Dosja “Ndroqi” ku janë hetuar gjurmët e pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi, ka rinxjerrë në skenë skandalin e zaptimit dhe shkatërrimit të pronave të ish kinostudios.
Pas vendimit për t’i sekuestruar 26 pasuri Ndroqit, avokati i këtij të fundit në një dalje për media solli në vëmendje procedurat e shit-blerjes së televizionit OraNeës ku nënvizoi se kjo pronë i ishte blerë mbesës 18 vjeçare të biznesmenit Aleksandër Frangaj, Ilda Prifti.
Sa i takon kësaj, sipas dosjes, në datën 5 dhjetor 2007, Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu) bleu 100% të aksioneve të shoqërisë Ora me vlerën e 25 milionë lekë. SPAK shton se shitëse e aksioneve ishte ortaku i vetëm, mbesa e Frangajt pasi shoqëria ishte krijuar një vit më parë me një kapital fillestar prej 121 milionë lekë.
Një vit pas blerjes së kësaj shoqërie u transferuan 180 mijë euro në favor të media 66 për shlyerje dhe blerje pajisjesh televizive nga shoqëria Ora.
Sipas dosjes, në të njëjtën periudhë deri në vitin 2009 raportohen disa derdhje dhe tërheqje nga punonjës të shoqërisë apo nga shtetasi Ndroqi në vlera që shkojnë deri në 100 mijë euro apo dhe 22 milionë lekë. Detajet e kësaj dosje, krahas shumë pikëpyetjeve ngrenë dyshime se si një 18 vjeçare mund të posedonte një truall kaq të lakmueshëm në ish Kinostudio?
Cili ishte burimi i të ardhurave për të kryer këtë investim gjigand?
A është reale shuma e blerjes “e 25 milionë lekë” sa thuhet në kontratë apo pjesa tjetër është kryer në forma alternative paligjshmërie për t’i shpëtuar taksave?
Nëse do t’i thërrasim kujtesës, vite më parë qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha mori një vendim për t’i dhënë në përdorim ambientet e Kinostudios, rreth 80 mijë metra katrorë, disa televizioneve private me pronësi të Aleksandër Frangajt, ku fillimisht krijoi një konflikt me ish pronarët, të cilët kishin fituar të drejtën e pronës në Gjykatën e Lartë dhe më pas pati një konflikt të ashpër me Akademinë Marubi, e cila ishte vendosur në ambientet e Kinostudios prej disa viteve.
Hetimet e SPAK dhe “shkëndijat” e hedhura nga përfaqësuesi ligjor i Ndroqit mbi blerjen e kësaj medie, shkojnë përtej komunikimeve publike duke u shndërruar në indikacione për rihapjen e çështjes së ish Kinostudios e cila nga një hapësirë ku prodhoheshin filmat e komunizmit, është shndërruar prej vitesh në një sheshxhirim të paligjshmërisë duke i shpëtuar drejtësisë, shkruan Tema.
Kinostudio “Shqipëria e Re”, kjo pasuri e jashtëzakonshme shtetërore shënon një nga grabitjet më të mëdha që është regjistruar në vend me rreth 200.000 m2 hapësirë të vendosur në dispozicion të artit.