Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në mëngjes në Spitalin Attikon, të Athinës kur një pacient i shtruar aty, shqiptar, goditi me thikë një infermiere, duke e plagosur atë e më pas gjeti vdekjen.
Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një pacient 59-vjeçar, me origjinë shqiptare, i cili ishte operuar një javë më parë, ndërsa brenda 48 orëve të ardhshme ai do të dilte nga spitali. Kartela e tij mjekësore nuk përmend ndonjë histori të sëmundjeve mendore, shkruan Protothema, duke u përpjekur të shpjegojë ngjarjen e rëndë që ka ndodhur.
Ai ishte në një dhomë me katër shtretër dhe i binte ziles duke e thirrur infermierin për ndihmë. Ai po e priste me një thikë kuzhine pas derës dhe sapo ajo hyri e sulmoi atë, e hodhi në tokë dhe vazhdoi ta godiste me duar.
Infermierja është 32 vjeç, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo ka lëndime në kokë, gjoks dhe shpinë dhe gjendja e saj është e rëndë, por jo në rrezik për jetën. 59-vjeçari pastaj u ngjit në katin e 5-të, në klinikën e ortopedisë dhe u hodh nga lartësia duke gjetur vdekjen.