MENU
klinika

Venecie 77

I pari festival normal në kohë anormale

31.08.2020 - 16:16

       Gjallëria, fotografët ndjekës të zellshëm e këmba-këmbës, apo zhurma e turmave të njerëzve – kështu do të karakterizohej festivali i Venecies, për vitin që shkoi.

Por, pandemia ka bërë vetën. Këtë vit, kjo ngjarje e rëndësishme e kinemasë, që njëherësh do të jetë festivali i parë në formë fizike, prej kur filloi kriza shëndetësore, megjithatë, duket shumë më ndryshe se festa e zakonshme në qytetin romantik italian.

Tradicionalisht, në festivalin e Venecies, yjet e filmit vinin në qytet me barka, ku pastaj priteshin nga adhuruesit e entuziazmuar. Ata, më pas pozonin edhe duke u nënshkruar autografe adhuruesve. Një tjetër karakteristike e festivalit, ishte edhe atmosfera e ndezur, mbi tapetin e kuq.

Ndërsa këtë vit, publikut i është kërkuar të mos e rrezikojë, duke marrë pjesë në ngjarje të këtilla ku mblidhen shumë njerëz. Është koha për t’i rezistuar dëshirës për t’i takuar idhujt e tyre të kinemasë. Si pasojë, premierat me tapet të kuq për filmat konkurrues, do të zhvillohen pa praninë e mijëra adhuruesve.

Sipas protokollit për mbrojtjen nga covid-19, çdo personi që ndjek festivalin do t’i matet temperatura me të mbërritur në vendngjarje, dezinfektimi i duarve do të jetë i vazhdueshëm, mbajtja e distancës sociale do të praktikohet në çdo ambient, maskat janë të detyrueshme gjatë ndjekjes së filmave dhe konferencave për mediet dhe si pasojë, kinematë do të jetë gjysmë të mbushura me shikues.

Pandemia, po ashtu ka bërë që numri i filmave në garë, të jetë më i vogël këtë vit dhe prezenca e yjeve të listës A në Hollivud, do të jetë shumë e vogël dhe e limituar.

Edicioni i 77-të i festivalit të filmit në Venecie, do të mbahet prej 2 deri më 12 shtator.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Luani i artë” i Venecies

Almodovar: Ai do të jetojë me mua dhe 2 macet