MENU
klinika

Jep 10.5 milionë euro për Shqipërinë

Kriza e Covid, Gjermania ndez shpresat për biznesin

10.08.2020 - 13:57

Gjermania premton ndihmë financiare në vlerën e 10.56 milionë eurove për përballimin e pasojave sociale dhe ekonomike të krizës së Covid-19 në Shqipëri.

Ambasadori Peter Zingraf i dha sot Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, premtimin në emër të mbështetjes së mëtejshme gjermane në krizën e koronavirusit. Mbështetja financiare në vlerën e 10.56 milionë eurove do të shërbejë për t’iu përgjigjur në mënyrë të fokusuar krizës së Covid-19 dhe për të lehtësuar pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë në Shqipëri.

Fokusi i masave të planifikuara do të orientohet drejt forcimit të trajnimeve dhe rritjes së qëndrueshme për vende pune të mira si dhe drejt zhvillimit të sektorit privat.

Me këtë rast, Ambasadori Peter Zingraf deklaroi sot: “Unë jam i kënaqur që ne po u qëndrojmë në krahë partnerëve tanë shqiptarë edhe gjatë krizës së koronavirusit. Pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë janë një sfidë e madhe – ne mbështesim Shqipërinë në këtë sfidë. Por nuk duhet të harrojmë se rreziku i koronavirusit për shëndetin por edhe për ekonominë shqiptare vazhdon të ekzistojë ende. Prandaj duhet të kontribuojmë të gjithë, përmes mbajtjes së maskës, ruajtjes së distancës dhe përmes higjenës në ndalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.”

Konkretisht, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në fushën e bujqësisë, turizmit dhe në sektorë të tjerë (digjitalizimi) do të mbështeten në kuadër të ndihmës gjermane përmes këshillimit dhe granteve financiare në përballimin e krizës.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të ndihmohen gjithashtu edhe përmes zgjerimit të garancive. Për këtë qëllim do të vihen në dispozicion ndër të tjera 6.7 milionë euro prej shumës 10.56 milionë eurove të Fondit “Rural Credit Guarantee Foundation” të Qeverisë Federale i mbështetur nga KfW-ja.

Mbështetja financiare do të përdoret gjithashtu në funksion të implementimit të masave specifike për koronën në projektet ekzistuese për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet si dhe për menaxhimin dhe riciklimin e mbetjeve.

Me vënien në dispozicion të mbështetjes financiare do të forcohet edhe më tej bashkëpunimi më shumë se 30-vjeçar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Mjetet financiare do të vihen në dispozicion përmes Ministrisë Federale për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin në periudhën kohore 2020/2021.

6.7 milionë euro do të implementohen përmes Bankës Gjermane për Rindërtim (KfË) dhe 3.8 milionë euro përmes Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), në bashkëpunim me institucionet shqiptare si partnere.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive