm.

Tashmë që isha bërë prind, fëmijët i shikoja me një sy tjetër, doja që ata të ishin të lumtur dhe të rriteshin me dashuri. Një ditë dikush trokiti në derë! Ishte nëna ime.

Ajo tashmë ishte plakur, fytyra e saj plot rrudha tregonin qartë vitet e sakrificave dhe mundimeve.

Sapo e pashë, pa menduar që edhe unë tashmë kisha fëmijë i bërtita: “Si munde të vish ti këtu?!”

Përpara meje dolën fëmijët, e panë dhe thanë: “Nëna jonë është kjo?! Kjo qenka me një sy!”

I nervozuar, dola me nënën përpara dhe i thashë: “Kush të tha që të vije këtu?! Dëshiron të frikësosh fëmijët e mi! Largohu, nuk dua t’ia di më për ty.”

E pikëlluar në maksimum, me një zë që dridhej, më tha: “Biri im, ma bëj hallall! Nëna nuk do të të lëndojë ty dhe familjen tënde. Po shkoj dhe kurrë nuk do kthehem.”

Mbylli derën edhe iku! Asnjëherë nuk do t’i harroj ato momente. Po filloja të kisha vështirësi dhe mendja po më rrinte atje. Si munda që ta largoj nga shtëpia unë nënën time?!

Si munda të largoj dikë që më ka dashur dhe sakrifikuar aq shumë për mua. Pas një farë kohe vendosa të shkoja tek vendlindja ime. U habita kur pashë që dera e shtëpisë ishte e mbyllur.

Pyeta fqinjët dhe ata më dhanë një lajm që më tronditi shumë. Nëna ime kishte ndërruar jetë!

Dikush prej tyre kishte çelësin e shtëpisë dhe kjo mjaftoi që të futesha brenda të rikujtoja momentet e fëmijërisë.

Në gjërat e saj, gjej një letër që më drejtohej mua. Nëna ime më thoshte:

“Biri im, i vogli im, drita ime e syve! Të kërkoj hallallin që erdha në shtëpinë tënde pa të thënë, nuk kisha qëllim të trembja fëmijët e tu. Erdha sepse më kishte marrë malli dhe nëna jote tashmë e moshuar dëshironte të ndjente aromën tënde!

Fale nënën tënde për çdo situatë të pakëndshme që të ka krijuar me prezencën e saj. Fale nënën tënde që nuk ka pasur një pozitë të caktueshme në jetën tënde.

Biri im, dua të të tregoj diçka! Kur ishe i vogël, ti bëre aksident dhe si pasojë e saj, ti humbe njërin sy. Nëna jote nuk duronte dot që i vogli i saj të kishte vetëm një sy, kështu që vendosa të jepja syrin tim, sepse ti ishe drita e syve të mi.

Isha e lumtur dhe krenare që ti shikoje, ecje, dhe lumturoheshe si gjithë shokët e tu. Me dashuri të madhe, të përqafoj dhe të them që të dua shumë!”

Teksa lexoja letrën e kuptova të vërtetën, u shtriva përtokë dhe nisa të qaj me dënesë!

Doja të kthehej çdo gjë nga fillimi, por ishte vonë. Nëna nuk ishte aty, ajo u largua pa marë një përqafim nga unë.

I vetëm në mes të dhomës, kujtoja të gjitha sjelljet e këqija ndaj saj dhe lotët nuk më pushonin. Ishte tepër vonë!

Prandaj, respektojini, duajini dhe mbulojini me ngrohtësi prindërit tuaj. Vitet kalojnë, një ditë, nuk do i keni më pranë…”

Shpërndajeni me miqtë tuaj nëse ju pëlqeu!