MENU
klinika

Sulmi ndaj rivalit në zgjedhje. Ja çfarë paralajmëroi!

“Ëndrra juaj amerikane do të vdesë”, deklarata e fortë e Trump

25.08.2020 - 07:13

Shtëpia e Bardhë – Vetëm pak minuta pasi delegatët në Kuvendin Kombëtar Republikan në Sharlot të Karolinës së Veriut, i dhanë zyrtarisht emërimin e partisë të hënën, Presidenti Donald Trump tha se mënyra e vetme se si demokratët mund ta mundin në zgjedhjet e nëntorit është përmes një procesi të manipuluar votimesh duke përdorur fletëvotimet me postë.

“Ata po përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet,” deklaroi pa prova Presidenti Trump gjatë një paraqitjeje zyrtare të pa paralajmëruar, por shumë të pritur para kuvendit. “Supozoni sikur të mos shpërndajnë postën në lagjet republikane”.

Zgjedhjet kanë potencialin të jenë “mashtrimi më i madh në historinë e politikës”, theksoi presidenti në një fjalim kryesisht të pa parapërgatitur në ditën e parë të kuvendit të partisë.

Momenti i emërimit të kandidatit

Si pjesë e një procesi të reduktuar në mënyrë të konsiderueshme në përgjigje të pandemisë së koronavirusit, vetëm një pjesë e vogël e numrit të përgjithshëm të delegatëve republikanë morën pjesë në emërimin e Donald Trump-it dhe nënpresidentit Mike Pence si kandidatë për një mandat të dytë.

Më vonë në fjalimin e tij gati një orë, presidenti, i cili aktualisht renditet pas kandidatit demokrat për president Joe Biden në sondazhet kombëtare me tetë ose nëntë pikë diferencë, akuzoi demokratët se po “përdorin COVID-in për të vjedhur zgjedhjet”.

Presidenti Trump u mirëprit me thirrjet “katër vjet të tjera” nga delegatët e partisë së tij në kuvend.

“Nëse doni t’i çmendni me të vërtetë, thoni edhe 12 vjet të tjera,” u përgjigj presidenti.

Megjithëse zyrtarët e partisë republikane e kishin reklamuar më parë kuvendin se do të kishte një frymë optimiste për vendin dhe për arritjet e administratës Trump, fjalimi i presidentit në ditën e hapjes kishte një ton më të errët.

Siç e ka bërë vazhdimisht kohët e fundit, Presidenti Trump sulmoi Biden-in si një kukull të së majtës radikale, duke paralajmëruar se nëse ish-nënpresidenti zgjidhet në nëntor, “ëndrra juaj amerikane do të vdesë”.

Presidenti u zotua se Shtetet e Bashkuara “kurrë nuk do të jenë një vend socialist”.

Jashtë Traditës

Fjalimi i gjatë i zotit Trump që në natën e parë të kuvendit dhe toni i komenteve të tij ishin një tjetër thyerje e traditës për presidentin jo-tradicional.

Zakonisht, kandidatët qëndrojnë larg fokusit gjatë kuvendeve politike deri sa të japin fjalimin e tyre të pranimit të emërimit. Por zoti Trump ka vendosur të flasë me delegatët çdo ditë në një kuvend që tani do të zhvendoset nga Sharlot dhe do të përqëndrohet më shumë në fjalimet e mbajtura nga një numër politikanësh dhe amerikanësh të zakonshëm.

Presidenti tha se ai do të diskutojë përpjekjet e administratës së tij për të luftuar koronavirusin gjatë fjalimit të tij zyrtar të enjten në mbrëmje nga kopshti i Shtëpinë së Bardhë – në përfundim të të cilit do të ketë menjëherë shfaqje me fishekzjarreve në Parkun Kombëtar.

“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit tonë,” u tha presidenti Trump të hënën delegatëve. “Vendi ynë mund të shkojë në një drejtim të tmerrshëm ose në një drejtim edhe më të mirë.”

Në dallim nga kuvendi virtual demokrat i javës së kaluar, ku u emërua zyrtarisht Joe Biden, republikanët sollën 336 delegatë në Sharlot. Në dallim, demokratët krijuan një montazh të fjalimeve të regjistruara dhe prezantimeve të drejtpërdrejta në kuvendin e tyre.

Disa delegatë republikanë në sallën kuvendit në Qendrën Sharlot kishin vënë maska, të cilat janë të detyruara, por të tjerët nuk kishin paska në fytyrë. Pjesëmarrësve u kërkohet gjithashtu të mbajnë një distancë prej 1,8 metrash nga njëri-tjetra, por shumë prej tyre u panë të shkelnin gjithashtu atë rregull.

Kyshia Lineberger është një delegate e Karolinës së Veriut që jeton në Sharlot, qyteti organizator i kuvendit. Ajo tha se mbështetja për Trump-in është një çështje familjare dhe se djali i saj 15-vjeçar po pret debatin e parë presidencial midis Trump-it dhe Biden-it.

“Ai më pyet çdo ditë,‘ Mami, kur është debati? Kur është debati?”” tha Lineberger.

Ajo tha se e vlerëson që presidenti Trump solli në vëmendje çmimet e ilaçeve në Sh.B.A. “Amerikanët mund të paguajnë 2,50 dollarë për një ilaç që është 10 cent diku tjetër. Dhe kjo është thjesht e gabuar, “tha ajo.

Gjykimet

Delegati nga shteti i Tenesisë, Oscar Brock tha se ishte i impresionuar nga energjia e presidentit Trump në podium në fjalimin e tij të gjatë. Komente të tij mbi ndikimin e gjyqtarëve i lanë mbresa.

“Kishte 400 vende të lira gjyqtarësh kur republikanët morën pushtetin katër vjet më parë,” tha Brock. “Administrata ka plotësuar më shumë se 200 prej këtyre posteve. Kjo do të ndryshojë rezultatet ligjore të një gjenerate. Shpresojmë për rezultate konservatore.”

Presidenti Trump vuri në dukje dallimin mes kuvendit të republikanëve dhe atë të demokratëve, gjatë së cilës Biden-i dhe kandidatja e tij për nënpresidente, senatorja Kamala Harris nga Kalifornia, nuk shkuan në Milluoki por përkundrazi u shfaqën në qytetin e lindjes së Biden-it në Uillmington të Delauerit.

“Ata nuk shkuan atje fare,” tha presidenti Trump. “Ne e bëmë këtë nga respekti që kemi për shtetin tuaj.”

Presidenti akuzoi Guvernatorin e Karolinës së Veriut Roy Cooper, një demokrat, se qëllimisht zvogëloi kuvendin republikan duke imponuar kufizime të ashpra të virusit që presidenti Trump parashikoi se do të zhduket pas ditës së zgjedhjeve.

“Ju keni një guvernator që do të mbyllë çdo gjë,” tha presidenti. “Ju garantoj se në 4 nëntor, gjithçka do të hapet.”

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!