MENU
klinika

Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë

“Procesi, rrugëtimi i PD drejt pushtetit”/ Nishani: Jemi në një kolaps total!

03.08.2020 - 14:53

Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërsa foli për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, tha se kjo “është rrugëtimi i PD-së drejt pushtetit”.

Ai u shpreh se ky proces është një nga ato hallka që do të sjellë më shumë besim tek qytetarët.

“Ky është një proces shumë demokratik. PD është një klub politik. Procesi ka impakt në ardhmërinë e institucioneve. Procesi i rizgjedhjes është rrugëtimi i Partisë Demokratike drejt pushtetit. Kriteret nuk kanë pse shpiken, një gjë e tillë duhet bërë në cdo shoqëri normale perëndimore. Janë disa hallka dhe kjo është një nga ata hallka, për të sjellë më shumë besim tek qytetarët. Lista e kandidatëve do i rikthehet bazës. Pas kryerjes së veprimeve nga Komisioni, do të kalojnë emrat që janë më të mirët. Baza është nga PD, ndërsa përfaqësimi mund të jetë edhe përtej Partisë Demokratike. Miratimi i Listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë do të miratohet nga Kryesia e Këshillit Kombëtar të PD”, tha Nishani.

Sipas Nishanit shqiptarët kanë nevojë për një ndryshim të thellë politik.

“Shqiptarët nuk kanë nevojë për rotacion politik, por kanë nevojë për një ndryshim të thellë. Shqiptarët nuk mund të ndalohen në jetësimin e këtij vullneti. Ndryshimi i Kushtetutës është qesharak. 5 qershori mbetet për t’u respektuar nga të gjithë aktorët. Është qesharake që ndryshohet Kushtetuta për 1 minutë. Ne do i qëndrojmë 5 qershorit. Ne jemi sot në një kolaps total. Prioriteti është ndryshimi i realitetit që kemi, ndaj PD ka formësuar bllokun e saj politik për fitore. Ne e konsiderojmë angazhimin si formë sakrifice. Ne duam të vendosim ekuilibrat”, tha Nishani.

I pyetur në lidhje me situatën nga koronavirusi, Nishani deklaroi se në këtë periudhë ka pasur tendenca për abuzime me pushtetin.

“Duhet të tregojmë kujdes që të gjithë, në mënyrë që edhe ata që janë target, të mos preken. Në këtë kohë, duhet që të mos ketë abuzime politike. Është koha të dëgjojmë profesionistët seriozë dhe jo ata që veprojnë në bazë të pasioneve të caktuara politike. Pandemia do të tejkalohet, por duhet kohë. Duhen lënë pas tendencat negative për përfitimet e vogla”, u shpreh Nishani.