Goditja që ka marrë ekonomia nga pandemia është e gjithanshme, dhe po ndjehet në çdo sektor të saj.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se masat e ndërmarra për të parandaluar përhapjen e infeksionit kanë prekur buxhetin e familjeve dhe të bizneseve.
“Masat e kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë ndikuan në rënien e konsumit, investimeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Bizneset dhe individët më të brishtë u prekën duke humbur të ardhurat e tyre, dhe shteti mori një rol primar për t’i mbështetur me paketat e ndihmës së ofruar”, shprehet Sejko në revistën e Banking-ut qendror.
Guvernatori shprehet i gatshëm për të mbajtur një politikë monetare lehtësuese me një normë interesi në nivel të ulët historik 0.5%, por njëkohësisht kërkon edhe marrjen e masave nga Ministria e Financave, për të lehtësuar politikën fiskale.
“Një rol të rëndësishëm në përballimin e situatës luan politika fiskale, e cila duhet të garantojë fondet e nevojshme për sistemin shëndetësor dhe të mundësojë ndihmë financiare për shtresat e prekura. Këto masa do të ndikojnë në rritjen e nivelit të borxhit publik, e cila është një kosto e pranueshme për përballimin e realitetit të ri”, pohon guvernatori.
Por njëkohësisht një pjesë të përgjegjësisë duhet të merret përsipër nga vetë bizneset. Sejko thotë se bizneset duhet të tregohen të kujdesshme deri në kapërcimin e pandemisë.
“Një rol të rëndësishëm do të luajë dhe sektori privat, i cili duhet të jetë më realist në planet e tij, por dhe më i kujdesshëm në administrimin e likuiditetit”, thotë Sejko.
Parashikimet e institucioneve ndërkombëtare presin një recesion ekonomik për vendin deri në 9%, ndërkohë Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë pohojnë se rënia do të jetë në kufirin e 6%.