MENU
klinika

Folklori

Fluturojnë fustanellat në vallen dyshe Myzeqare

08.08.2020 - 06:56

Kur flasim për Myzeqenë kemi parasysh jo vetëm fushat e gjera dhe shumë pjellore, të cilat mbajnë peshën e një pjese të mirë të ekonomisë sonë, por edhe për traditën, për këngën, për muzikën, e sidomos për vallen. Banorët që jetojnë në Myzeqe quhen si njerëz të urtë, të dashur dhe shumë të qeshur, e kjo gjë vihet re më së miri edhe tek folklori i tyre. Një nga elementet më të bukur të traditës Myzeqare është edhe “Vallja Dyshe Myzeqare” e burrave, dëshmitë e së cilës nga vijnë të dokumentuara nga vëllezërit korçarë, Kostandin e Terpo Zografi. Vëllezërit “Zografi” janë bashkëkohës dhe piktorë të shkollës së David Selenicës dhe Kostandin Shpatarakut. Falë frymës realiste që risolli kjo gjeneratë ikonografësh në shekullin XVIII, na jep mundësinë të shohim jetën e gjallë shqiptare të këtij shekulli. Vëllezërit “Zografi” kanë pikturuar në murin jugor të bazilikës së Libofshës në Myzeqe një moment nga kërcimi i Valles Dyshe Myzeqare. Në afresk vihet re një instumentist i veglës frymore, në qendër qëndrojnë dy valltarë të kapur prej dore, ku njëri prej tyre në dorën e djathtë, tund një shami të bardhë.

“Hedhja me penel në afresk i “Valles Dyshe Myzeqare” brenda një objekti kulti të krishterë me emrin Shën Gjergj, na jep të drejtën të themi me gojën plot, se kemi një dëshmi të qartë mbi shenjtërimin e kësaj perle shpirtërore të popullit myzeqar. Dhe dihet, kur diçka shenjtërohet, ajo është e bekuar nga zoti dhe e pavdekshme. Pra, Vallja Dyshe Myzeqare ka një shenjtërim të dyfishtë: një shenjtërim e ka nga shpirti i popullit të vet myzeqar që e nxori dhe e transmetoi brez pas brezi, dhe shenjtërimin e dytë nga zoti, realizuar me penelin e vëllezërve “Zografi”, shprehet kryetari i Shoqatës Myzeqeja, Maksim Zarka

Vallja Dyshe Myzeqare është një valle ku bashkohen në një, dy fustanellat e valltarëve që kërcejnë lehtë, gati në maj të gishtave, duke treguar krenarinë dhe burrërinë e tyre.

“Nën tingujt virtuozë të një “kabaje” të shtruar të klarinetës dhe të goditjeve vibruese ritmike të defit, dy valltarët, pasi kapen prej dore, nxjerrin këmbën e djathtë para. Këmba e nxjerrë para, për disa sekonda, luan një dridhje të ëmbël, duke na krijuar një plasticitet artistik. Drithërima e këmbës shoqërohet me krahun hark e me shikimin përpara drejt sa kërcimtari mendon, përqendrohet për vendimin e marrë duke vendosur një ekuilibër estetiko-psikologjik. Ky përqendrim shoqërohet me përkulje pak të trupit para e me shikim të syve drejt shputës së këmbës së ngritur mbi tokë. E gjithë kjo duket si një përpjekje e valltarit, për të zgjedhur vendin se ku do të hedh këmbën, pra shohim një kujdes, për ta vënë këmbën jo vetëm në vendin e duhur, por edhe ta vendos butë atë, ashtu siç është shpirti i tij muzak. Pra, na krijohet një marrëdhënie miqësore midis valltarit dhe tokës (mëmë), që ajo ta mirëpresë dhe pasi e zgjedh vendin dhe bindet se tokën nuk po e “lëndon” natyrshëm, realizon kërcimin e shoqëruar me kokën lart e me një shikim ngazëllyes, duke treguar siguri e krenari e pse jo dhe kënaqësi për atë çfarë bën, për vendimin e marrë: që u lidh miqësisht me tokën arbërore. Fluturimi në ajër dhe përplasja fort e këmbës në tokë duket sikur do të thotë: “Eeeej, ne jemi bijtë e kësaj toke dhe këtu do të qëndrojmë gjithmonë. Besë e fe kemi Tokën-Mëmë.

Përplasja e këmbës fort prodhon energji dhe mundëson kërcimin lehtësisht në ajër dhe prapë i kthehen të njëjtit ritual. Dhe ja, vjen momenti dhe valltarët i pushton një “prehje”. Ata vënë njërin gju në tokë. Rënia në gjunjë shoqërohet me një “ah” dhe duart dalin pak para, herë me pëllëmbë të hapur dhe herë të mbledhura grusht. “Ah”-ja” e zgjatur është një duf, një betim për diçka madhore. Është një moment ky sa koreografik, aq dhe artistik, që na kujton betimin para flamurit. Shqiptari bie në gjunjë vetëm para Flamurit.

Ajo mbyllet me përqafimin dhe puthjen e dy valltarëve qostek-argjendtë. Kështu është vallja jonë. Aty gjen maturi, butësi, këmbëngulje, mendim, betim, energji dhe ekulibër, karakteristika këto të psikikës ndërgjegjësore të myzeqarit. Ajo është një valle sa e qetë dhe e vrullshme ku gjithçka është dhe luhet me masë”, përfundon Zarka.

Përveç valles dyshe Myzeqare, valle të tjera të vlerësuara janë edhe Vallja e Hajdutit dhe Vallja e ngjalave, të dyja këto valle tipike folklorike Myzeqare.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen