MENU
klinika

Nga Agon Maliqi/ "Nëse nuk dëshiron të dënojë një brez tjetër rajoni duhet të..."

Fatalizmi në Ballkan rrezikon të kthehet në një profeci vetëpërmbushëse

10.08.2020 - 15:19

Rajoni duhet të ndërmarrë disa lëvizje të guximshme, nëse dëshiron të ndryshojë këndvështrimin gjithnjë e më në rritje të të rinjve se e ardhmja e vendeve të tyre të lindjes është “e pashpresë”.

Nga Agon Maliqi

Jeta në Ballkan ofron arsye të shumta për t’u shqetësuar. Por hemorragjia demografike në rajon nuk është tendenca më shqetësuese nga të gjitha.

Një pjesë e emigrimit në drejtim të perëndimit nga rajoni është normale – një prirje prej disa dekadash e europiano-lindorëve më të varfër që kërkojnë mundësi më të mira në ato të pjesë të kontinentit që ofrojnë të ardhura më të larta, shumë prej të cilëve përfundojnë duke dërguar para në shtëpi dhe disa prej tyre madje kthehen me kapital dhe aftësi të vlefshme.

Megjithatë, kjo valë e fundit në Ballkan duket ndryshe dhe me më shumë pasoja, kryesisht për shkak të llojit të njerëzve që largohen, arsyeve pse ata e bëjnë këtë dhe pasojave që do të ketë kjo për demokracinë, zhvillimin dhe paqen rajonale.

Një sondazh rajonal i botuar së fundmi i Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar Shqipërinë, i kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, IRI, ofron prova të mëtejshme se arsyeja kryesore pas eksodit mund të jetë narrativa toksike që njerëzit kanë për perspektivat e rajonit.

E ndërkohë që kjo narrativë vjen nga zhgënjime me të drejtë që ata kanë përjetuar përsa i takon standardeve të jetesës dhe një qeverisjeje pa llogaridhënie, ai përforcohet nga një pikëpamje mjaft ahistorike dhe nga pritshmëri jorealiste, të cilat prodhojnë një klimë fatalizmi.

Pothuajse dy të tretat në thuajse të gjithë vendet e anketuara thonë se nuk shohin ndonjë të ardhme të mirë për të rinjtë në vend, ose nuk u pëlqejnë drejtimet që kanë marrë vendet e tyre. Edhe në vendet në dukje më optimiste, si Kosova dhe Serbia, ekziston një paralajmërim i rëndësishëm – të rinjtë nën 35 vjeç janë më pesimistë se brezat mbi 56 vjeç.

Brezat më të vjetër mund të kenë një këndvështrim më optimist për shkak të perspektivës së tyre historike. Periudha e errët e viteve 1990 mund ta bëjë dikë ta vlerësojë stabilitetin dhe arritjet aktuale.

Brezi tjetër, nga ana tjetër, u rrit në paqe dhe demokraci. Ata i theksojnë me padurim synimet e tyre – njësoj si ata të vitit 1968 që u ndjenë të zhgënjyer nga premtimet e shkelura të rendit të pas vitit 1945.

Në sondazhin e IRI, qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë dërrmuese përmendin papunësinë, standardin e ulët të jetesës dhe varfërinë si disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballen vendet e tyre.

Pjesa e atyre që thonë se janë të kënaqur me ekonominë është gjithashtu shumë e ulët, duke variuar nga 14 deri në 35 për qind. Megjithatë, paradoksi është se në të gjitha vendet shumica gjithashtu thonë gjithashtu se ata e shohin pozitivisht situatën ekonomike të familjeve të tyre, ose disi të mirë ose shumë të mirë (nga 52 deri në 75 për qind).

Ky paradoks sugjeron se narrativa e zymtë për rajonin mund të bazohet më pak në atë që njerëzit e përjetojnë vetë dhe më shumë tek ajo me të cilën ata e krahasojnë këtë përvojë – pra, atë që mendojnë se mund të kishin, ndoshta duke u larguar. Siç e kanë thënë edhe Ivan Krastev dhe Stephen Holmes në librin “The Light that Failed”, ne po jetojmë në “një diktaturë krahasimesh globale”.

Ndërkohë që shumë njerëz që emigrojnë po e bëjnë këtë gjë për arsye ekonomike, “mentaliteti krahasues” mund të shpjegojë arsyen pse një numër në rritje profesionistësh të aftë dhe të sistemuar po i bashkohen këtij eksodi. Për këta emigrantë të fundit – veçanërisht prindërit – një standard i mirë i jetese nënkupton jo vetëm të kesh punë, por edhe shërbime të mira sociale, ajër të pastër dhe sundim të ligjit.

Të vendosësh të qëndrosh në Ballkan do të thotë të pranosh se mund të duhen dekada, duke përfshirë shumë sakrifica personale dhe luftëra politike, për të arritur standardet perëndimore në këto fusha. Dhe kjo ka edhe një “nëse” kjo do të jetë e mundur ndonjëherë. Shumë prej tyre kërkojnë që gjërat të përmirësohen më shpejt, por nuk shohin ndonjë shpresë për këtë.

Sistemi politik e largon të gjithë optimizmin. Sondazhi i IRI tregon mosbesim të thellë ndaj partive politike dhe institucioneve kryesore, veçanërisht midis të rinjve. Ndërsa të gjitha vendet mbeten pro BE-së, ideja e pranimit në të e ka humbur vrullin frymëzuese, si edhe aftësinë e tij për të nxitur ndryshime praktike.

Në fund të fundit, vendimi për të emigruar ilustron atë që teoria e zgjedhjes racionale përcakton si problemin e kalorësit të lirë. Shumica e njerëzve presin që dikush tjetër të marrë përsipër rreziqet dhe të sjellë ndryshimin social që ata duan të shohin në vend. Në këtë kuptim, narrativa fataliste përfundon gjithashtu duke racionalizuar dëshirën e kalorësit të lirë për t’u larguar; është më e lehtë të besosh se Ballkani është i pashpresë sesa të pranosh përgjegjësinë për të bërë një ndryshim.

Si për ironi, këndvështrimi fatalist mund të bëhet një profeci vetë-përmbushëse. Nëse kaq shumë njerëz vazhdojnë ta shohin largimin dhe jo ndryshimin si të vetmen zgjidhje, kjo do të thellojë prapambetjen e zhvillimit historik të rajonit dhe statusin periferik, ose – në rastin më të keq – do të çojë madje deri në ringjalljen e konfliktit. Kjo sepse tendenca e emigracionit do të jetë ndërvepruese me atë që ngjan si një stuhi e përsosur dinamike politike, ekonomike dhe sigurie.

Së pari, vala e emigracionit po varfëron vendet nga lloji i kapaciteteve njerëzore që nevojiten për të ndërtuar kompani inovative, për lëvizjen e ekonomisë drejt sektorëve me vlerë të shtuar dhe për të ofruar shërbime më të mira publike. Ne rrezikojmë të kemi një kapacitet të pamjaftueshëm përthithës për llojin e investimeve dhe reformave të nevojshme për të arritur standardet perëndimore.

Së dyti, siç është në rastin e Polonisë, Hungarisë ose Rumanisë, emigracioni mund të varfërojë vendet e atyre votuesve që janë më të prirur të mbështesin reformat demokratike. Siç argumentojnë në librin e tyre Krastev dhe Holmes, përvoja e shumë vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore tregon se ata që qëndruan pas ishin më të moshuar dhe më të prirur drejt nacionalizmit dhe autoritarizmit, veçanërisht në një kontekst frike ekzistenciale kolapsi demografik.

Së treti, në një kontekst ekonomish të plogështa dhe autoritarizmi të ngulitur thellë, politika e identitetit dhe fajësimit të tjetrit do të marrë një rol edhe më qendror, që do të thotë se rreziqet e larta të sigurisë do të përforcohen. Dobësitë janë të shumta: mosmarrëveshjet e pazgjidhura bilaterale dhe etnike; arkitektura e sigurisë e kontestuar dhe e papërfunduar; dhe ndjenjat e vazhdueshme të padrejtësisë dhe ankesat e pazgjidhura nga e kaluara.

Gjasa e një konflikti bëhet më e madhe në një mjedis të jashtëm të shënuar nga një konkurrencë e madhe pushteti, me fuqitë revizioniste, si Rusia, që sillen rreth rajonit dhe Kina që po shihet gjithnjë e më shumë nga Perëndimi si një “rival sistematik”.

Një nga faktorët kryesorë të rezistencës në Ballkan gjatë dy dekadave të kaluara ishte kujtesa historike e luftës që i bëri njerëzit të tregohen të kujdesshëm ndaj luftës. Por brezi që erdhi pas luftës nuk e ka atë kujtesë – ndërkohë që ai ka trashëguar ankesat toksike nga ajo.

Kishte diçka shumë shqetësuese në përkujtimoren e këtij viti të 25-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë – masakra më e madhe në Europë që nga Holokausti. Mospërputhja midis hidhërimit në Bosnjë, krahasuar me heshtjen shurdhuese ose mohimin e plotë në Serbi, tregoi se rajoni jo vetëm që nuk ka arritur të përballet me të kaluarën e tij, por mund të jetë kthyer përsëri nga e para.

Ndërkohë që lideri serb Aleksandër Vuçiç pretendon se po përpiqet të nxjerrë mësime nga Gjermania e pas Luftës së Dytë Botërore – duke u përqendruar te rimëkëmbja ekonomike – e vërteta është se Serbia po sillet gjithnjë e më shumë si Gjermania në epokën e Weimar-it. Ajo nuk ndihet përgjegjëse, por e poshtëruar dhe hakmarrëse. E zhytur në autoritarizëm, ajo beson se viktimat e agresionit të vet i detyrohen asaj diçka.

Ne jetojmë nën përshtypjen e rreme se ditët më të errëta të Ballkanit tashmë i përkasin të kaluarës. Por, duke marrë parasysh sa pak e kemi trajtuar të kaluarën dhe shkaqet që e sollën atë të kaluar, është e qartë se ajo që ka aktualisht rajoni nuk është paqja, por thjesht një armëpushim, që funksionon vetëm nëse ruhet një stabilitet relativ ekonomik.

Ballkani mund të mos jetë elastik ndaj tronditjeve të thella sistematike ekonomike dhe politike, nga ato që mund të shkaktojë COVID-19. Sidomos në dritën e dinamikës së emigracionit, rritjes së ngadaltë ekonomike, autoritarizmit të thellë dhe Europë që nuk është në gjendje të zëvendësojë Amerikën.

Rajoni duhet të bëjë lëvizje të guximshme, nëse nuk dëshiron të dënojë një brez tjetër. Diçka e madhe duhet të ndodhë së shpejti për të ndryshuar narrativën toksike të njerëzve që zgjedhin të largohen në vend që të luftojnë për ndryshime. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë frika e tyre për një rajon të pashpresë mund të përfundojë si një profeci vetë-përmbushëse.