Partia Demokratike reagon mbi debatin për kufirin detar, të shkaktuar pas deklaratave të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili tha se Greqia do të shtrihet me 12 milje në ujërat shqiptare.
Teksa sjell në vëmendje sqarimet e Konventës së OKB mbi të drejtën e detit, PD thekson se “Kjo çështje ka nevojë për transparencë dhe informacion të detajuar dhe sqarues se cfarë po ndodh, cila është hapësira ku zgjerohet shteti grek, a shkelen ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje dhe a cënohen të drejtat dhe hapësira detare e Shqipërisë”.
Më tej, Partia Demokratike sulmon kryeministrin Edi Rama, teksa shprehet se “Në vend të transparencës dhe informacionit, kryeminstri Rama ka zgjedhur të fshihet pas sulmeve dhe gjuhës vulgare. Ndërkohë qeveria vazhdon të mos japë asnjë informacion mbi cfarë po ndodh me negociatat për delimitimin detar me Greqinë”.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike po ndjek me vëmendje zhvillimet lidhur me deklarimin e Greqisë për zgjerimin me 12 milje të ujërave territoriale. Nisur nga fakti se mes Shqipërisë dhe Greqisë ka mbetur pezull procesi i delimitimit dhe se kjo përfshin zona me brigje përballë, një ekip ekspertësh të së drejtës së detit dhe asaj ndërkombetare po shqyrton këtë çështje. Nga konstatimet e para vihet re se:
Konventa III e OKB-së mbi të Drejtën e Detit – UNCLOS, parashikon se:
Neni 3
Gjerësia e detit territorial
Çdo Shtet ka të drejtën të vendosë gjerësinë e deti të tij territorial deri në një kufiri që nuk kalon 12 milje detare, të matur nga vija bazë e përcaktuar në përputhje me këtë Konventë.
Megjithatë e drejta e parashikuar nga dispozita e mësipërme nuk zbatohet kur sipas së njëjtës Konventë:
Neni 15
Delimitimi i detit territorial ndërmjet Shteteve me brigje përballë ose ngjitur
Kur brigjet e dy Shteteve gjenden përballë ose ngjitur me njëri-tjetrin, asnjë nga dy Shtetet nuk ka të drejtë, përveçse kur ka një marrëveshje ndërmjet tyre, për ta shtrirë detin territorial përtej vijës mediane çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të secilit prej dy Shteteve. Megjithatë, dispozita e mësipërme nuk zbatohet kur, për shkak të ndonjë titulli historik ose rrethanave të tjera të veçanta, është e nevojshme që delimitimi i detit territorial të dy Shteteve të mos bëhet sipas mënyrave të mësipërme.
I njëjti parim zbatohet edhe përsa i përket zonave ekonomike ekskluzive.
Neni 74
Delimitimi i zonës ekonomike ekskluzive ndërmjet Shteteve me brigje përballë ose ngjitur
1. Delimitimi i kufijve të zonës ekonomike ekskluzive ndërmjet Shteteve me brigje përballë ose ngjitur bëhet me marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, siç referohet në nenin 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e barabartë.
2. Nëse nuk arrijnë një marrëveshje brenda një afati të arsyeshëm, Shtetet e interesuara i drejtohen procedurave të parashikuara në Pjesën XV.
3. Në pritje të përfundimit të marrëveshjes të parashikuar në paragrafin 1, Shtetet e interesuara, nën frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, bëjnë çdo përpjekje për të arritur rregullime të përkohshme me karakter praktik dhe për të mos vënë në rrezik ose penguar, gjatë kësaj periudhe kalimtare, arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Rregullime të tilla nuk paragjykojnë delimitimin përfundimtar.
4. Kur ka një marrëveshje në fuqi ndërmjet Shteteve të interesuara, çështjet në lidhje me delimitimin e zonës ekonomike ekskluzive zgjidhen në përputhje me këtë marrëveshje.
Dhe në vijim edhe për shelfin kontinental:
Neni 83
Delimitimi i shelfit kontinental ndërmjet Shteteve me brigje përballë ose ngjitur
1. Kufiri i shelfit kontinental ndërmjet Shteteve me brigje përballë ose ngjitur realizohet me marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, siç referohet në nenin 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e barabartë.
2. Nëse nuk arrijnë një marrëveshje brenda një afati të arsyeshëm, Shtetet e interesuara i drejtohen procedurave të parashikuara në Pjesën XV.
3. Në pritje të përfundimit të marrëveshjes të parashikuar në paragrafin 1, Shtetet e interesuara, nën frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, bëjnë çdo përpjekje për të arritur rregullime të përkohshme me karakter praktik dhe për të mos vënë në rrezik ose penguar, gjatë kësaj periudhe kalimtare, arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Rregullime të tilla nuk paragjykojnë delimitimin përfundimtar.
4. Kur ka një marrëveshje në fuqi ndërmjet Shteteve të interesuara, çështjet që kanë lidhje me delimitimin e shelfit kontinental zgjidhen në përputhje me këtë marrëveshjeje.
Derisa të mos jetë përfunduar një marrëveshje mes tyre, shtetet duhet të sillen në mënyrë të tillë që të mos venë në rrezik ose të pengojnë arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Në pjesën më të madhe të mosmarrëveshjeve mbi delimitimin e ujërave territoriale apo të zonave ekonomike ekskluzive të shqyrtuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, thelbi i problemit mbetet përcaktimi i vijës bazë nga i cili llogaritet gjerësia e detit territorial, në lidhje me çdo vend kufitar. Sipas Konventës së OKB për të Drejtën e Detit – UNCLOS, kjo bëhet me marrëveshje mes shteteve kufitare për të arritur një zgjidhje të barabartë për palët.
Roli dhe pesha e secilit ishull në përcaktimin e kësaj vije bazë, nga e cila fillon matja e elementëve të ujërave territoriale etj, duhet të jetë objekt i një negociate të kujdesshme, duke pasur parasysh si vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 ashtu edhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe ato të Tribunalit Ndërkombëtar mbi të Drejtën e Detit.
Kjo çështje ka nevojë për transparencë dhe informacion të detajuar dhe sqarues se cfarë po ndodh, cila është hapësira ku zgjerohet shteti grek, a shkelen ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje dhe a cënohen të drejtat dhe hapësira detare e Shqipërisë.
Në vend të transparencës dhe informacionit, kryeminstri Rama ka zgjedhur të fshihet pas sulmeve dhe gjuhës vulgare. Ndërkohë qeveria vazhdon të mos japë asnjë informacion mbi cfarë po ndodh me negociatat për delimitimin detar me Greqinë.
Partia Demokratike mbështet zgjidhjen e çdo cështje të mbetur pezull në marrëdhëniet me fqinjët përmes negociatave transparente duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, por në asnjë mënyrë duke cënuar të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë Rama të ndalë fushatën e sulmeve dhe gjuhën denigruese dhe të bëjë transparencë të plotë mbi të gjitha çështjet e lartpërmendura.