Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me hidhërim të thellë konfirmon humbjen e jetës së mjekut Anibal Byberi në spitalin “Shefqet Ndroqi”, si pasojë e Covid-19.
Sipas MSH, mjeku pneumolog 53-vjeçar, me origjinë nga Tropoja është konfirmuar pozitiv me virusin e rrezikshëm pak ditë më parë dhe vijonte trajtimin në banesë.
Pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, mjeku Byberi është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku pavarësisht ndihmës së menjëhershme të ofruar nga stafi mjekësor, fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e insuficencës së rëndë respiratore.
Po kështu MSH deklaron se mjeku Anibal Byberi vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti. Pas shumë vitesh punë në vendlindjen e tij, ka punuar për disa kohë si mjek në burgun 302, ndërsa aktualisht nuk ishte në punë, ndërsa këto ditë do të konkuronte në portalin “Mjekë për Shqipërinë”.