MENU
klinika

Komisioni nis punën

Kandidatët për deputetë, PD seleksionon propozimet

04.08.2020 - 10:20

Një ditë pasi Kryesia e Partisë Demokratike dhe Këshilli Kombëtar miratuan pa asnjë rezervë emrat, të cilët do të përbëjnë komisionin e seleksionimit të kandidatëve të propozuar nga anëtarësia e PD-së për deputetë dhe kryetarë bashkish, lideri i demokratëve Lulzim Basha takohet sot në orën 11:00 me grupin e komisionit.

Komisioni i vlerësimit përbëhet nga figura të spikatura politike dhe të jetës publike.

Disa prej emrave, si Besnik Mustafaj, Genc Ruli dhe Mark Marku, ishin konfirmuar më herët se do të ishin pjesë e këtij komisioni, ndërkohë dje u mësua se pjesë e komisionit do të ishte edhe ish-Presidenti Bujar Nishani dhe aktualisht kryetari i Këshillit Kombëtar në PD-së, si edhe dhe Enriketa Papa, pedagoge dhe historiane e njohur.

Këta do të jenë pjesë e grupit vendimmarrës, ndërsa në aspektin procedural do të ndihmohen edhe nga dy sekretarë të tjerë: Sait Dollapi, i cili aktualisht është edhe sekretari organizativ i PD-së, dhe Ervin Minarolli, sekretari i burimeve njerëzore.

PROCESI

Seleksionimi i kandidaturave është faza e dytë që ka ndërmarrë Partia Demokratike për të përzgjedhur “ekipin”, me të cilët do t’u prezantohet qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin qendror dhe për atë lokal. Sa për rikujtesë, më 25 qershor PD nisi procesin e identifikimit dhe propozimit nga anëtarësia të kandidatëve të mundshëm.

Nga kjo fazë janë mbledhur më shumë se 2 mijë emra. Ndërkohë, përgjatë gushtit do të vazhdojë faza e dytë e procesit, ajo e përzgjedhjes së kandidatëve të mundshëm. Vetë faza e dytë do të ndahet në dy momente. Momenti i parë është kur duke filluar nga sot, komisioni i ngritur pranë PD-së do të bëjë verifikimin e formularëve të kandidatëve që janë paraqitur në selinë blu nga koordinatorët.

Nga kjo fazë, komisioni do të prodhojë dy lista. Një listë me ata të cilët do të kalojnë në fazën e dytë dhe një listë, të cilëve u shtyhet aprovimi. Për ata, të cilët kalojnë në fazën e dytë, komisioni i dërgon formularin e vetëdeklarimit të hartuar më herët nga një komision ekzistues në PD dhe që drejtohet nga Halim Kosova.

Brenda 5 ditëve, kandidatët të cilët duan të vazhdojnë procesin, duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Nga ky detyrim përjashtohen ata persona, të cilët 10 vitet e fundit kanë mbajtur detyra si deputetë apo drejtues në drejtori, të cilëve ligji ua ka imponuar plotësimin e formularit të vetëdeklarimit në shtet. Ndërkohë, përfaqësuesit e komisionit mund të mbledhin informacion edhe nga institucionet shtetërore.

KRITERET E VLERËSIMIT

Pasi të kenë marrë të gjithë informacionin e kërkuar nga kandidatët për të vazhduar betejën në zgjedhjet e ardhshme për deputetë apo kryetarë bashkish dhe nëse kanë kaluar vetingun e brendshëm, anëtarët e komisionit bëjnë seleksionimin në bazë të disa kritereve të tjera si: Aktivizimi në jetën publike dhe mbrojtja e interesave dhe programit të PD-së, reputacioni në radhët e anëtarësisë së partisë dhe komunitetit, kontributi profesional e politik në parti, kontributi në fushata elektorale dhe kohëzgjatja e anëtarësimit në parti.

VOTIMI NË ANËTARËSI

Vendimmarrja e komisionit të seleksionimit është kolegjiale dhe lista që përgatitet prej tyre i dërgohet sërish anëtarësisë, e cila nga data 15 shtator deri më 30 shtator zhvillon zgjedhjet. Për të shmangur lobimet në anëtarësi, hartuesi i procesit, sekretari i përgjithshëm i PDsë, Gazment Bardhi, ka vendosur që anëtarësia të votojë emrat, të cilët nuk dëshirojnë që të jenë në listën për të vazhduar procesin.

Një anëtar mund të votojë më shumë se një kandidat që nuk e do, por jo më shumë se 20% të përbërjes së listës për secilën degë apo qark. Për t’u skualifikuar nga gara, një kandidat duhet të ketë minimalisht 20% të anëtarësisë që kërkojnë që një kandidat të mos vazhdojë më garën. Më pas, lista që del nga ky proces i shkon kryesisë. Lista përfundimtare në përbërje të saj duhet të ketë patjetër 30% kandidate gra dhe 10 % kandidatë që vijnë nga të rinjtë e PD-së. Ndërkohë, nga i gjithë procesi, anëtarësia zgjedh 80% të kandidatëve, ndërsa 20% e tyre zgjidhet nga kryesia e PD-së./panorama