MENU
klinika

Historia e Herriet Biçër Stou

Gruaja e vogël që nisi luftën e madhe!?

12.08.2020 - 06:18

Kur presidentit Abraham Lincoln i prezantuan për herë të parë Herriet Biçër Stoun, ai mori dorën e saj të vogël në pëllëmbën e tij të madhe dhe duke buzëqeshur tha: “Ti qenke ajo gruaja e vogël që nisi luftën e madhe!?”

Edhe vetë presidenti duhet ta kishte patur të vështirë të besonte që kjo grua shtëpiake, trupvogël, e brishtë, me atë buzëqeshje e zë delikat, qe ajo që ndezi shkëndijën e luftës kundër skllavërisë.

Por ishte e vërtetë. Libri i saj “Kasollja e Xha Tomit” ngjalli urrejtjen e shteteve të Veriut ndaj sistemit të skllavërisë në Jug. Në fakt Herrieta vetë nuk kishte menduar se me librin e saj do të acaronte gjendjen shoqërore në Amerikën e atyre viteve. Në të kundërt, ajo kish besuar se do t’i afronte njerëzit e do t’i bënte ata më të ndjeshëm ndaj njëri-tjetrit, do të afronte Veriun me Jugun. Herrieta ishte rritur në një familje fetare dhe aspironte të bënte vetëm të mira në jetë duke e afruar kështu veten me Zotin. Atë kohë, ajo shkruante tregime të shkurtra dhe poezi. Më vonë, edhe pse nënë e gjashtë fëmijëve, ajo gjente kohë të hidhte në letër tregimet e jetës së dhimbshme të zezakëve në Kentucky të cilët i shikonte nga afër kur vizitonte plantacionet e skllevërve atje.

Por thellë në jug skllavëria ishte shumë më e ashpër se në Kentaki.

Në 1850, Kongresi amerikan aprovoi ligjin mbi skllavin që arratisej nga i zoti. Ky akt u njihte të drejtën pronarve të riposedonin skllevërit e tyre që guxonin të arratiseshin. Madje edhe në Boston,vendin e lirisë amerikane, u panë skllevër që tërhiqeshin zvarrë nëpër rrugë të lidhur me zinxhirë nga policë që i kthenin ata tek ish-pronarët e tyre. Kjo goditi rëndë ndërgjegjen e Herrietës. Ajo nisi të shkruajë librin realist “Kasollja e Xha Tomit,” libër që sot njihet në tërë botën.

Xha Tomi ishte një zezak, skllav. Ishte hera e parë që në një libër amerikan heroi kryesor ishte një zezak. Libri qe mbushur me përshkrime rëqethëse të trajtimit çnjerëzor që u bëheshin skllevërve nga pronarët e tyre. Shumë vdisnin nga rrahjet. Skenat ishin të përshkruara me besnikëri, pikërisht siç i kishte parë ajo vetë. Fragmente të librit, fillimisht, Herrieta ua lexonte fëmijëve të saj dhe shihte reagimin e tyre. Ata i dëgjonin tregimet e saj të prekur, e duke fshirë lotët. Herrieta shpuri disa fragmente për t’i botuar në një revistë të kohës.

Botuesi i ofroi asaj $300 në qoftë se do t’i vazhdonte ngjarjet deri në vdekjen e Xha Tomit duke dhënë kështu një histori të plotë. Herrieta ra dakord. Çdo muaj revista botonte nga një kapitull të ri të libri të saj “Kasollja e Xha Tomit.” Kur libri doli nga botimi, 10.000 kopjet e para u shitën brenda javës. Në Britaninë e Madhe u shitën rreth 1 milion e gjysmë kopje në një kohë shumë të shkurtër. Libri u përkthye në 40 gjuhë të botës. Herrieta u bë e famshme. Pas botimit të librit, u bë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për pronarët e skllevërve të jugut të kërkonin t’u ktheheshin skllevërit e tyre të arratisur në veri. Kjo i bëri ata si të çmendur. Në adresë të Herrietës filluan të vinin letra plot me kërcënime. Madje një ditë në postë erdhi një pako ku qe mbështjellë një vesh i prerë skllavi. Kjo ishte një shprehje e hapur e zemërimit të pronarëve të skllevërve ndaj veprës se saj.

Ajo grua e vogël, e brishtë kishte guxuar t’u thoshte njerëzve të vërtetën mbi skllavërinë në Amerikë dhe zgjoi ndjenjat e tyre për ta luftuar e shporrur përfundimisht atë.

Ja pse presidenti Linkoln, kur e takoi për herë të parë, i tha: ” Ti qënke ajo grua e vogël që nisi këtë luftë të madhe!”

(Shkëputur nga “Udhëtim në Historinë e Amerikës”, Albana Lifschin)

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit