MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë shenjat me të cilat shoqërohet sëmundja e shtyllës-bambu?

18.08.2020 - 12:39

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Cilat janë shenjat me të cilat shoqërohet sëmundja e shtyllës-bambu?

Mjeku: Spondiliti ankilozat (SA) ose Morbus Bekterev është një sëmundje kronike që ndikon direkt tek lëvizshmëria e shtyllës kurrizore (quhet ndryshe edhe shtylla-bambu, pasi ngrin totalisht). Në ecurinë e kësaj sëmundjeje mund të preken edhe organe të tjera.

Kjo sëmundje karakterizohet nga:

-Prania e dhimbjes së mesit dhe kufizimi i lëvizshmërisë së kolonës deri në imobilizim total. Dhimbja e mesit haset në 75% të rasteve. Pacientët ankohen për ngurtësim mëngjezor, i cili manifestohet me vështirësi në ngritjen në mëngjes nga shtrati dhe që përmirësohet gjatë aktivitetit fizik gjatë ditës.

-Imobilizimi total i kolonës (e thënë më thjesht “ngrirja” e shtyllës kurrizore) lidhet me rastin kur kolona bëhet me pamjen si shkop bambuje në aspektin radiologjik. Kolona humbet përkulshmërinë e saj dhe ka raste që pacienti nuk është në gjendje të kthejë kokën anash, duke u kthyer në këtë mënyrë me gjithë trupin, si një bllok i vetëm. Kuptohet që kjo gjendje haset në stade të avancuara të sëmundjes.

SA gjithashtu shoqërohet me:

-lodhje të përgjithshme

-kufizim të aftësive pjesëmarrëse në aktivitetet e punëve të përditshme dhe ato sociale

-dhimbje gjoksi që rëndohet gjatë kollitjes apo teshtitjes

-ndjeshmëri e shtuar ndaj dhimbjes gjatë prekjes në artikulacionet e prekura

-dhimbje e thembrave të këmbëve, sidomos në mëngjes, kur ngrihen dhe vendosin këmbët në dysheme.

Artikulacionet periferike veçanërisht ato të mëdha, si: gjuri apo bërryli mund të përfshihen gjithashtu nga SA.

Sëmundja shoqërohet dhe me shenja ekstraskeletike (jo kockore), si: sëmundjet e syrit, isufiçienca e aortës, defekte të përçueshmërisë së zemrës, fibrozë e lobeve të sipërme të mushkërisë, dëmtime neurologjike dhe të veshkave.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.