MENU
klinika

“Lufta” për Mesdheu lindor

BE “kërcënon” Turqinë “e pandalshme”

17.08.2020 - 19:32

Kreu i diplomacisë europiane Josep Borrell, i bëri thirrje Ankarasë që të “ndalojë” menjëherë kërkimin për fushat e gazit në Mesdhe, pasi Turqia joftoi aktivitete të reja.

Njoftimi i Ankarasë “rrit tensionet dhe pasigurinë”, tha Josep Borrell në një deklaratë.

Ajo “minon përpjekjet për të vazhduar dialogun dhe negociatat dhe shkon kundër qetësimit të situatës, e cila është e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe një zgjidhje e qëndrueshme,” përsëritën Ministrat e Jashtëm të premten në një takim virtual të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare.

Josep Borrell u bëri thirrje “autoriteteve turke të ndalojnë menjëherë këto aktivitete dhe të angazhohen në dialog me Bashkimin Evropian”.

Depozitat e mundshme të gazit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi të shtunën se “sanksionet dhe kërcënimet” nuk do ta pengojnë Turqinë të kërkojë energji në Mesdheun lindor.

“Në këtë çështje, vendi ynë ka të drejtë dhe ne do t’i mbrojmë të drejtat tona me të gjitha mjetet në dispozicionin tonë. Ne nuk do të tërhiqemi nga sanksionet dhe kërcënimet,” tha Erdogan.

Tensionet po rriten në Mesdheun lindor, ku janë zbuluar rezerva të mëdha gazi vitet e kaluara, duke nxitur orekset e shteteve bregdetare.

Ankaraja dërgoi një anije kërkimore të shoqëruar me anije luftarake në një zonë që Greqia e konsideron territorin e saj të hënën.

Erdogan tha se vendi i tij ishte gati për dialog, por sulmoi Greqinë përsëri ashpër të shtunën, duke akuzuar Athinën për ngacmimin e myslimanëve dhe njerëzve që flisnin turqisht në territorin e saj.

Në një takim të premten, ministrat nga 27 vendet anëtare i thanë Turqisë që “të qetësojë menjëherë situatën dhe të përfshihet në dialog”.