MENU
klinika

"Arrestimet për dosjen 339, pse vetëm SPAK duhet të hetojë krimet zgjedhore?"

Analiza/ Preç Zogaj: “Peshq” të barabartë pavarësisht nga madhësia

09.08.2020 - 11:13

Dhjetë ditë më parë, në kulmin e debateve për ndryshimet kushtetuese në lidhje me sistemin zgjedhor, bëri bujë të madhe lajmi se Prokuria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kishte ngritur akuzë penale kundër njëzet komisionerëve zgjedhore në tre qendra votimi në Shijak, të cilët akuzoheshin se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishin lejuar me dashje persona të ndryshëm të votonin në emër të pesëdhjetë e dy votuesve që ndodheshin jashtë shtetit ditën e zgjedhjeve. Lajmi bëri bujë.

Besoj jo aq për faktin se u zbulua përmes një hetimi të rregullt ligjor hedhja e votave fiktive në tri kuti të Shijakut. Ky fenomen ka një përhapje kombëtare dhe është prej vitesh gati një zakon në zgjedhjet tona. Vetë raporti i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e vitit 2017 pohon se në qendrat e vëzhguara votat e hedhura në emër të votuesve absentë (mungues) ishin sa pesë përqind e numrit të pjesmarrësve në votime, shifër e cila tregon se vetëm me këtë mënyrë manipulimi i vullnetit të lirë të zgjedhësve për llogari të partive qeverisëse ishte deformuar me rreth shtatë deputetë fiktivë.

Pa llogaritur këtu format e tjera të larmishme të manipulimit, që raporti i ka listuar, si shitblerja e votës, sekuestrimi i kartave të identitetit, ndalimi me kërcënime i disa opozitarëve për të shkuar në votime, kombinimi, pra, i votimit fiktiv në emër të disave që mungonin vetë me ndalimin e dhunshëm të disa të tjerëve që donin të votonin, e gjthë kjo për të maksimalizuar përfitimet.

Nga gjitha sa thamë, e gjithë sa thotë reporti i OSBE/ODHIR-it, del qartë se ngritja e akuzës për komisionerët e tri qendrave të Shijakut është majëza e ajsbergut përkundrejt plojës elektorale të vitit 2017. Por kjo akuzë bëri bujë për dy arsye: e para, atë e formuluan dy prokurorë të SPAK-ut, organi që ka ngritur pritshmëri shumë të mëdha në publik për çuarjen e ligjit në territoret e paprekshme të krimit dhe korrupsionit; së dyti sepse tri qendrat e hetuara janë pjesë e dosjes së famshme 339, ku në bazë të shumë përgjimeve dhe relacioneve nga njerëzit e prokurorisë, shohim se kemi të bëjmë me një rast perfekt të simbiozës së krimit të narko-trafikut me krimin zgjedhor. Në këtë kontekst, u duk se SPAK po e kapte demin për brirësh. Për të gjithë mbështetësit e tij të flaktë, që ishin dhe janë duke pritur se cila do të jetë akuza e parë e fortë e këtij institucioni kundër ngrehinës së pandëshkueshmërisë, fokusimi i tij tek krimet zgjedhore ishte një lajm i mirë.

Mirëpo, s’kaluan veçse pak ditë dhe SPAK shpalli moskompetencën për akuzat e ngritura, duke ia kaluar çështjen prokurorisë së Durrësit. Të njëtën gjë kishte bërë SPAK muaj më parë edhe me dosjen 184 të Dibrës. Zhgënjimi kësaj radhe ka të bëjë me faktin se ishin prokurorët e SPAK-ut që ngritën akuzën dhe ishte Gjykata e Posaçme Antikorrupsion që caktoi masat e sigurisë për të akuzuarit. Nuk e dinin dy prokurorët që ngritën akuzën se po hetonin në një çështje të huaj për rrethin e veprave penale që heton institucioni ku punojnë? Apo ndodhën gjëra të tjera që e shtynë institucionin ta hiqte nga dora pataten e nxehtë të krimeve zgjedhore? Vetvetiu të vjen të thuash: në mos SPAK, kush tjetër do të ketë forcën t’u dalë përballë krimeve që implikojnë politikën dhe zyrtarët e lartë në Shqipëri, siç janë krimet zgjedhore? Këtë pyetje unë e shënoj këtu si pohim, si mbështetës konstant i Reformës në Drejtësi, pa marrë përsipër të gjykoj bazën ligjore të vendimeve që merr SPAK dhe sidomos pa dashur të bie në pozitën e disave që me naivitet apo keqadashje e kanë zakon t’i japin detyra, a thua se SPAK mund të ndërsehet për çfarë të na shkojë ne në mendje.

Ndoshta ka argumente ligjore që përligjin mbajtjen apo vetmbajtjen e SPAK dorëjashtë nga krimet zgjedhore. Nëse është kështu besoj se jemi përpara një mangësie të madhe ligjore që duhet rregulluar. Nuk është e tepërt të përsërisim se krimet zgjedhore janë vetë thembra e Akilit e së keqes në Shqipëri. Ata janë krimet që kanë bllokuar në burim zhvillimin e vendit. Ata kanë dëmtuar rëndë, për të mos thënë prishur fare peshoren e popullit për gjykimin e qeverisjes.

Ata kanë çimentuar papërgjegjshmërinë dhe qeverisjet e korruptuara. (Pse të jesh i përgjegjshëm kur votën që nuk të jepet, e blen, e vjedh?) Ata na kanë lënë të fundit jo vetëm në Europë, por edhe në rajon. Krimet zgjedhore janë piramidale, janë të lidhura, janë një unitet nga lart poshtë dhe nga poshtë lart. Asnjë “i madh” nuk vjedh dot vota pa “të voglin”. Çdo “i vogël” vjedh vota për llogari të “të madhit”. Ej, askush nuk vjedh vota për t’i zier në tenxhere! Vjedhja e votave nuk është si vjedhja e mallrave apo parave, ku ai që ka vesin e hajdutit vjedh për vete.

Madje blerësi apo vjedhësi i votave mund të mos e ketë zakon të prekë gjënë e huaj, pra të mos jetë hajdut nga natyra. Por në zgjedhje ai bëhet argat politik i një sistemi që komandohet nga lart, është një burmë e mekanizmit që tjetërson vullnetin e lirë të zgjedhësve për të zgjedhur. I madhi, ai që jep direktivën, ai që u shkel syrin vartësve, ai që lejon manipulimin, duke mbajtur fjalime për lirinë e zgjedhjeve, ai ka përgjegjësinë kryesore. Por siç e thamë më lart, në sistemin piramidal të manipulimit të zgjedhjeve “peshqit e vegjël” dhe “peshqit e mëdhenj” janë një. Gjithkush që merr nga Qendra zarfin me para dhe listën e zgjedhësve për t’u blerë votën, e di mirë se është duke kryer një krim. Gjithkush që lejon votimin fiktiv, gjithkush që shton vota në procesverbal, gjithkush që prish votat e kundështarit, gjithkush që u mohon votat partive që nuk kanë përfaqësues në komisione dhe në grupet e numërimit, e di mirë se është duke kryer një krim zgjedhor.

Ai e bën me vetëdije krimin zgjedhor për llogari të kandidatit, partisë dhe kryetarit të partisë së kandidatit. Ai shkon me mendimin se përfituesit e krimit të tij do ta mbrojnë deri në fund dhe madje do ta shpërblejnë. Ndaj, duke dashur e duke qenë dakord që goditjet e mëdha kundër krimeve zgjedhore të marrin në shenjë piksëpari të mëdhenjtë, nuk e miratoj mbrojtjen e “ të vegjëlve”, duke u qarë hallin sikur po u bien në qafë, e tjerë e tjerë.

Kush ka marrë pjesë në zgjedhje – dhe unë jam një prej tyre- e di mirë se këta të “vegjëlit” që keqardhja hipokrite i zvogëlon edhe më shumë kur qëllon të bien në rrjetën e ligjit, nuk janë aq të vegjël në frontin e manipulimit të zgjedhjeve. Përkundrazi, ata kapardisen si gjela me çantat e parave dhe nganjëherë edhe me armë në brez në njësitë dhe në qendrat e votimit që u janë ngarkuar të mbulojnë. Ata s’flenë as natë as ditë në presingun ndaj “emrave të listës”. E vetmja gjë që nuk mund të ndjesh për ta është keqardhja.

Kush nuk ka marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk e njeh nga afër këtë flotë votvrasësish, mund të niset nga arsyetimi tjeter: Nëse duan dhe kërkojmë gjurmë konkrete të shitblerjes dhe manipilimit të zgjedhjeve, gjurmët në rastin më të mirë i lënë ata që veprojnë në terren, ndërkohë që “të mëdhenjtë” nuk zbresin vetë fizikisht në skenën e krimit dhe dinë t’i fshehin mirë këmbët e duart. Janë “të vegjëlit” që mund ta çojnë ligjin dhe drejtësinë tek te mëdhenjtë. Janë “të vegjëlit” që na i bëjnë të njohur shefat e tyre, pa qenë nevoja t’i padisin. Sepse në sytë dhe nën gjykimin e publikut, këta shefa janë të vetpaditur posaqë “të vegjëlit” kanë vjedhur vota për llogari të tyre.

E thamë më lart dhe po e përsërisim: në sistemin piramidal të manipulimit të zgjedhjeve, “të vegjëlit” dhe “të mëdhenjtë” janë në një varkë. Nuk them që ligji të mos i diferencojë në gjykim. Dënimet për “të mëdhenjtë” duhet të jenë më të rënda. Por haku u duhet dhënë edhe argatëve.