MENU
klinika

"Burri i mësueses time, një profesor i palodhur"

Ndahet nga jeta Kostaq Xoxa, Basha shpreh ngushëllimet

26.08.2020 - 07:03

Publicisti i njohur Kostaq Xoxa, është ndarë nga jeta ditën e sotme.

Lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Xoxas e ka bërë me dije historiani Kastriot Dervishi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dervishi shkruan se Xoxa që në moshë të vogël përjetoi vdekjen e vëllait, internimin dhe burgosjen e babait.

“Lamtumirë Kostaq Xoxa! Që prej ditës së sotme nuk është më midis nesh një prej penave më interesante të këtyre 30 vjetëve, publicisti krejt i veçantë në llojin e vet, eruditi Kostaq Zoi Xoxa (1931-2020). Qysh në moshë të vogël përjetoi vdekjen e vëllait, internimin dhe burgosjen e babait. Përjetësisht antikomunist i vendosur, i qartë dhe i lexuar, Kostaqi ka qenë për mua modeli i njeriut shembullor, te i cili kishe gjithmonë çfarë të mësoje. Do na mungosh, Koçi! (Foto e datës 5.4.2019)”, shkruan Dervishi.

Kreu I PD-së Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet e tij me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Basha thotë se Xoxe ishte një mësues i palodhur i shumë brezave në kryeqytet, si dhe një burim burim energjie dhe referencë se betejat për dijen dhe të drejtën gjithmonë ja dalin mbanë, me sado kundërshtarë të përballen.

Kreu I PD shprehet se Kostaq Xoxen e njihte personalisht, pasi ai ishte bashkëshorti I mësueses së tijn Margaritës, ndërsa shton se me largimin e Xoxes, ai ka humbur një mësues të vyer.

Postimi I plotë:

Mësova me hidhërim të thellë largimin prej nesh të Kostaq Xoxës, publicistit të njohur, gazetarit aktiv në shtypin e pasviteve ’90 dhe djalit të një prej themeluesve të shkollës së gazetarisë moderne të viteve ’30, Zoi Xoxës.

Emrin e Kostaq Xoxës e gjen si redaktor në dhjetëra libra me kujtime të të burgosurve politikë, e gjen si bashkautor në publikime të vyera mbi gjuhësinë, historinë dhe memuaristikën, e gjen edhe si aktivist të dorës së parë në shumë beteja për të drejtat që do ta afronin Shqipërinë me botën perëndimore. Qindra mijë lexues e kanë patur Kostaq Xoxën një këshilltar të dorës së parë në letërkëmbimet publike që ai mbante në shtypin e shkruar.

Profesor Kostaq Xoxa ishte një mësues i palodhur i shumë brezave në kryeqytet dhe një anëtar themelues i Shoqatës së të përndjekurve politikë dhe i gazetës së tyre “Liria”.

Me profesor Kostaqin kisha njohje personale, sepse ai ishte bashkëshorti i mësueses time Meritës. Shumë herë gjatë këtyre viteve në politikë, unë konsultohesha me këtë çift iluministësh, ata ishin burim energjie dhe referencë se betejat për dijen dhe të drejtën gjithmonë ja dalin mbanë, me sado kundërshtarë të përballen.

Me largimin e profesor Kostaqit, unë humba një mësues të vyer, kurse mësuesja ime Merita humbi njeriun e saj më të shtrenjtë.

Unë i gjendem pranë asaj dhe Nelit e Jetonit në këtë çast të dhimbshëm me bindje se ëndrra e Kostaq Xoxës që Shqipëria të bëhet vendi i së drejtës, vendi i denjë europian që ai dhe i ati i tij, publicisti Zoi Xoxa dëshironin, të bëhet sa më shpejt realitet. U prehtë në paqe!