MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Ky vit mësimor po na lë, siç “na lë avioni” kur jemi me vonesë

24.08.2020 - 09:08

Gjermania është një nga shtetet që vlerësohet se e ka menaxhuar më mirë se kushdo situatën e pandemisë. Atje shkollat u hapën më 12 gusht, përmes disa rregllave strikte, të denja për disiplinën gjermane. Çdo mësues është i detyruar të mbajë maskë gjatë gjithë orës së mësimit. Nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën nuk janë të detyruar të mbajnë maskë në klasë, por janë të detyruar të mbajnë maskë në të gjitha ambientet e tjera, brenda dhe jashtë shkollës.

Të gjithë nxënësit e klasave më të larta janë të detyruar të mbajnë maskë gjatë mësimit në klasë, si edhe në ambientet e jashtme. Asnjë prind nuk lejohet të futet në ambientet e shkollës, por kontaktet ata i mbajnë në një formë tjetër. Një grup prindërish dhe mësuesish janë caktuar të bashkëpunojnë për t’i informuar të gjithë prindërit e tjerë për ecurinë e mësimit dhe të çdo detaji që lidhet me Covid-in.

Kjo është e koordinuar nëpëmrjet sekretariatit të çdo shkolle që dërgon çdo ditë mesazhe dhe letra informuese për prindërit e të gjithë nxënësve. Të gjitha shkollat bashkëpunojnë me mediat lokale për të dhënë informacione të nevojshme për të gjithë. Rregullat janë aq strikte, saqë ditën e parë të mësimit në një shkollë në Wilsdorf, drejtoria e shkollës dërgoi në karantinë një klasë me 20 nxënës, sepse pas një kontrolli rutinë një punonjëse e shkollës rezultoi pozitive me Covid.

Vijmë në Shqipëri. Situata jo vetëm që nuk i afrohet asaj në Gjermani, por ka një kaotizëm të denjë si për çdo situatë të paparashikueshme që ne dimë ta bëjmë vetëm lëmsh. Kanë një javë që drejtues të Ministrisë me në krye ministren e Arsimit që flasin, por deri më sot asgjë nuk kemi kuptuar prej tyre. Ministrja Besa Shahini deklaroi se për gjithë çfarë do të vendosë në të ardhmen ky dikaster, ka bërë sondime të detajuara. Shefja e arsimit në Shqipëri tha tekstualisht:

“Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie”.

Është guxim i madh të flasësh kështu. Së pari, pa përjashtuar edhe mësuesit, si mund të pyeten fëmijët se çfarë mendojnë ata se si duhet zhvilluar mësimi? A e kanë nxënësit e vegjël përgjegjshmërinë të bëhen pjesë e diskutimit të kësaj çështjeje, a thua sikur po pyeten se në cilin tip celulari duan ta zhvillojnë një lojë elektronike, në Apple apo Iphone? Edhe mësuesit dhe prindërit nuk arrijnë dot të kenë guximin të dinë definitvisht nëse Covid-i luftohet më mirë në shtëpi apo në shkollë e jo më vogëlushët. Por më e rëndësishmja se kjo është kjo tjetra. Personalisht, po bëj një pyetje publike: Cili është ai prind të cilit i ka shkuar ky pyetësor? Cili është ai nxënës të cilit i ka mbërritur ky pyetësor?

Cilët janë ata prindër dhe nxënës që i kanë dhënë përgjigje? Mua, për vete, as më ka ardhur dhe nuk njoh qoftë edhe një prind apo nxënës të vetëm që të ketë marrë të tilla pyetje. Të njëjtën gjë më thonë shumë kolegë të mi, gazetarë, që as kanë parë e dëgjuar për një pyetësor të tillë. Epo nëse nuk e dimë ne gazetarët këtë, me kë është bërë ky pyetësor? Mjaftojmë të kujtojmë bashkëpunimin e shkollave me mediat lokale në Gjermani, për të kuptuar se ç’domethënie ka ky pyetësor.

Vijojmë më tej. Nga të gjitha çfarë është thënë publikisht nga Ministria e Arsimit është krijuar një mish-mash. Dimë që shkolla do të hapet më 14 shtator, por nuk ka një vendim zyrtar të shoqëruar me detaje nga ky vendim. Dje ka dalë udhëzimi i Komitetit Teknik për menaxhimin e Covid-it në shkolla. Në të parashikohet që do të ketë grafik nga shkollat për hyrjen e nxënësve me orare dhe nën monitorimin e mësuesve kujdestarë. Nxënësit duhet të mbajnë distancë 2 metra nga njëri-tjetri kur të futen në klasa.

Gjithashtu, nuk lejohet dalja nga shkolla e asnjë nxënësi pasi dera të mbyllet. Një tjetër udhëzues interesant është se kush shfaq simptoma, lajmëron mësuesin kujdestar që me mjekun e shkollës apo familjes verifikon nëse ka COVID-19 apo jo. Në korridore ata duhet të mbajnë distancë 1,5 metra teksa nuk lejohen aktivitetet me më shumë se 10 veta në ambientet jashtë. Të gjithë nxënësit që thyejnë masat ndaj COVID-19 brenda institucioneve arsimore parauniversitare do të ndëshkohen me masë disiplinore.

Nëse lexohen me vëmendje rregullat e grupit të ekspertëve, në dukje janë një masë e mirë për të mos lejuar përhapjen e Covid-it, por teoria dhe praktika shpesh ka çeduar në vendin tonë. Pikëpyetjet mbeten: Sa kapacitete kanë shkollat shqiptare për të ruajtur distancën fizike; sigurimin e higjienës me ujë të bollshëm e detergjentë. Megjithatë eksperimenti vijon, ku nuk përjashtohet mundësia që nëse COVID-19 do të përhapet frikshëm dhe nëpër shkolla, më parë do të krijohet paniku sesa frika reale, atëherë është “gati” mënyra e mësimit online… Edhe këtu shumë pikëpyetje dhe pasiguri që vijnë nga praktika e shkuar e mësimit online.

Dimë që mësimi do të fillojë atë ditë të 14 shtatorit, por nuk dimë se si do jetë ai. Nuk dimë nëse do të jetë on line, apo fizik, apo i alternuar fizik me atë on line. Nuk dimë që nëse bëhet on line, si do të procedohet me fëmijët e klasave të para që, për shkak të moshës, nuk kanë perceptim real për mësimim fizik, e jo më atë on line. Është e rëndë, por e vërtetë të informojmë se shumë prindër që kanë fëmijët 6 vjeç kanë zgjedhur ta humbasin këtë vit, për shkak të kësaj situate. Një mik i imi më tregoi se ishte i detyruar të merrte mësues privat në shtëpi për të birin 6 vjeç, ndërkohë që kjo zgjidhje mund të jetë më e mira, por ama ky vit nuk i njihet.

Për të vijuar më tej që nuk dimë se si do të bëhet mësimi on line në ato shkolla në zona të largëta, ku edhe energji elektrike nuk ka. Nuk dimë nëse mësimi do të zhvillohet vetëm paradite apo edhe me turne. Nuk e dimë nëse do të zhvillohet nga e hëna deri të premten, apo do të jetë edhe në fundjavë, për shkak të mangësisë së shumë orëve të mësimit. Nuk dimë gjithashtu se si është organzuar ora e mësimit fizik. A do të respektohet distanca e bankave dhe, më e rëndësishmja, a do të respektohet fakti që një klasë nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës. Në një nga pikat që ka parashtruar Ministria e Shëndetësisë është shkruar se në raste të ndryshme mësimi mund të bëhet në ambiente të hapura. A mund të më gjeni qoftë edhe një shkollë të vetme në Shqipëri që e ka mundësinë ta aplikojë këtë? Ku mund të aplikohet kjo në oborret e vockla të shkollave tona, apo mësuesit e shkollave do të dalin jashtë godinave, në kërkim të lëndinave dhe livadheve që gjenden vetëm në mal? Në një nga pikat e tjera shkruhet që nuk lejohet ushqimi në klasa.

Ok, kjo është një masë e nevojshme dhe e drejtë. Por në shkolla jopublike nxënësit konsumojnë ushqim në mensë dhe deri tani nuk kemi të përcaktuar asnjë rregull se si do të konsumohet ky ushqim. A do të jetë me vetëshërbim, gjë që lë vend për shumë dyshime lidhur me prekjen e pjatave, enëve, bukës dhe ushqimeve nga të gjithë apo do të serviret nga punonjësit. Për të mos folur për higjienën. A na garanton Ministria e Arsimit se në të gjitha shkollat ka ujë të rrjedhshëm dhe sapunë, dezinfektantë dhe letër higjienike? Nëse kjo gjë nuk sigurohet në të gjitha shkollat, pa përjashtim, si mund të themi se mësimi do të zhvillohet brenda parametrave higjienikë dhe shëndetësorë?

Një pikë tjetër është transporti. Si do ta zgjidhë Ministria e Arsimit këtë çështje që është akoma edhe më delikate se edhe vetë mësimi në klasë. A do t’i detyrojë shkollat jopublike që ta zvogëlojnë numrin e nxënësve në furgon. Po për ata fëmijë që mësimin e bëjnë në shkolla publike, ndërsa transportin e bëjnë në furgona të prenotuar, si do të procedohet?

Si do ta kontrollojë këtë Ministria e Arsimit? Apo do të thotë që kjo i përket policisë rrugore dhe ne të na duket shteti i copëzuar ku një palë ia lë tjetrës dhe në fund kurrë nuk merren ato masa që duhen.

Prandaj duhet të themi se vërtet jemi tri javë përpara hapjes së shkollës, por ne shqiptarët si çdo punë e lëmë për ditën e fundit e aq më tepër institucionet e shtetit. Për ne, që në kulturën tonë themi “na la avioni” dhe jo “ne shkuam me vonesë”, jemi të prirur të themi sërish “hë se kemi kohë”.

Nuk e teprojmë të themi se ky vit mësimor në rastin më të mirë do jetë gjysmak dhe i pavlerë, një vend me risk të madh për përhapjen e pandeminë dhe askush nuk mund ta parashikojë se ç’do të ndodhë. Ndërkohë ata që kanë detyrë ta përgatisin atë, justifikohen duke thënë thjesht se ky vit “po na lë”. Si gjithmonë, nuk është faji i tyre që janë me vonesë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN