MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Loja “e kungulleshkave” për koalicionet parazgjedhore!

08.08.2020 - 07:58

Nga Alfred Peza

Më shumë se një muaj klasik pushimesh të përvitshme verore, gushti i këtij viti duket si një “retreat” i detyrueshëm, përpara nisjes së sezonit të ri politik në shtator. Periudhë kjo që përkon me fillimin e punës për fushatën e zgjedhjeve të pranverës 2021. Pas votimit të ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, liderët politikë duket sikur bashkë me rigjenerimin e enegjive, po shfrytëzojnë kohën për të kalkuluar idetë rreth koalicioneve të ardhshme paraelektorale

Të gjithë ata që meren me çështjet e zhvillimeve politiko- shoqërore në këtë vend, janë gjithashtu duke luajtur, lojën e “kungulleshkave” të radhës që ka për subjekt këtë temë. Ndaj edhe pyetjet janë: Sa koalicione me lista unike kandidatidatësh pritet të prodhojnë partitë politike shqiptare këtë radhë? Njëri thotë: Dy. Po pse dy? Po sa? Tre. Pse tre? Po sa?… e kështu me radhë. Lojë kjo e zakonshme, e një sporti masiv, për shqiptarët.

E sigurtë deri tani duket të jetë vetëm një gjë: Partia Socialiste do të garojë si edhe më 2017, e vetme duke patur avantazhin e madh, të një liste kompakte prej 140 kandidatësh në të gjithë Shqipërinë që i mundëson maksimalizimin e energjive elektorale dhe për rrjedhojë edhe të votave dhe mandateve që do të fitojë. Ndërsa të gjitha elementët e tjerë të lojës së madhe të “kungulleshkave” mbeten ende të paqarta. Për shumë arësye.

Dilema e parë e madhe është: A do e ruaj në kushtet e reja “Opozita e Bashkuar” kompaktësinë e saj politike, si deri më tani, për të garuar në një koalicion të përbashkët me një listë unike kandidatësh të të gjitha partive të saj? Ka dy arësye thelbësore që e vë në dyshim këtë.

E para lidhet me faktin se PD ka nisur një proces të përzgjedhjes së kandidatëve të saj për deputetë, i cili deri tani, nuk duket të marë parasysh listën e përbashkët. Duket sikur edhe PD ashtu si PS do të garojë me 140 kandidatët e saj në 12 qarqet e vendit. Nëse do të ishte ndryshe, atëherë ku e di PD që tani, sesa kandidatë do i duhen, për aq kohë sa ende nuk ka një vendim zyrtar me aletatët për një listë unike?

E dyta, nëse lista e “Opozitës së Bashkuar” do të jetë një, me çfarë formule do ti ndajnë vendet e kandidatëve partitë e tyre, brenda saj? Sa kandidatë do të ketë PD? Po LSI? Po PDIU? Po PBDNJ? Po partitë e Dash Shehit, Nard Ndokës, Agron Dukës e kështu me radhë? A do marin parasysh në punën e tyre për hartimin e kësaj liste numrin e deputetëve që fituan në zgjedhjet e 2017, apo ndonjë kriter tjetër? Nëse po, a është e përgatitur PD në këto kushte të fitojë më pak deputetë se 4 vjet më parë?!

Dilema e dytë e madhe është: Duke qenë se Ilir Metës i përfundon mandati i Presidentit në korrikun e 2022, pra një vit pas zgjedhjeve, a i mbetet ai idesë së 2 marsit të këtij viti kur paralajmëroi krijimin e një partie të re? A do të jetë kjo parti e tij dhe LSI pjesë e listës me PD apo dy shinat e një liste të një koalicioni të tretë paraelektoral, që do ti mundësonte maksimizimin e rezultatit, duke fituar ndoshta më shumë mandate sesa në një listë të përbashkët me PD dhe aleatët?

Në këtë mënyrë, loja “e kungulleshkave” vazhdon e avancon pak më tej: Pse 3 koalicione? Po sa? Katër. Po i katërti kush mund të jetë? Me siguri që përgjigja për këtë është pak më e thjeshtë sesa ajo për koalicionin e dytë dhe të tretë. Për një arësye fare të thjeshtë. Sepse politikanët e spikatur të opozitës së re në Parlament, nuk e kanë fshehur se do të jenë pjesë e rëndësishme e garës së madhe për zgjedhjet e 2021. Ata i kanë filluar disa javë më parë përgatitjet, përmes regjistrimit të lëvizjeve dhe partive të reja politike dhe njoftimeve për krijimin e te tjerave, në shtator.

Ndërsa koalicioni i pestë paraelektoral në këto kushte, mbetet si një mundësi ende teorike, por me shumë mundësi që të realizohet në praktikë. Këtu është fjala për një listë kandidatësh në 12 qarqet e vendit, në krye të secilës mund të jenë nga një apo dy personalitete të rëndësishme politike të së djathtës, karriera e të cilësve është ndërprerë arbitrarisht nga Lulzim Basha dhe PD, por edhe nga parti të tjera politike. Nisur edhe nga ndryshimi tjetër kushtetues, për një garë me lista të hapura, nuk duhet harruar se ata kanë mundësin e fundit për të qëndruar brenda politikës.

Shtatori bashkë me shumë dilema të tjera, pritet që ti japi përgjigje më të qarta dhe të sakta, lojës së “kungulleshkave” për numrin e koalicioneve parazgjedhore që pritet të garojnë zyrtarisht. Përtej këtyre llogarive, vështirë se skena jonë politike, të prodhojë ndonjë surprizë që do të na habiste. Ngado që ta rrotullosh, një gjë është e sigurtë 100% që sot: Se PS do ti ketë përballë, të gjitha koalicionet që do të regjistrohen, në garë. Sa më shumë, aq më mirë për ato. Mbi të gjitha, edhe për mazhorancën aktuale vetë. Ndaj: Pushime të mbara!

Sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane përballen me kritika

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet