Kur Presidenti Francez Emmanuel Macron kaloi në qendër të qytetit të Bejrutit për të shprehur solidaritet me kombin, ai u prit si shpëtimtar.
Duke veshur një kravatë të zezë për të nderuar ata që u vranë nga një shpërthim shkatërrues në portin kryesor të vendit, udhëheqësi francez vizitoi Gemmayzeh, një rrugë ku ndërtesat shekullore pësuan dëme të mëdha. Burra dhe gra iu lutën atij që të ndihmojë në ringritjen e vendit të tyre, një ish-koloni franceze.
Duke folur para gazetarëve në fund të vizitës së tij, Macron bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit.
“Ne kemi nevojë për një hetim të hapur dhe transparent ndërkombëtar për t’u siguruar që asgjë nuk mbetet e fshehur dhe nuk ka dyshime,” tha ai.
Udhëheqësi francez po përpiqet të tregojë solidaritet me popullin libanez pa e mbështetur klasën politike që e çoi vendin drejt rënies përgjatë dekadave.
“Ju lutemi mos i jepni para qeverisë sonë të korruptuar,” bërtiti një grua. Macron iu drejtua asaj dhe u përgjigj, “Mos u shqetëso për këtë”.
Macron premtoi se ai do të jetë duke organizuar ndihmë ndërkombëtare ndërkohë që gjithashtu do të bëjë presion për ndryshime politike.
Ai nuk pranoi të përjashtonte sanksionet kundër qeverisë libaneze, megjithëse theksoi se nuk është përparësi në këtë pikë.
Macron premtoi të kthehej në Liban në 1 Shtator për të verifikuar se ndihma e ofruar nga Franca u jepet në vendet e duhura. Ai tashmë ka thënë se do të donte që ai të ndërtohej përmes organizatave joqeveritare, kështu që “do të shkojë direkt te njerëzit e Libanit”.
Do të merren të gjitha masat për të siguruar që ndihma “nuk shkon në duar të korruptuara”, siguroi ai. “Do të kthehem më parë në shtator.”
Ndërkohë, disa ekspertë shqetësohen se Macron duket se po kërkon kontrollin e Libanit.
Mbi 44,000 vetë kanë nënshkruar një peticion në internet për “vendosjen e Libanit nën një mandat francez për 10 vitet e ardhshme”. Peticioni në faqen e peticioneve Avaaz njoftohet se është iniciuar nga qytetarët libanezë pas shpërthimit që tronditi Bejrut të martën, duke vrarë mbi 140 vetë dhe duke plagosur më shumë se 5,000 të tjerë.
“Zyrtarët e Libanit kanë treguar qartë një paaftësi totale për ta siguruar dhe menaxhuar vendin,” thuhet në peticion. “Me një sistem të dështuar, korrupsion, terrorizëm dhe me milicinë vendi është në grahmat e fundit. Ne besojmë se Libani duhet të rikthehet nën kontrollin francez në mënyrë që të krijohet një qeverisje e pastër dhe e qëndrueshme.”, shkruhet gjithashtu aty.
Burimi: The Guardian, The Washington Post, Bloomber, DW/ konica.al