MENU
klinika

Dëshmia e rrallë e djalit të Beqir Ballukut

“Raportet me Enverin, Hysniun, Mehmetin, përse e eliminuan…”

10.08.2020 - 12:59

         Publikohet historia e panjohur të Beqir Ballukut, ish-ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”. Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.


“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi. Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.

Dëshmon për Memorie.al, Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.

Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë

Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?

Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri. Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të. Nisur nga ky fakt dhe për t’u njohur akoma dhe më shumë me anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet e Memorie.al, ne i’u drejtuam për një intervistë të gjatë zotit Çlirim Balluku, të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.

Zoti Çlirim, për të krijuar një përfytyrim sa më të qartë të fizonomisë së babait tuaj Beqirit, deshëm t’ju pyesim si fillim, se cilët kanë qenë miqtë më të ngushtë të tij në periudhën e Luftës?

Para se t’ju përgjigjem pyetjes suaj, në parantezë desha t’ju them se babai ynë Beqiri, ka qenë një tip që nuk fliste shume as për vete dhe as për shokët e Luftës dhe gjithashtu as për problemet e tija të punës. Për t’u njohur me aktivitetin apo me miqtë e tij të kohës së Luftës, shpesh herë më është dashur t’i mësoja nga persona të tjerë. Nga babai dëgjoja për Vojo Kushin, të cilin e kishte mik të ngushtë dhe për të fliste me simpati të veçantë. Po kështu me të njëjtën simpati ai fliste dhe për Lym Keten, Kozma Naskën, Misto Mamen, Alqi Kondin etj. Kjo përsa i perket kohës së “Njësiteve guerrilje”. Në kohën e formacioneve më të mëdha partizane jeta e tyre ndryshoi, ndoshta pati dhe shumë humbje të dhimshme në atë kohë lufte. Por në atë periudhë, im atë fitoi mikun më të mirë të tij Gogo Nushin, i cili kishte funksionin e Sekretarit Organizativ. Ndërsa nga shokët e brigadave partizane, babai ka pasur miqësi edhe me Kiço Ngjelën dhe Irakli Bozon. Më duhet te shtoj se unë nuk jam në gjendje të përcaktoj të gjithë miqtë e tij të asaj kohe, por sigurisht një mik që vlerësonte shumë im atë ishte populli, me një fjalë njerëzit e thjeshtë prej të cilëve ai kishte miq të shumtë. Në vitin 1998 dhe 2003, kam asistuar në dy përvjetorë festash të njësive partizane, të Brigadës së Dytë në Shëngjergj dhe të Batalionit “Krujë-Ishëm”, ku unë u ndjeva shumë i emocionuar nga kujtimet plot dashuri që ata njerëz shprehnin per babain tim Beqirin. Të gjithë ish partizanët e thjeshtë dhe populli i zonës, rendnin për të më takuar dhe gjatë bisedave me ta më thoshin se po nxirrnin mallin e ish-komandantit të tyre.

Po me Enver Hoxhën kur dhe në ç’rrethana ka qenë njohur Beqir Balluku?

Me Enverin babai ynë është njohur në vitin 1943 kur ai vinte si ilegal në shtëpinë e gjyshit tonë, Ali Ballukut, që ndodhej në lagjen “Hasanbeg” fare pranë Pazarit të Ri, e cila ishte kthyer në një bazë e rëndësishme e Lëvizjes Antifashiste. Këtë ma ka treguar gjyshja ime, nje grua fortë por njëkohësisht dhe shumë e ëmbël.

Po pas mbarimit të Luftës, nga viti 1944 e deri në vitin 1974, kush kanë qenë miqtë më të ngushtë të babait tuaj, nga personalitetet e udhëheqjes së lartë të regjimit komunist?

Babai ynë kishte relata të mira me shumë nga udhëheqesit e asaj kohe, si Ramiz Alinë, Haxhi Lleshin, Spiro Kolekën apo Kadri Hazbiun, por këto i konsideroj si relata të thjeshta pune. Ndërsa më kujtohet që në fëmijërinë time, im atë kishte miqësi me Hysni Kapon. Shpesh flisnin gjatë, por në “Bllok”-un e asaj kohe dhe ndoshta kështu ka qenë gjithmonë, nuk dihej nëse miqesitë ishin të vërteta, apo thjeshtë aleanca momentale. Dhe këtë e them se në rastin e Hysni Kapos, pak para momenteve te vështira të miqësia e tyre u ftoh pa kuptim. Në atë kohë shumë gjëra janë bërë nën presione të rënda psikologjike dhe askush nuk mund të analizojë apo gjykojë sot për lëvizjet e të tjerëve në atë kohë. Me Gogo Nushin ndryshonte puna. Gogo Nushi ka qenë një nga miqt më të ngushtë të babait tonë dhe njohja me të ka qenë që nga koha e Luftës. Deri në vitin 1969 sa ishte gjallë Gogo Nushi, ai mbeti miku më i afërt i babait. Me Gogon babai ynë Beqiri nuk kishte fare kortezi zyrtare dhe ata të dy hynin e dilnin në shtëpitë e njeri tjetrit si në shtëpinë e tyre. Do të shkruaja pa fund për miqësinë e vertete të këtyre dy burrave që unë i admiroja kur flisnin aq qetë e qeshnin aq çiltër me njëri tjetrin, por në mendje më vjen momenti më i trishtuar i kësaj lidhje miqësore. Vdekja e Gogo Nushit. Se kisha parë kur tim atë, Beqirin, më të dërmuar se në atë moment. Pashë lot dhe trishtim në sytë e njeriut që për mua ishte sinonim i forcës,i burrërisë. Një natë vere të vitit 1974, tek flisja me te, ndjeva se kishte nevojen e Gogos e mikut te vertete, por fatkeqësisht ai kishte pesë vjët që s’jetonte më.

Me Enverin, çfarë marrëdhëniesh ka pasur Beqiri dhe a vinte ai në shtëpinë tuaj?

Enver Hoxha vinte në shtëpinë tonë në raste të ralla kur kishte takime për probleme punë me babain. Ndërsa kur kishte raste të veçanta familjare, aty vinin të gjithë “shokët e udhëheqjes”, sigurisht dhe Enveri me to. Por desha të shtoj se kontaktet më të shpeshta dhe ardhjet e Enverit në shtëpinë tonë kanë qenë në vitet 1960 -‘61, gjatë periudhës së krizës me Bashkimin Sovjetik.

Po me Kryeministrin Mehmet Shehu, çfarë marrëdhëniesh ka pasur Beqiri dhe a vinte ai në shtëpinë tuaj?

Edhe me Mehmet Shehun, im atë mbante vetëm relata zyrtare pune, ashtu si me Enverin, Kadriun, Ramizin e ndonjë tjetër.
Vijon nesër intervista

Historia e familjes Balluku nga periudha e Monarkisë deri në vitin 1944

Të parët e familjes së Beqir Ballukut, njërit prej personaliteteve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili për më shumë se dy dekada me rradhë mbajti postet e Ministrit të Mbrojtjes, zv/kryeministrit të parë, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Byrosë Politike, mendohet të jenë vendosur në qytetin e Tiranës të paktën katër breza përpara Beqirit dhe origjina e hershme e tyre është nga qyteti i Krujës. Që nga ajo kohë të parët e familjes Balluku u vendosën në lagjen Hasanbeg të qytetit të Tiranës e cila ndodhet diku fare pranë “Pazarit të Ri” të kryeqytetit, përballë “Shkollës së Kuqe”. Babai i Beqirit, është quajtur Ali Balluku, ndërsa nëna e tij e cila kishte lindur në Stamboll dhe pati jetuar deri në vitet ‘60-të, quhej Naxhije. Ali Balluku që gjatë viteve të para të Monarkisë së Zogut, pati shërbyer si komandant i një poste xhandarmërie në qytetin e Tiranës dhe nga ajo detyrë ai hoqi dorë pas prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Ali Balluku dhe bashkëshortja e tij, Naxhija, patën tre fëmijë: dy djem, Beqirin, (i cili u lind në 14 janar 1917) dhe Qemalin (1921) si dhe një vajzë, Ikbalin. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja e Ali Ballukut u mbajt vetëm me rrogën e tij si ushtarak i Xhandarmërisë Mbretërore dhe nuk kishte asnjë të ardhure tjetër nga ndonjë aktivitet privat. Pas mbarimit të shkollës filllore dhe asaj unike, Beqiri, djali i madh i Ali Ballukut, ndoqi shkollën Teknike Amerikane në Tiranë, e njohur si shkolla e Harry Fultz-it. Atë shkollë ai nuk arriti që ta përfundonte dot, pasi për arsye ekonomike e ndërpreu atë kur kishte mbaruar vitin e dytë. Pas ndërprerjes së shkollës aty nga viti 1932-33, për t’i ardhur në ndihmë familjes që po kalonte një situatë të vështirë ekonomike, Beqiri u detyrua dhe u fut në punë si shegert tek një zanatçi tiranas i quajtur Filip Ujka, i cili kishte një punishte për përpunimin e hekurit. Që në atë kohë Beqiri filloi të shquhej për një fizik të fortë dhe krahas punës që bënte në punishten e hekurit të Filip Ujkës, ai filloi të merrej edhe me sporte të ndryshme, si atletikë, not, futboll, etj. Në sportin e futbollit që ai e kishte me shumë pasion, arriti të aktivizohej edhe me ekipin “Shprefeja” në ndeshjet që zhvilloheshin asokohe në Tiranë. Aty nga viti 1937, Beqiri u njoh për herë të parë dhe ra në kontakt me idetë komuniste, nëpërmjet literaturës që ia jepnin dy shokët e të tij të ngushtë, Vasil Shanto dhe Vojo Kushi, me të cilët ai kalonte një pjesë të madhe të kohës. Në vitin 1940, Beqiri u mobilizua si rekrut për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe pas një kursi për nënoficer që bëri në qytetin e Tiranës, ai fitoi gradën e kapterrit dhe u dërgua menjëherë në frontin e luftës italo-greke. Nga fundi i vitit 1940 teksa ishte në frontin e luftës, ai u internua nga Komanda e Ushtrisë Italiane, i akuzuar si rebel që nxiste dezertimet në rradhët e ushtarëve shqiptarë. Pasi qëndroj për dy-tre muaj si i internuar në qytezën e Shijakut, ku u cilësua si “element turbullues”, italianët e transferuan përsëri në një postë ushtarake në rrethinat e Ulqinit. Në vitin 1941 ai e përfundoi shërbimin e detyryeshëm ushtarak në postën ushtarake të Ulqinit dhe pas kësaj u kthye pranë familjes në shtëpinë e tij në qytetin e Tiranës. Në atë kohë, Beqiri rivendosi lidhjet e tij me ish-shokët që kishte pasur përpara se të shkonte ushtar, Vasil Shanton dhe Vojo Kushin, të cilët e afruan në celulat komuniste dhe në marsin e vitit 1942 e pranuan si anëtar të Partisë Komuniste. Që nga ajo kohë shtëpia e Ali Ballukut aty në lagjen Hasanbeg të Pazarit të Ri të Tiranës, u bë një nga bazat më të rëndësishme të guerilasve dhe komunistëve ilegalë ku midis krerëve kryesorë të Partisë Komuniste që strehoheshin aty, si Vasil Shanto, Alqi Kondi, Misto Mame, Vojo Kushi, Gogo Nushi, Myslym Keta etj, të cilët ishin dhe miqtë më të ngushtë të Beqirit, aty vinte edhe Enver Hoxha. Duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të njësitëve guerile të Tiranës, Beqir Balluku ra në sy të Kuesturës për aktivitetin e tij në Lëvizjen Antifashiste dhe në vitin 1942 ai u arrestua nga italianët dhe u izolua në Burgun e Vjetër. Arrestimi i Beqirit bëri bujë të madhe në qarqet më të larta të PKSH-së, por më pas ai u lirua për mungesë provash. Edhe pas daljes nga burgu, Beqiri nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në Lëvizjen Antifashiste ku në Qarkorin Komunist të Tiranës që udhëhiqej nga Gogo Nushi, ai ishte ngarkuar me detyrën e sekretarit për problemet ushtarake. Nisur nga aktiviteti i madh që ai kreu në atë kohë, pas vrasjes së Vojo Kushit në tetorin e vitit 1943, PKSH-së e caktoi atë në detyrën e komandantit të Njësiteve Guerilje të Tiranës, ku ishin 50 njësite me nga pesë deri tetë veta. Atë detyrë Beqiri e mbajti deri në fundin e vitit 1943 dhe në atë kohë me krijimin e Brigadës së Dytë partizane në Shëngjergj të Tiranës, ai u caktua me detyrën e komandantit të saj. Mbarimi i Luftës Antifashiste në fundin e nëntorit të vitit 1944, e gjeti Beqir Ballukun me detyrën e Komandantit të Qarkut të Tiranës.

Kush ishte Beqir Balluku?

1917 U lind në qytetin e Tiranës më 14 janar, në lagjen “Hasanbeg”.
1934 Ndërpret mësimet në vitin e tretë të shkollës Teknike Amerikane të Harry Fultz.
1934 Fillon punë si hekur-punues tek zanatçiu Filip Ujka në Tiranë.
1937 Lidhet me grupet komuniste me anë të shokut të tij, Vasil Shantos.
1940 Mobilizohet ushtar dhe dërgohet në frontin e Luftës italo-greke.
1941 Për nxitje dezertimesh internohet në Shijak dhe transferohet në Ulqin.
1942 Pranohet anëtar i Partisë Komuniste dhe shtëpia e tij ishte bazë e ilegalëve.
1942 Arrestohet nga italianët dhe lirohet për mungesë provash.
1942 Komandant i Njësiteve Guerile të Tiranës pas vrasjes së Vojo Kushit.
1943 Komandant i Çetës “Dajti” dhe batalionit “Krujë-Ishëm”.
1944 Komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese (partizane) që u formua në Shëngjergj.
1944 Komandant i Divizionit të Dytë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
1945 Komandant i Qarkut në Tiranë dhe deputet i Kuvendit Popullor.
1946 Komandant i Divizionit të Korçës, me gradën e Kolonelit
1947 Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me gradën gjeneral-brigade
1951 Në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të Moskës
1955 Ministër i Mbrojtjes, anëtar i Byrosë Politike dhe zv/Kryeministër i Parë
1974 Enveri filloi goditjen ndaj tij në Aktivin e Ushtrisë që u mbajt në Durrës.
1974 Përjashtohet nga funksionet partiake dhe shtetërore në Plenumin e Pestë.
1974 Në 4 gusht e largojnë nga vila e “Blloku”-t të udhëheqjes dhe e internojnë në Roskovec të Fierit.
1974 Në 7 dhjetor arrestohet në Selenicë të Vlorës ku ishte i internuar pas Fierit
1975 Në 5 nëntor pushkatohet në një tunel në Linzë me Petrit Dumen e Hito Çakon
2000 Eshtrat e tij gjenden në fshatin Vranisht të Vlorës ku ishin groposur me urdhër të Kadri Hazbiut pas ekzekutimit.
Vijon nesër

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe