Presidenti i Republikës, Ilir Meta, reagon për situatën aktuale të lirisë së medias në Shqipëri, duke u shprehur se faktet tronditëse të censurës dhe presioneve në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me qeverinë janë tepër alarmuese dhe kërkojnë një përgjigje të menjëhershme.
Kreu i Shtetit thekson me tone të ashpra se “Shqiptarët janë ndarë 30 vite më parë nga neni 55 i “Agjitacionit dhe Propagandës” dhe askush të mos mendojë që duke përdorur forma të reja shantazhi e presioni do mundet dot ta rikthejë atë”.
Reagimi i plotë i Presidentit Meta:
Faktet tronditëse të censurës dhe presioneve në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me qeverinë, që po konstatohen çdo ditë dhe po denoncohen periodikisht nga organizata prestigjoze ndërkombëtare, janë tepër alarmuese dhe kërkojnë një përgjigje të menjëhershme.
Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian, vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit.
Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet. Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale.
Tepër alarmant ështe përfundimi se “për sa i përket mbrojtjes themelore të pluralizmit, mediat shqiptare paraqiten në rrezik të mesëm, apo 53%, rreziku i pluralizmit të tregut mediatik klasifikohet tepër i lartë në 80%”.
Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, i bërë publik në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij” ku theksohej se pasojat e rënda të fatkeqësive natyrore nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias; Qëndrimi i Departamentit Amerikan i Shtetit, ku ndër të tjera tërhiqej vëmendja se “veprimet e qeverive kundër epidemisë së COVID-19, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve”, konkluzionet e “Freedom House” dhe shqetësimet e bëra publike nga organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve, dëshmojnë se Shqipëria po shënon seriozisht hapa pas, përsa i përket lirisë së medias dhe transparencës.
Ky regres është thellësisht shqetësues dhe i patolerueshëm!
Për shkak se liria e shprehjes dhe informimit është kusht thelbësor për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, dhe duke dënuar me forcë censurën, presionet, shantazhet dhe masat shproprocionale ndëshkuese ndaj gazetarëve dhe medias së pavarur e kritike me qeverinë, apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste që na kthejnë dekada pas në kohët më të errëta, me pasoja tepër të rënda për të ardhmen europiane të vendit.
Inkurajoj gazetarët kritikë të vijojnë pa u trembur misionin e tyre, dhe i ftoj organizatat prestigjoze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri.
Shqiptarët janë ndarë 30 vite më parë nga neni 55 i “Agjitacionit dhe Propagandës” dhe askush të mos mendojë që duke përdorur forma të reja shantazhi e presioni do mundet dot ta rikthejë atë.