Nga mënyra sesi zgjedhim në demokracinë indirekte, duke e deleguar të drejtën tonë, varet fati dhe i gjithë diskursi politik-legjislativ i katër viteve.
Gjithçka ndodh në harkun e një dite jete për një vdekatar shqiptar, koha kur zgjedhësi është thjesht faktor, pasi 24 orë më vonë, fati i tij përcillet në duar dhe në mëndje krejt të tjera. Këto të fundit, shpesh që nuk njohin as jetën, nevojat por edhe që nuk e dinë realisht tendencën e një publiku, që duhet të përfaqësojnë.
Sociologët mundohen të hedhin dritë dhe ndijnë gjithnjë me studime empirike por që mbështeten nga sondazhe në terren.
Politologët bëjnë abstragime duke marrë matrica politike, ide të shkuara dhe shumë koncepte politike e në fund duke bërë parashikime që zakonisht nuk përkojnë. Publiku, një ditë pas zgjedhjeve, nga protagonist kthehet në një tifoz i rëndomtë i dy platformave që kacafyten dhe për një legjislaturë të plotë: të bardhën e bëjnë të zezë dhe anasjelltas. Ku nuk ka moral, ku nuk ka pajtim. Kinse.
E tillë ka qenë udha në Shqipëri në këto 30 vite dhe me sa duket kështu do të vazhdojë edhe më vonë, pasi shenjat janë njësoj me zgjedhje të përfolura që tani. Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha duhet të ishte në burg, sipas të gjitha gjasave, me atë që bëri në vitin 1996, 1997 dhe premtimi për ta futur ishte një nga arsyet e malit me vota, të cilin morën të Majtët që krenoheshin me premtimet e tyre bombastike. Lulzim Basha, i akuzuar për “Rrugën e Kombit”, me një gjyq që nuk mundi të shkonte deri në fund për shkak të mënjanimit të procedurave, do të ishte po ashtu pas hekurave, por ja që sot mëton të jetë kryeministër dhe madje revanshin e tij do ta nisë paradoksalisht me një akt pikërisht nga “Rruga e Kombit”.
Kryeministri Edi Rama është kërcënuar të futet në burg për një mal me akuza që po i veshin tashmë të gjithë në opozitë dhe madje e bëjnë aq të qartë burgosjen e tij saqë një pjesë e publikut e sheh në projeksionin e të ardhmes me veshjen klasike të burgosurit me vija dhe më gjylen e hekurit që po tërheq pas vetes. Për të mos folur për presidentin e vendit Ilir Meta, që është tallur paq me drejtësinë, kur i përgjuar deri në detaje me skema ryshfeti arriti të shpëtojë (Kur nuk u provuan provat e qarta), e jo vetëm kaq por të ngrihet në postin më të lartë protokollar të shtetit. Rastet më të vogla janë aty. Por i ndjeri Gazidede, me zezonën që mori me vete, e mbylli jetën pa e parë institucionin ndëshkues, ashtu si shumë të tjerë që janë të akuzuar me emër e mbiemër për krime dhe grabitje në vend. A mos vallë ne i duam vetë këta personazhe? Duket se jeta po tregon se ne jetojmë dhe ne i pjellim si të nevojshëm këta shembuj. Dhe, ky quhet paradoksi i frikshëm yni, i një publiku që e ka gjithnjë e më të vështirë të gjykojë realisht prej çoroditjes dhe paditurisë.
“Kritikët e demokracisë së hapur kanë tendencë në shkrimet e tyre të bien në tre kategori. Disa syresh nuk janë bindur nga premisa se problemi është strukturor dhe ai lidhet me demokracinë e sotme përfaqësuese elektorale, mu edhe siç realizohet aktualisht. (Problemet tona mund të qëndrojnë diku tjetër: në sistemin arsimor, ose në pabarazinë në rritje.) Disa të tjerë e kundërshtojnë teorinë se ekziston një rezultat “më i mirë” në politikë, dhe se ne duhet të gjykojmë modele të tjera demokratike dhe rrugën sesa ato na ndihmojnë realisht të arrijmë atje. Dhe disa dyshojnë te vetë praktika e sotme, që tingëllon shkëlqyeshëm në letër, por që a mund të funksionojë vallë kur vihet në zbatim? “Basti im është që vetë-mashtrimi njerëzor dhe mendja e përgjakur gjithmonë do të dëshmohet më e fortë se dëshira jonë për të mësuar të vërtetat e duhura”, shprehet Christopher Achen, një profesor i politikës në Princeton, shkruan te “The future of democracy politics without politicians”, Nathan Heller.
Dhe, po i njëjti autor te New Jorker citohet duke thënë gati i dorëzuar se: “Historia njerëzore është përplot me ideale tërheqëse që doli të jenë të papërpunueshme ose thellësisht të rrezikshme kur u provuan”.
Në Shqipëri, poeti i madh Lasgush Poradeci e tha më thjesht, kur e pyetën dikur: Kur ne burgosëm…sepse realisht pak njerëz si ai e mendojnë shtetin si vetë jetën e tyre, përballë atyre që dënonin dhe ndaj e lanë edhe vetë të ngratin të jetonte si eremit?! Ne, me sa duket, i pjellim vetë këta monstra…/ Javanews