“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Fëmija im ka dermatit nga panolinat, ç’mund të bëj?
Përgjigjet mjeku: Dermatiti nga panolinat vjen si rezultat i kontaktit me panolinën apo acarimit të lëkurës nga jashtëqitjet apo urina e fëmijëve, e cila në kontakt të ngushtë me lëkurën e acaron atë. Lëkura skuqet dhe shpeshherë mbiinfektohet nga bakterie apo myqe që janë më të shumtë në atë zonë.
Tek disa fëmijë përgjithësisht gjatë periudhës së daljes së dhëmbëve imuniteti fillon dhe bie. Ata bëhen më të ndjeshëm ndaj virozave dhe enterovirozave, që shprehen me diarre. Diarreja përgjithësisht është acide dhe e pezmaton shumë lëkurën. Te disa fëmijë të tjerë ky dermatit ndodh nga përdorimi i panolinave jo cilësore dhe tek disa nga higjiena e pakët.
Panolinat duhen të ndërrohen sa më shpesh, sidomos tek femijët që kanë këtë problem. Sa herë që ata defekojnë apo urinojnë, duhen pastruar mirë duke u larë me ujë të rrjedhshëm për çdo ndërrim pelenash. Përdoren përgjithësisht pasta apo zbutës që në përmbajtjen e tyre kanë oksid zinku, që ka veti antiinflamatore. Dhe në rastet kur lëkura është acaruar, përdoren edhe pomada antimykotike dhe antibakteriale.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.