MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Presidenti, na tregon “pasuritë” natyrore nga fb

25.08.2020 - 16:40

Nga Artur Ajazi

Presidenti vendit Ilir Meta, ka nisur të vërë alarme të shumta ditët e fundit, a thua nuk ka jetuar asnjë ditë në Shqipëri, a thua nuk ka qenë asnjë ditë pushtetar, kryeministër, zv/kryeministër, ministër, dhe kryetar partie. “Po ikin mjekët, po ikin të rinjtë, po ikin intelektualët, po tkurret popullsia”, madje po i vjen keq edhe për malet e Shqipërisë. Besoj pa harruar malin Tomorr.

Po ku ishit ju zoti Meta, kur shqiptarët nisën të emigrojnë, kur shqiptarët nisën të shkojnë dhe të vijnë, kur pushtetarët e djeshëm nisën të bëjnë para me thasë, nisën ti qepen fushave, maleve deteve dhe lumenjve, për ti shitur dhe blerë, për tu bërë pasanikër?

Natyrisht , këtu ishit, me poste të rëndësishme madje, në vende kyçe, nga ku nuk folët asnjëherë për “ikjen e trurit, tkurrjen e popullsisë, largimin e rinisë, apo dhe rrënimin e bukurive natyrore”. Nuk folët edhe kur shihnit dhe rrinit nga afër me ata që çfarë nuk bënë, dhe çfarë nuk i grabitën pushtetit dhe tokës së kësaj Shqipërie.

Mirëpo nuk e di, përse muajt e fundit, jeni bërë më “atdhetar”, më “bujar dhe natyrëdashës”, duke nxjerrë dhe postuar si asnjë tjetër kryetar shteti nga fb, pjesë të eskursioneve dhe fundjavave tuaja në malet dhe fushat e begata të vendit. Mirë e bën zoti Meta, që na tregon se ke kthyer mëndje, se je bërë më “patriot” se paraardhësit tuaj, se je bërë më “nikoqir” me dekretimet edhe pse Parlamenti të ka hequr disa “të drejta”.

Por me vargjet për “bukuritë natyrore” dhe me “ftesat për rikthimin e rinisë në atdhe” ke nisur të dukesh fiks, si rilindasit e shekullit të kaluar. Bukuritë natyrore zoti Meta, kanë nisur të shpërfytyrohen, ditën kur në bregdetet tona dhe pyjet pranë tyre, nisën të hedhin shtat vilat, pallatet, fshatrat turistike, apo dhe resortet e “të mëdhenjve”, ditën kur firmat dhe kompanitë që përkraheshin dhe përkrahen nga ata që kanë 30 vjet që janë dhe kanë pushtet, nisën kasaphanën ndaj vijës bregdetare, ndaj lumenjve, apo dhe ndaj maleve duke i kthyer në kantiere pune dhe burim milionash.

Nuk mbaj mënd, të keni folur ndonjëherë zoti Meta asokohe, kur kishit dhe ishit në pushtet, qoftë me Nanon, apo dhe Berishën, nuk folët asnjëherë për pallatet që shpërfytyruan Durrësin, Vlorën, Sarandën, Shingjinin, apo dhe për buldozierët që po gllabëronin malet dhe po i shesin gurët e tyre të çmuar në Europë. Këto kanë nisur dhe janë bërë edhe në kohën tuaj zoti Meta, madje po bëhen akoma dhe sot nën hijen e pushteteve të dikurshme.

Por ti mirë bën zoti Meta, mirë bën që “ngre zërin” për këto gjëra, sepse ndoshta të vlejnë më shumë se kujdo, edhe për fushatën e ardhshme, natyrisht për kredo politike. Gjithsesi, besoj se edhe të rinjve të përvitshëm të LRI-së në Jalë, duhet tu tregosh diçka, apo tu thuash të mos largohen nga vendi, gjithmonë duke mos përdorur “statistikat e 2013” por ato të 2020 zoti Meta. Ndoshta të besojnë.