“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Kam shumë pika të bardha në thonj. Çfarë tregojnë?
Përgjigjet mjeku: Një nga shkaqet më të zakonshme për këto pika të bardha, të cilat shfaqen si në thonjtë e duarve ashtu edhe në të këmbës, është një gjendje e quajtur leukonychia. Emri duket shqetësues por kjo gjendje në fakt nuk është e tillë. Edhe pse shumë njerëz mendojnë se këto pika shfaqen si pasojë e mungesës së zinkut ose kalciumit, kjo nuk është e vërtetë.
Ato shfaqen pas dëmtimeve të vogla që pësojnë thonjtë tuaj si pasojë e goditjeve ose e ndonjë shkaku tjetër. Nëse nuk mbani mend ndonjë gjë që të ketë dëmtuar thonjtë, kini parasysh se thonjtë rriten shumë ngadalë kështu që goditja mund të ketë ndodhur edhe para disa javësh.
Çfarëdo qoftë arsyeja e dëmtimit, këto pika nuk kanë nevojë për trajtim dhe duhet të largohen me rritjen e thonjve. Por nëse të gjithë thonjtë kanë pika të bardha të cilat nuk largohen, atëherë kjo mund të lidhet me ndonjë sëmundje si ato kardiovaskulare, të veshkave, anemi ose diabet.
Gjithsesi nëse shihni anormalitet tek thonjtë, duhet të konsultoheni me mjekun pasi thonjtë shpesh janë tregues të disa sëmundjeve me rëndësi.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.