Pas pastrimit dhe rehabilitimit të mureve rrethuese të kalasë së Tepelenës, do të bëhet dhe rivlerësimi nga brenda i gjithë kalasë. Zëvendësministri Artan Shkreli, shkruan se po vijon pastrimi i kështjellës së Tepelenës, nga objektet që janë ngjitur me murin e jashtëm të kalasë, si: kioska, lokale dhe një karburant.
“Pastrimi i kështjellës së madhe, asaj të jashtme të Tepelenës, vijon tani me Fazën e Dytë, të shkuljes së ndërtimeve të vona, atyre ngjitur me murin e jashtëm të saj. Aktualisht edhe ana jugore, po procedohet të kthehet sikurse ka qenë (fotografia e parë).
Kioska, pika karburanti dhe lokale gjithfaresh do pastrohen pra, në anën jug-perëndimore, buzë rrugës kryesore, duke i dhënë kalasë pamjen e qëmotshme në 360 grade. Me përfundimin e ndërhyrjes këtë muaj, kjo rrugë ndalohet për makina dhe shndërrohet në shëtitoren e hijeshme të qytetit” – thotë ai.
Pas pastrimit dhe rehabilitimit të mureve rrethuese, Shkreli thekson se, do të bëhet gjithashtu edhe rivlerësimi nga brenda i krejt kalasë.
***
Udhëtari dhe poeti Lord Bajrnoni, në vitin 1809 ishte mysafir në kala. Në kullën jugperëndimore, gjendet një basoreliev me fjalët e poetit: O Shqipëri ku lindi Inskenderi/këngë e rinisë fanar i të urtëve. Shqipëri lejomë të kthej sytë e mi/Mbi ty o nënë e rreptë burrash…
Kulla jugperëndimore e Kalasë së Tepelenës .Aty gjendet basoreliv i Lord Bajronit i vendosur në murin e Kullës jugperëndimore të kalasë në sheshin Lord Bajron. Basorelievi është realizuar në bronz, në përkujtim të poetit dhe udhëtarit Lord Bajroni, i cili e ka vizituar Tepelenën, në vitin 1809. George Gordon Byron (1788 – 1824)