MENU
klinika

"Modeli i vjetër ekonomik, i dobët"

Pandemia dhe mendimi ekonomik në ndryshim

19.08.2020 - 12:08

Anastas Angjeli

Pandemia e COVID-19 dhe kriza ekonomike që ka përfshirë mbarë botën kanë nxitur debatin e mendimit ekonomik. Shumë çështje themelore po vihen ne diskutim. A duhet të rinisim nga e para? A po e përshpejton pandemia një rivlerësim të makroekonomisë? Ku po shkojmë? A jemi duke marrë një kthesë të madhe? A po ndryshon roli i bankave qendrore? Inflacion apo deflacion? Borxh dhe deficit në rritje? Si do zgjidhet problemi i papunësisë? Si do zbutet pabarazia dhe hendeku i shpërndarjes së të ardhurave midis shtresave të popullsisë? A do ndryshojë modeli ekonomik? A do të kemi një “Revolucion”? etj.

KRIZAT DHE NDRYSHIMI I MODELEVE MAKROEKONOMIKE

Krizat janë shoqëruar me ndryshim dhe evoluim të mendimit ekonomik, veçanërisht të modeleve makroekonomike. Vetë makroekonomia si model e ka zanafillën në vitin 1936, me publikimin “The General Theory of Employment, Interest and Money”, të John Maynard Keynes-it. Historia që pasoi mbrapa mund të ndahet në tri epoka. Epoka e Strategjisë, që u drejtua nga idetë e Keynesit, filloi në vitet 1940 (rol i madh i shtetit në ekonomi). Në vitet 1970, kjo epokë u has me problematika që nuk po gjenin zgjidhje. Kështu, “Modeli Keynesian u rrëzua” në vitet 1970. Inflacioni gjithnjë e në rritje dhe niveli i lartë i papunësisë i asaj dekade, i njohur si ‘stagflation’, i hutoi ekonomistët racionalë, të cilët mendonin se të dyja ndryshoret lëviznin thuajse përherë në kahe të kundërta. Në vitet 1980 filloi Epoka Monetariste, e cila lidhej më së shumti me punën e Milton Friedman-it. Një zbërthim i kritikës së Friedman-it ndaj modelit Keynesian kishte të bënte me faktin se, nëse politikëbërësit përpiqeshin të stimulonin pa u përballur me deficite strukturore themelore, atëherë ata do të rrisin inflacionin pa ulur papunësinë. Dhe atëherë, inflacioni do të vazhdojë të qëndrojë i lartë, thjesht sepse njerëzit prisnin një gjë të tillë. Politikëbërësit ishin në kërkim të diçkaje të re. Idetë monetariste të viteve 1980 frymëzuan Paul Volcker-in, që në atë kohë ishte drejtues i bankës “Federal Reserve”, ta shpartallonte inflacionin duke detyruar qarkullimin e parasë, edhe pse duke vepruar kështu shkaktoi një recension që solli një rritje marramendëse të numrit të papunësisë.

Në vitet 1990 dhe 2000, ekonomistët ndërthurën intuitën e të dyja qasjeve. Sot, për shkak të mbetjeve të lëna nga pandemia koronavirus, një epokë e re ka filluar. Çfarë përmban ajo? Në vitet 1990 dhe 2000 u shfaq një sintezë e modelit Keynesian dhe atij Friedman.

Kjo sintezë, si përfundim këshillonte një regjim të politikave, i njohur gjerësisht si “shënjestrim i një inflacioni të lakueshëm”. Synimi qendror i këtyre politikave ishte arritja e një inflacioni të ulët dhe të qëndrueshëm, ndonëse kishte hapësira tek-tuk gjatë rënieve ekonomike për të vendosur punësimin të parin, edhe pse inflacioni ishte tej mase i lartë. Mjeti kryesor i menaxhimit ekonomik ishte rritja dhe ulja e normave afatshkurta të interesit. Pavarësia e bankave qendrore nga qeveritë siguronte që ato të mos binin në kurthet e inflacionit, për të cilat kishte paralajmëruar Friedman. Politika fiskale, si një mënyrë për të menaxhuar ciklin e biznesit, ishte lënë mënjanë. Detyra e politikës fiskale ishte që ta mbante borxhin publik të ulët dhe të rishpërndante të ardhurat në atë shkallë dhe në atë mënyrë që u dukej e përshtatshme politikanëve. Tanimë, dukej sikur ky model ekonomik dominues i kishte arritur limitet e veta.

Fillimisht filloi të lëkundej pas krizës financiare të viteve 2007- 2009, duke qenë se politikëbërësit po përballeshin me dy probleme të mëdha. Problemi i parë kishte të bënte me nivelin e kërkesës në ekonomi. Për të luftuar rënien, bankat qendrore prenë normat e interesit dhe futën masat e Lehtësimit Sasior (LS), që janë pjesë e politikës monetare jokonvencionale, domethënë lehtësimi i përvetësimit të parasë për të blerë obligacione. Por, edhe me politika të posaçme monetare, rimëkëmbja nga kriza ishte e ngadaltë dhe mori një kohë të gjatë. Rritja e GDP-së ishte e dobët. Si përfundim, tregjet e punës lulëzuan, por inflacioni qëndronte i fshehur. Fundi i viteve 2010 përfaqësonin njëkohësisht vitet 1970 të sjella në një frymë të re dhe kundër viteve 1970: inflacioni dhe papunësia nuk po shkonin sikur ishte menduar, ndonëse kësaj here ishin habitshëm të ulëta. Një gjë e tillë vuri në dyshim njohuritë e marra në lidhje me mënyrën e drejtimit të ekonomisë. Bankat qendrore u përballën me një situatë, ku norma e interesit që duhej të gjeneronte mjaftueshëm kërkesa, ishte nën zero. Lehtësimi Sasior ishte një mjet alternativ i politikave për kapërcimin e problematikave, por efektshmëria e saj u bë objekt diskutimesh. Sipas një artikulli shkencor të botuar në korrik nga Michael Woodford dhe Yinxi Xie nga Universiteti i Columbias, “pas ngjarjeve të ndodhura gjatë periudhës së krizës financiare në vitin 2008, ka qenë i domosdoshëm një rivlerësim domethënës i besimit konvencional të mëparshëm, sipas të cilit vetë politikat e normave të interesit … duhet të mjaftojnë për të ruajtur stabilitetin e makroekonomisë”.Problemi i dytë pas krizës financiare lidhet me shpërndarjen. Ndërsa shqetësimet që lidheshin me kostot e globalizimit dhe automatizmin ndihmuan në përkrahjen e politikave populiste, ekonomistët pyesnin se për interesat e kujt po punonte kohët e fundit kapitalizmi. Rritja e papritur e pabarazisë amerikane pas vitit 1980 u kthye në qendër të pjesës më të madhe të kërkimeve ekonomike. Disa shqetësoheshin se mos firmat e mëdha ishin bërë tej mase të fuqishme; të tjerët druheshin se mos një shoqëri e globalizuar ishte tej mase thumbuese apo se mos mobiliteti social ishte në rënie. Disa argumentonin se rritja ekonomike strukturalisht e dobët dhe keqshpërndarja e përfitimeve të aktivitetit ekonomik ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Të pasurit janë më të prirur të kursejnë sesa të shpenzojnë, pra, nëse shpërndarja e të ardhurave rritet, atëherë edhe kursimet e përgjithshme rriten. Ndërkaq, bankat qendrore po përballeshin me akuzat e shtypit, i cili i akuzonte ato se normat e ulëta të interesit dhe politika e Le htësimit Sasior po rrisnin pabarazinë përmes fryrjes së çmimeve të shtëpive dhe aksioneve.

Gjithashtu, po bëhej gjithmonë e më e qartë se si stimuli ekonomik mund t’u sillte të mira të varfërve nëse bënte të mundur që papunësia të ulej mjaftueshëm, aq sa të mund të rriteshin pagat e njerëzve me të ardhura të ulëta. “Po kuptojmë qartazi se kjo rimëkëmbje e gjatë po u sjell tanimë dobi komuniteteve me të ardhura të ulëta dhe mesatare në një nivel të tillë, i cili kishte dekada të tëra pa u parë”, u shpreh në korrik të vitit 2019 Jerome Powell, drejtuesi i “Federal Reserves”. Besimi gjithnjë e në rritje në fuqinë e rishpërndarjes së një ekonomie në kulmin e lulëzimit të saj vuri theksin në rëndësinë e gjetjes së mjeteve të reja për të zëvendësuar normat e interesit, me qëllim mundësimin e menaxhimit të ciklit të biznesit.

KRIZA E PANDEMISE PO NA DREJTON “NE NJË TJETËR KTHESË”

Coronavirus godet papritur. Zinxhirët e furnizimit dhe prodhimit u goditen fort dhe duke qenë se të gjithë ishim në të njëjtën varkë, e gjithë kjo do të shkaktonte një fryrje të çmimeve, për shkak se ishte i vështirë sigurimi i materialeve bazë dhe produkteve përfundimtare. Por, ndikimi i pandemisë ka qenë më i dukshëm në krahun e ‘kërkesës’, duke shkaktuar pritshmëri për inflacion të mëtejshëm dhe për rënie të mëtejshme të normave të interesit. Dëshira për investim ka rënë ndjeshëm, ndërsa njerëzit e vendeve të pasura janë duke kursyer sot shumicën e të ardhurave të tyre.

Pandemia ka nxjerrë gjithashtu në pah dhe i ka thelluar edhe më tej pabarazitë në sistemin ekonomik. Jakat e bardha mund ta zhvillojnë më së miri punën e tyre nga shtëpia, kurse punëtorët ‘thelbësorë’ duhet ose ta ndërpresin atë përkohësisht, ose të vazhdojnë punën e tyre në terren, në këtë mënyrë ata janë njerëzit më tepër të ekspozuar ndaj rrezikut të shkaktuar nga Covid-19. Gjetja e mënyrave të reja për të bërë të mundur sërish punësimin e plotë u kthye edhe një herë në prioritetin kryesor të ekonomistëve. Por, si mund të realizohet një gjë e tillë? Disa argumentojnë se Covid-19 ka hedhur poshtë disa frikëra të gabuara se politikëbërësit nuk mund t’i luftojnë dot rëniet në ekonomi. Këtë vit, vendet e pasura kanë deklaruar një stimul fiskal me vlerë rreth 4.2 trilionë dollarë. Ky stimul i jashtëzakonshëm i ka qetësuar tregjet, ka bërë të mundur mosrrënimin e bizneseve dhe ka ruajtur të ardhurat e familjeve. Veprimet e fundit të ndërmarra në kuadër të politikave “na paraqesin me një libër vërejtjesh për sa i përket idesë se bërësit e politikave mund të zhvishen nga rezervat”, argumenton Erik Nielsen i Bankës Unicredit. Kështu që, mbetet ende në pikëpyetje se kë duhet të shpëtojnë, kush duhet ta ndërmarrë veprimin dhe cilat do të jenë pasojat. Ekonomistët dhe politikëbërësit mund të ndahen në tri linja mendimi, nga më pak radikalja te më radikalja:

1-Linja që bën thirrje vetëm për më tepër guxim. Përkrahësit e kësaj linje shprehen se, për aq kohë sa bankat qendrore janë në gjendje të presin kartëmonedha për të blerë asete, ato munden gjithashtu të nxisin rritjen ekonomike dhe inflacionin. Disa ekonomistë argumentojnë se bankat qendrore duhet ta bëjnë këtë deri në atë masë, sa për të rimëkëmbur rritjen ekonomike dhe për të arritur normat e dëshiruara të inflacionit. Nëse ato dështojnë, kjo gjë ndodh jo për shkak se atyre iu kanë mbaruar ‘municionet’, por sepse nuk po përpiqen aq sa duhet

Jo shumë kohë më parë, bankierët qendrorë ndoqën këtë linjë mendimi, duke këmbëngulur se ato ende i kanë mjetet për të ngadhënjyer në punën e tyre. Në vitin 2013, Japonia, e cila ka më tepër përvojë se çdo vend tjetër për sa i përket zhvillimit të ngadaltë dhe rasteve të inflacionit llahtarisht të ulët, caktoi një bankier qendror ekstremist, Kuroda Haruhiko, për të drejtuar Bankën e Japonisë (BOJ). Ai ngadhënjeu në lulëzimin e punësimit, por jo në normën e inflacionit në nivelin që kishte premtuar. Pak para shpërthimit të pandemisë, Ben Bernanke, ish-drejtues i Bankës Fed, argumentoi në një fjalim për “American Economic Association” se potenciali për blerjen e aseteve nënkuptonte se vetë politika monetare do ishte mëse e mjaftueshme për të luftuar recesionin.

2-Linja që i kthen sytë nga politikat fiskale.(TË QËNDROSH NË KORNIZAT E NDIHMËS EKONOMIKE). Një gjë e tillë e vendos pjesën dërrmuese të bankierëve qendrorë në shkollën e dytë të mendimit, që bazohet në politikën fiskale. Përkrahësit e kësaj linje e vënë në dyshim bindjen që blerjet e aseteve nga bankat qendrore mund të sjellin stimuj ekonomikë të pakufishëm, ose i shohin këto blerje si të rrezikshme ose të padrejta – ndoshta, për shembull, për shkak se blerja e borxhit të një korporate mban gjallë kompani që duhet të gëzojnë të drejtën të falimentojnë. Do të ishte më mirë që qeveria të nxiste shpenzimet ose të shkurtonte taksat, me deficitet buxhetore që po gllabërojnë tepricat e kursimeve të mundësuara nga sektori privat. Ky këndvështrim nuk e përjashton rolin e bankave qendrore, por i mënjanon disi ato. Ato kthehen në mundësues të stimujve fiskalë, funksioni kryesor i të cilëve është mbajtja për një periudhë edhe më të gjatë të borxhit publik në një nivel të ulët, ndërsa deficitet buxhetore rriten. Kjo gjë mund të realizohet prej tyre ose përmes blerjes të sa më shumë obligacioneve, ose përmes stabilizimit për një periudhë kohore të shkurtër të normave të interesit, duke i çuar afër zeros, sikurse vepron sot disa Banka Qendrore. Por jo gjithkush është i lumtur për këtë. Ata që përkrahin mendimet Keynesian-e, si Adair Turner, një ish-rregullator financiar britanik, duan që financimi monetar në kuadër të stimulit fiskal të kthehet në një politikë fikse, një ide kjo e njohur si “vërshim i parave nga lart (helicopter money)”. Programet për stimul fiskal të stërmadh lënë të kuptohet se dallimet mes nivelit të ‘borxhit publik’ dhe atij të GDB-së po rriten. Sërish, një gjë e tillë nuk i alarmon seriozisht ekonomistët. Kjo ndodh për shkak se normat e ulëta të interesit sot bëjnë të mundur që qeveritë të shlyejnë borxhe publike më të larta. Nëse normat e interesit qëndrojnë më të ulëta se rritja nominale ekonomike – për shembull, përpara se të përgatiten për inflacionin – atëherë një ekonomi mund të dalë nga borxhi pa pasur nevojën për të tejkaluar buxhetin e saj, një pikë kjo e nënvizuar nga Olivier Blanchard-i i Peterson Institute for International Economics, një grup ekspertësh. Një tezë tjetër argumentimi mund të zhvillohet duke thënë se bankat qendrore mund të vazhdojnë të financojnë qeveritë për aq kohë sa inflacioni qëndron i ulët, për shkak se në fund të fundit, është perspektiva e inflacionit që i detyron politikëbërësit të rrisin normat në ato nivele që e bëjnë borxhin të kushtueshëm.

Për disa, ideja e lirimit të rubinetit fiskal deri në fund dhe vënia e Bankës Qendrore në shërbim të përmbushjes së këtij qëllimi ngjan me Teorinë Moderne Monetare (TMM). Kjo është një teori ekonomike heterodokse që u bën thirrje vendeve, të cilat e presin vetë monedhën e tyre (si Amerika dhe Britania) që ta injorojnë dallimin mes ‘borxhit publik’ dhe GDB-së, të mbështeten te Banka Qendrore për të ndihmuar borxhin publik dhe të vazhdojnë të merren me deficitin e krijuar nga shpenzimet e qeverisë derisa papunësia dhe inflacioni të kthehen në gjendje normale.

Ekziston një ngjashmëri midis kësaj shkolle mendimi dhe Teorisë Moderne Monetare, e njohur si MMT (Modern Monetary Theory). Kur normat e interesit janë zero, nuk ekziston asnjë dallim midis marrjes së një borxhi (që në një rast tjetër do të sillte kosto interesi) dhe me prodhimin e kartëmonedhave (gjë e cila, sipas librave të studimit nuk po sjell kosto interesi). Kur norma e interesit është zero, “nuk ka më rëndësi nëse financimi kryet me para apo përmes borxhit”, u shpreh z. Blanchard gjatë një takimi në “Webinar”. Mirëpo, krahasimi mbaron këtu. Ndërsa ata që mbështesin TMM-në duan që Banka Qendrore të kujdeset që normat e interesit të jenë në nivelin zero, ekonomistët e tjerë që ndjekin një linjë tjetër mendimi mbështesin zgjerimin e politikës fiskale, pikërisht sepse duan që normat e interesit të rriten. Kjo gjë, nga ana tjetër, bën të mundur që politika monetare të rifitojë mbështetjen e duhur.

Linja e tretë e mendimit, ajo që thotë se zgjidhja qëndron në normat negative të interesit, është më radikalja. Ajo shqetësohet se si normat e interesit të mbeten nën normat e rritjes ekonomike, sikurse ka pohuar z. Blanchard. Përkrahësit e saj e shohin stimulin fiskal, qoftë ky i financuar nga borxhi apo nga prodhimi i kartëmonedhave nga Banka Qendrore, me dyshim, pasi të dyja rastet përkthehen në fatura që duhet të shlyhen në të ardhmen. Me fjalë të tjera, një bankë qendrore që prodhon kartëmonedha për të financuar stimulin, në gjuhën ekonomike, është duke bërë diçka çuditërisht të ngjashme me një qeveri që zhytet në një borxh të vazhdueshëm. Dhe bankat qendrore janë në fund të fundit pjesë e qeverisë.

Një shqetësim tjetër lidhet me faktin se në dekadat e ardhshme, qeveritë do të përballen me më tepër presion në lidhje me buxhetin, për shkak të shpenzimeve që do të vijnë nga pensionet dhe nga kujdesi ndaj shëndetit që lidhen me plakjen e popullsisë, nga investimet për të luftuar ndryshimin klimaterik dhe çdo katastrofë tjetër të natyrës Covid-19. Mënyra më e mirë për të nxitur ekonomitë sot dhe nesër nuk është duke krijuar fatura të panumërta, për t’u paguar në çastin kur normat e interesit të rriten sërish. Mënyra më e mirë është duke i mbajtur normat e interesit në nivel negativ. Normat negative të interesit u parashtrojnë probleme njëkohësisht bankave dhe sistemit financiar. Në një artikull të botuar në vitin 2018, Markus Brunnermeier dhe Yann Koby i Universitetit Princeton, argumentonin se ekziston një “normë interesi kundërvepruese”, sipas së cilës çdo shkurtim i normave të interesit frenon në të vërtet dhënien e huave nga bankat, duke dëmtuar kështu ekonominë në vend që ta zhvillojë atë.

Politikëbërësit kanë peshuar tashmë rreziqet që duhet të ndërmarrin në botën paspandemike, si: shtrirjen e ndërhyrjes së Bankës Qendrore në tregjet e pasurive, rritjen e vazhdueshme të borxhit publik dhe shkundjet (shake-up) në sistemin financiar. Sidoqoftë, një numër gjithnjë e në rritje i ekonomistëve druhen se mos edhe këto ndryshime radikale nuk janë të mjaftueshme. Ata argumentojnë se ekzistojnë probleme edhe më të thella se aq, të cilat mund të zgjidhen përmes reformës strukturore. Një artikull i ri i botuar nga Atif Mian i Universitetit Princeton, Ludwig Straub i Universitetit Harvard dhe Amir Sufi i Universitetit të Çikagos (University of Chicago) zhvillon idenë se pabarazia dobëson kërkesën në ekonomi. Sikurse pabarazia krijon nevojën për stimul, argumentojnë ata, stimuli në fund krijon edhe më tepër pabarazi. Kjo ndodh për shkak se i lë ekonomitë në më shumë borxhe, ose sepse normat e ulëta të interesit nxisin familjet ose firmat të marrin hua, ose sepse qeveria po haset me deficite. Si borxhi publik dhe ai privat transferon të ardhura tek investitorët e pasur që e zotërojnë borxhin, duke bërë kështu që kërkesa dhe normat e interesit të vazhdojnë të dobësohen.

Prirjet laike të dekadave të fundit të pabarazisë në një shkallë edhe më të lartë, dallimet e thella midis borxhit publik dhe GDB-së dhe normat e interesit gjithmonë e më të ulëta, forcojnë sakaq njëra-tjetrën. Autorët argumentojnë se shmangja e këtij kurthi “kërkon që vëmendja të përqendrohet në politikat makroekonomike më pak standarde, si ato që fokusin e kanë në rishpërndarjen ose në pakësimin e burimeve strukturore të pabarazisë së lartë”.

Shumë ekonomistë duan pikërisht një lloj ndërhyrje “revolucionare”, gjë e cila paraqet rreziqe të dukshme. Qeveritë që tashmë mbajnë borxhe të mëdha mund të pretendojnë se shqetësimi për deficitet është për frikacakët dhe se pavarësia e Bankës Qendrore nuk është e rëndësishme. Një gjë e tillë mund të shkaktojë në fund inflacion të lartë. Reformat në sektorin financiar mund të dështojnë. Rishpërndarja gjithëpërfshirëse mund ta frenojë rënien ekonomike, mirëpo taksat e larta mund ta frenojnë në po të njëjtën mënyrë punësimin, sipërmarrjen, teknologjinë e re dhe inovacionin.

Prandaj, rivlerësimi i shkencës ekonomike përbën në vetvete një mundësi. Ajo çfarë mund të thuhet me siguri është se modeli i vjetër ekonomik duket i dobët. Në një mënyrë ose në një tjetër, ndryshimi do të vijë. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për atë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Angjeli dhe Civici: Çfarë duhet të bëjë qeveria?

Efektet e COVID/ Ekonomia “ringrihet” në fund të 2021


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!