MENU
klinika

OBSH del me këtë thirrje të fortë

Mes frikës për valën e dytë të pandemisë dhe kohëzgjatjes së saj

22.08.2020 - 13:01

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e krahasoi virusin Sars-Cov2 me pandeminë e gripit spanjoll të vitit 1918, e cila përfundoi pas 2 vitesh, raporton “The Sun”.

OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) ka qenë gjithmonë e kujdesshme kur ka vlerësuar se sa shpejt mund të trajtohet pandemia, ndërkohë që nuk ka ende një vaksinë.

Por të premten, Tedros tha që globalizimi e lejoi virusin të përhapet më shpejt se gripi spanjoll në 1918-ën.

Ai shtoi se bota tani ka teknologjinë për ta ndaluar atë, gjë që nuk ekzistonte rreth 102 vjet më parë.

“Në situatën tonë tani, me më shumë teknologji dhe natyrisht me më shumë lidhje, virusi ka shanse më të mira për t’u përhapur, sepse ne jemi më të lidhur tani”,- tha ai për një konferencë në Gjenevë.

“Por në të njëjtën kohë, ne kemi gjithashtu teknologjinë dhe njohuritë për ta ndaluar atë. Shpresojmë ta përfundojmë këtë pandemi në më pak se dy vjet, veçanërisht nëse mund t’i bashkojmë përpjekjet tona.”

Tedros u bëri thirrje vendeve të përfshihen në “unitetin kombëtar” dhe “solidaritetin global”.

Shefi i urgjencave të “OBSH”, Dr. Michael Ryan vuri në dukje goditjen e pandemisë së vitit 1918 në tre valë të ndryshme, ku vala e dytë, e cila filloi gjatë vjeshtës së vitit 1918, ishte më shkatërruesja.

“Ky virus nuk po shfaq një model të ngjashëm me valën e vitit 1918,”- tha ai.

Ryan shtoi se ndryshe nga viruset pandemike që shpesh janë sezonale, duket se për Covid-19 nuk është e njëjta gjë.

Më shumë se 22.81 milion njerëz janë infektuar nga koronavirusi globalisht që kur Covid-19 u identifikua për herë të parë në Kinë, vitin e kaluar, dhe 793,382 kanë vdekur, sipas një raporti të “Reuters”.

Doktori thotë se rritja e rasteve është kryesisht për shkak të infektimit të të rinjve.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetit tha që rajoni i Ballkanit është një “pikë e nxehtë” për Covid-19 mes spekulimeve në rritje se Kroacia mund të shtohet në listën e kuqe.

Shifrat e reja kanë ngritur shqetësime për një valë të dytë që mund të godasë botën.