Qemal Vogli është padiskutim një nga portierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave të futbollit shqiptar. U bë pjesë e Dinamos me krijimin e saj në vitin 1950 dhe luajti për blutë deri në vitin 1956. 6 Kampionate të fituara dhe 5 Kupa Republike.
Vogli nuk ka pësuar gol për 840 minuta, prej periudhës 21 janar 1952 deri më 23 mars 1953. Me kombëtaren zhvilloi vetëm 11 ndeshje, ku ka meritë të veçantë në fitoren që kombëtarja jonë arriti ndaj Çekosllovakisë.
Ai do të ishte shumë herë shpëtimtar me pritje deçizive, elegancë në fushën e blertë dhe siguri në dalje. Ishin disa aspekte të cilët e bëjnë këtë portier një nga më të mirët të gjitha kohërave në vendin tonë.
Në atë kohë Vogli mund të krahasohej edhe me portierët më të mirë të Evropës, pasi talenti i tij ishte vërtet i madh. Elozhet edhe në atë kohë nuk do të mungonin në drejtim të portierit shqiptar. Lev Jashin , portieri i madh rus, për portierin e shquar shqiptar ka bërë disa vlerësime maksimale.
“Kur e kam parë në Moskë, Qemalin, kam mbetur i mahnitur. Ishte një portier madhështor. Trim dhe shumë i guximshëm. Me krahë si të shqiponjës. Ishte i aftë të reagonte në mënyrë të përsosur. Kishte reflekse jashtëzakonisht shumë të zhvilluara. Ishte shumë energjik dhe kishte shumë talent si sportist” – është shprehur Jashin.
Vogli do të tërhiqte vëmendjen e një prej portierëve më të mirë të kohës, pikërisht portierit të Dinamos së Moskës, Lev Jashin, i cili i mrekulluar nga forma e mirë që kishte paraqitur portieri shqiptar e ftoi atë të bënin një stërvitje së bashku, gjatë një turneu, ku Vogli u cilësua si një nga futbollistët më të mirë të tij.
Stërvitja me Jashin i dha një tjetër stimul portierit shqiptar, i cili tashmë kishte filluar të ëndërronte. Pak portierë të tjerë mund ta kishin mundësinë që të bënin një stërvitje me Jashin, i cili ishte ndër më të dëgjuarit e kohës, fituesi i “Topit të Artë”, i vetmi portier edhe sot e kësaj dite që ka marrë këtë trofe.
Por sukseset e Voglit nuk do të ishin të rastësishme. Ato erdhën si pasojë e një dëshire të madhe për futbollin, e kombinuar me dëshirën dhe vullnetin e madh të punuar. Aftësia e tij shkonte deri aty, sa të drejtonte ekipin që nga porta, duke u bërë edhe një udheheqës i mirë i të gjithë skuadrës.
Në kulmin e karrierës më 1956, ndërsa Dinamo zhvillonte disa takime ndërkombëtare në Gjermaninë Lindore, Vogli spikati për talentin dhe aftësitë e ralla. Ai ishte ndër sportistët më të mirë të turneut dhe u lavdërua shumë nga media gjermane e asaj kohe, që e ngriti në piedestal, duke e quajtur edhe “Tigri i zi”.
Agjentë gjermanë donin dhe e kërkuan që të luante në futbollin profesionist evropian, pasi ai ishte një sportist i kalibrit të tillë. Në këtë moment, do të vinte edhe “rënia” e tij. Vogli u arratis për të luajtur futboll në Evropë, pasi atë e kërkonin ekipe të ndryshme dhe agjentët gjermanë të mrekulluar nga portieri shqiptar donin me cdo kusht ta lançonin në futbollin e madh europian, por Shqipëria e asaj kohe nuk t’i ofronte këto mundësi.
Ai u arratis në Gjermaninë Perëndimore për të luajtur atje, por do të kapej nga sigurimi dhe u kthye në Shqipëri. Më pas legjenda e portës u dënua nga sistemi i asaj kohe nuk e pati më mundësinë të luante futboll.