MENU
klinika

"Të qofte e lehtë lëndina…Je kudo i shpërndarë në veprat e tua!"

In Memoriam/ Agron Gjekmarkaj kujton takimin e fundit me Arben Bajon

09.08.2020 - 14:54

Vdekja duket si koncept metafizik kur ajo na shfaqet si statistike çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë për pandeminë covid-19.

Ndjen atë keqardhjen njerëzore si respekt për çdo qenie të ngjashme dhe jetë që shuhet, por dhembjen që ajo shkakton e provon ku e ku më tepër kur ajo prek njerëzit që njeh apo miqtë. Qysh dje pasdite qarkulloi lajmi që skulptori Arben Bajo është rënde dhe për të kërkohet gjak për ta ndihmuar.

Ndërsa sot dita filloi me lajmin e rënde se ai nuk është më! Të ngushëllosh familjen është pak , t’u thuash bëhuni të fortë duket pa kuptim ….! Por edhe familjaret e Ben Bajos e dinë që Artistet ndryshe nga të tjerët kanë dy jetë. Ata jetojnë edhe kur të tjerët harrohen se vdekja e vërtetë zë fill tek harresa.

Bajo, ndonëse i ri ka skalitur në kujtesën tonë aq vepra se të mos dalë kurrë prej saj. Një prej tyre është monumenti i At Zef Pllumit e tij i vendosur në shëtitoren e Shëngjinit përballë detit ku prej vitesh me mijëra qytetarë e turistë, pa fund nga Kosova e diaspora nga qytetet e Shqipërisë ndalen për ta këqyrur e bërë një foto ku bashke me imazhin e “Fratit të kujtimeve” marrin me vete plot admirim emrin e Arben Bajos.

Personalisht prej kësaj shtatoreje e pata fatin ta njoh nga afër! Ishte viti 2014 kur Komuna Shëngjin dhe kryetari i saj, Salvador Kaçaj, për të nderuar Pllumin i cili kishte lindur në gushtin e vitit 1924, pikërisht në Malin e Rrencit sipër qytezës bregdetare kërkonin një skulptor. Kaçaj na pat kërkuar mendim mua dhe Preç Zogajt mbi kantidaturën e Bajos për ta realizuar këtë ëndërr të vjetër e të përbashkët të të treve ne si dhe shoqërisht na la detyrë të flisnim me të.

Ja mbështetëm pa ekuivok propozimin duke njohur punët e tij të mëparshme. Jam takuar shpesh me Benin gjatë asaj periudhe dhe çdo herë me befasonte me kulturën e gjerë profesionale dhe mirësinë njerëzore dhe po kaq me dashurinë e njohjen që kishte për At Zef Pllumin. Ai nuk ishte asfare komercialist në zgjedhjet e tij. Nuk e bënte një gjë nëse se ndjente sëbrendshmi!

Si ndihmës pat marrë Greg Ramen, djalin e Kryeministrit, i cili shfaqte admirim për profesorin e tij e për hir të vërtetës sillej me modesti mbresëlënëse në studio ku ndërtonin vepron apo në Shëngjin ku projektonin vendosjen pa i njohur vetes ndonjë merite qe ishte biri i Edi Ramës. Me dhjetëra here kam shkuar në atë vend , po kaq flisnim në telefon për të ndarë pasionin e përbashkët ! Rrëfente me një dëshirë të ndezur çdo detaj , shpjegonte çdo ndryshim, interpretonte pozicionet dhe në fund realizoi një Kryevepër duke skalitur në bronx me force të madhe komunikimi një prej personaliteteve më të mëdha të kulturës dhe rezistencës kombëtare! Arben Bajo kishte diçka të përbashkët me subjektin e tij , besimin tek fuqia emancipuese e së bukures dhe së mirës. Të dy besonin se njeriu është vepra e vet!

Ditën e përurimit ai dhe ndihmësi i tij u shfaqen më të përunjurit mes shumë fjalimesh përgjatë ceremonisë solemne. Po na linte kumtin a mesazhin se unë do flas nesër, pasnesër, çdo ditë me veprën time, unë jam ajo. Po Arben Bajo është njeriu që njohëm po edhe Arti që na la të cilin do ta kemi gjithmonë mes nesh. Të qofte e lehtë lëndina Ben Bajo që po ikën vetëm për një ditë duke shkaktuar dhembje shumë dhembje e po kaq lot, por nesër do të kthehesh ….je kudo i shpërndarë në veprat e tua!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Donaorët u gjendën, por Bajo nuk ia doli

Covid-19 i merr jetën skulptorit të njohur