Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar në profilin e tij në facebook disa foto nga plazhet e Shqipërisë, të cilat janë pothuajse bosh.
Basha thotë se turizmi është sektori më i goditur nga pandemia, ku 100 mijë punonjës rrezikojnë mbijetesën.
Sipas Bashës, me ardhjen e PD në pushtet do t’i jepet fund favorizimeve fiskale për 5 individë, ndërkohë që mbi 95% e operatorëve të tregut rrezikojnë falimentimin.
Postimi i plotë:
Në këto ditë të verës, më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të pamundur të pushojnë me fëmijët e tyre pas disa muajsh shumë të vështirë. Ndonëse përbën 22% të ekonomisë shqiptare, turizmi është sot dega më e goditur nga kriza dhe pandemia. 100 mijë punonjës në këtë sektor dhe mbi 200 mijë të tjerë të lidhur me të, rrezikojnë punën dhe mbijetesën e tyre dhe të familjeve. Si pasojë e dritëshkurtësisë së qeverisë Rama dhe premtimeve të pambajtura për t’i ardhur në ndihmë, këtë verë turizmi shqiptar gjendet në ditën e tij më të keqe.
Propozimet tona për daljen nga kriza, e kanë turizmin prioritet që duhet mbështetur me likuiditete të mjaftueshme për të qenë në funksion të plotë. Një qeveri e përgjegjshme duhet të subvenciononte konsumin e qytetarëve dhe të injektonte para përmes masave konkrete mbështetëse.
Shqiptarët, por edhe bizneset turistike kanë nevojë për masa dhe ndihmë konkrete që të kenë mundësi të çojnë fëmijët në plazhe apo male, dhe që biznesi i turizmit të funksionojë.
Industria turistike nuk mund të ecë përpara me video propagande të plazheve që sot janë thuajse të boshatisur. Premtimet boshe mbeten vetëm fjalë dhe propagandë nga e cila nuk përfiton askush.
PD po punon me ekspertët më të mirë për një plan ekonomik që do t’i vijë në ndihmë turizmit dhe gjithë ekonomisë. Ne do t’i japim fund favorizimeve fiskale për 5 individë, ndërkohë që mbi 95% e operatorëve të tregut rrezikojnë falimentimin. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të shijojnë bukuritë natyrore, plazhet dhe pasuritë e tjera të Shqipërisë. Me resurset e saj turistike, Shqipëria ka nevojë dhe do të ketë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze, me plan konkret zhvillimi që do të rrisë numrin e të punësuarve dhe do t’i kthejë frymëmarrjen ekonomisë dhe gjithë vendit.