Ilnisa Agolli
Thonë se kulturën e një vendi e dominon sakaq emri. Në vendin tonë, ndikuar sidomos prej politikës diktatoriale, përdorimi i emrit me domethënie në shqipe ishte urdhër i prerë.
Megjithatë, fati i emrit mori tjetër rrjedhë pas rrëzimit të këtij regjimi.
Duket qartë që shqiptarët, qysh prej viteve ’90, në ekstremitetin e gjithçkaje që po kalonin, nisur nga faktori ekonomik apo emigracioni, ja që ndikuan në mënyrë direkte edhe në kurorëzimin e metamorfozës së emrave. Duke përcjellë kështu një tjetër identifikim brezi për Shqipërinë e duke shtypur pafuqinë e zymtë ndaj atij sistemi detyrues. Veçanërisht gjatë shekullit të XX, imponimi i kombëtarizimit me trajta dhe funksione laike për t’u rrotulluar vetëm tek emra të cilët, në një lloj forme, mbizotëronin atë çka përfaqësonte vendi ynë në atë pikturë të virgjër, që fushës a pemës të mbillnin një emër dhe të dhuronin autorësinë.
Kështu, në vocërraken tonë zbritën të tjera kontinente. Përgjatë një studimi statistikor këto 15 vite, është vënë re se vetëm në një shkollë të Tiranës nga 445 nxënës, vetëm 25 kishin emra të kuptimit ‘shqip’.
Emra amerikanë, italianë, frëngë, rezistentë të gjithë deri më tani dhe fare pak turq, gjermanë, grekë a spanjollë.
E çuditshme, në fakt, se si në vitin 1953, ditën e vdekjes së Stalinit, spitaleve iu dërgua një urdhëresë legjendare, nga ku të gjithë fëmijëve të lindur më 5 mars t’u vihej emër rus. Mos ndoshta kjo ishte një direktivë?
Sidoqoftë le t’i kthehemi pak sondazheve. Emrat amerikanë thyejnë rekordet që prej viteve 1991-2002: Kevin, Ted, Sindi, Xhoni, Alan, Rasëll, Xhulia, të gjithë të shqiptarizuar. Në fakt, nuk është dhe aq çudi, pasi ky trend i ka rrënjët që pas prishjes me sovjetikët, sepse tendenca nuk u ndërpre kurrë, thjesht u bë më perëndimore, e sot paraqitet me këtë ndryshim thelbësor si emrat e lartpërmendur.
Gjithashtu, të shumta janë rastet që në fakt tronditën shoqërinë tonë, duke e shpërbërë kulturën e emrit, si shkak-pasojë telenovelat, duke u adhuruar sidomos në zona rurale, padashur e dëshmuan këtë dukuri patologjike tek fëmijët: Celeste, Luka, Rosalinda, Laurita , Bonita, Barbara, Zhade, etj…
Pra situata u bë disi kaotike!
Ekzaltimi i masës nuk merrte pjesë në asnjë stil të kultivuar letrar me burim kontekste historike, por spikaste kryesisht te bandat e aktorëve të huaj, për t’i himnizuar më pas në maternitet.
Ndërsa realiteti frankofon ishte luks gati romantik. Sepse duhej gjithmonë një gjysh i cili, edhe pse me trastë duarve, meditonte poetikisht kurbetit ndërsa përhumbej aeroportit dhe duke rendur nostalgjisë një ditë të quan: Zhakinë, Fransua, Henri, Noela, Zhylien, Mishel, Sesilia, apo Ivonë. Emra këta të traditës frënge dhe pse mund të jenë hasur sporadikisht në letërsi apo segmente të caktuara të shoqërisë multikulturore të fundshekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.
…e kështu tendencat vazhdojnë ende duke projektuar një identitet evropian, këtij kombi që mbijeton ende kthesave të befasishme.
Dhe ngjason e largët, gjithmonë e më tepër, jehona përtej maleve që çobani ulëret për dashurinë e internuar a vëllanë e humbur: Burbuqe, Manushaqe, Premtim, Besnik apo Bukuroshe.
Është e qartë, apo jo? Dëshira për t’iu larguar këtij vendi është transparente. Pra, si ta quajmë?!
Pamundësi apo ardhmëri?
E meqenëse kemi një rast konkret që përfaqëson brezin më të ri, vlen të përmendet Kreu i Qeverisë, Z. Rama, i cili, në fakt, e theu këtë dilemë. Duke na bërë të gjithëve të qartë, nisur nga deklarata e tij kulturore, që ky akt nuk mund të përmbajë vetëm dëshirë, por si pasojë shqiptarizimin-qasur kështu nga një këndvështrim dhe identifikim i drejtë, për të mos e humbur brezash traditën e gjuhës sonë, por për ta edukuar kohëve moderne, pa harruar traditën e një epoke historike.
Ai e quajti Zaho.