MENU
klinika

Preç Zogaj

Pse Biden pritet të jetë mbështetësi i kauzave të mëdha shqiptare nëse fiton zgjedhjet

30.08.2020 - 15:43

Nga Preç Zogaj

Kësaj jave ishte radha e Partisë Republikane të mbante Konventën e saj tradicionale për të nominuar kandidatin për President të SHBA-së në zgjedhjet e muajit nëntor. Që dihej se do të ishte Presidenti Donald Tramp. Virtuale njëlloj si Konventa analoge e demokratëve javën e shkuar, Konventa republikane i përmbushi të gjitha pritshmëritë e ngjarjes politike të nivelit të lartë dhe të spektaklit që shoqëron kurdoherë këto “ mesha të mëdha”, siç quhen shpesh në mënyrë figurative. Familja e Presidentit Tramp, gruaja, fëmijët dhe të afërm të tij dolën para amerikanëve në imazhin beautiful për të folur e mbështetur njeriun e tyre me të dashur.

Zëvendëspresidenti Mike Pence, kryetari republikan i grupit të shumicës në Kongres dhe ai i pakicës në Senat, sikurse ish kryetari famshëm i bashkisë së Nju Jorkut, Rudolf Giuliani, folën dhe asistuan rinominimin e Trampit. Ndërkohë që munguan, siç edhe pritej, emra të shquar shtetarësh e zyrtarësh që kjo parti e së djathtës konservarore i ka dhënë Amerikës në periudha të ndryshme. Si dikush që zbriti në politikë me flamurin antiestablishment, Tramp ka qenë në distancë, që në krye të herës me mjaft prej figurave të panteonit republikan. Por ia ka dalë ta mbajë rreth vetes elektoratin konservator dhe dora-dorës të marrë nën kontroll partinë.

Në Konventën e kësaj jave ra në sy një miksim i pazakontë i unikalitetit të Presidentit me termat identitare të së djathtës republikane, siç është qëndrimi kundër abortit, përshembull. Një prej rubrikave të spikatura të Konventës ishte manifestimi me thekse të veçanta i antiracizmit, në kontekstin e protestave dhe trazirave të dhunshme që kanë përfshirë shumë qytete të SHBA pas vrasjes nga policia të , George Floyd në maj të këtij viti dhe disa afroamerikanësh të tjerë. SHBA është antiraciste në nivelin e institucioneve dhe forumeve të larta të dy partive të saj kryesore. Ky është një mesazh i fortë që u drejtohet individëve dhe grupeve ekstremiste, por edhe kundër frymës raciste në përgjithësi. Mesazhi shkon në favor të bashkimit dhe bashkëjetesës në diversitet të qytetarëve amerikanë dhe mbarë botës. Në ndërhyrjen e tij, zëvendëspresidenti Pence e formuloi me dy fjalë qëndrimin në lidhje me protestat që janë shoqëruara me akte dhune e shkatërrime: Ligj dhe rregull. Disa analistë kanë vlerësuar se ashtu si dikur në kohën e Presidentit Nikson, premtimi për vendosjen e rregullit mund të rrisë mbështetjen elektorale për Presidentin Tramp. Fakti është se gjatë tre ditëve të para të Konventës republikane diferenca mes Biden dhe Tramp është ngushtuar me një pikë sipas sondazheve, nga katër pikë që ishte para një jave.

Momenti kulmor i Konventës ishte ndërhyrja e Presidentit Tramp të enjten në mbrëmje. Ai i vlerësoi zgjedhjet e nëntorit si më të rëndësishmet në historinë e SHBA-së. “Asnjëherë më parë zgjedhësit nuk janë përballur me një zgjedhje më të qartë mes partive, dy vizioneve, dy filozofive ose dy agjendave”, theksoi ai, duke shtuar: “Këto zgjedhje do të vendosin nëse ne do të shkojmë të shpëtojnë ëndrrën amerikane apo do të lejojnë një program socialist të shkatërrojë fatin tonë”. Tramp tha për rivalin e tij Biden se është një kalë troje i së majtës radikale. Fitorja e Biden, përsëriti ai, do t’ja dorëzojë Amerikën Kinës.

Temat e ekonomisë, pandemisë, rendit publik, politikës së jashtme , ëndrrës amerikane sipas kuptimit që kanë rivalët për përmbajtjen e saj- të gjitha këto e të tjera pritet t’i japin tonin në epilogun e saj fushatës elektorale me të rëndësishme të botës. Zgjedhësit amerikanë do të vendosin kush do të fitojë. Ata që nuk votojnë në SHBA, por janë të përfshirë shpirtërisht në këtë ngjarje të madhe, kanë arsye të gëzohen prej faktit se SHBA vazhdon të jetë modeli i konfrontimit demokratik të partive dhe kandidatëve rivalë për marrjen, lëshimin apo mbajtjen e pushtetit. E treguan qartë edhe njëherë, pavarësisht retorikës dhe toneve, dy konventat e dy javëve të fundit. Do ta dëshmojnë po aq bindshëm tre debatet që do të kenë mes tyre deri në zgjedhje rivalët Tramp dhe Biden. Dalja e tyre në debate ndriçon me një dritë të fortë demokracitë hibride apo të shtirura ku liderët e vetprojektuar si të përjetshëm nuk debatojnë kurrë me rivalët, madje marrin masa t’i burgosin, t’i dëbojnë nga vendi, t’i helmojnë, t’u vjedhin votat, e tjerë e tjerë. SHBA janë antipodi i këtij shëmtimi, janë shpresa dhe siguria se ky shëmtim nuk do të sundojë botën.

Siç e nënvizova në shkrimin e javës së shkuar, përkundrejt presidencialeve në SHBA, anësitë politike të njerëzve të interesuar këtu në Shqipëri ndjekin në përgjithësi projektimin e spektrit amerikan në spektrin shqiptar: të majtët me demokratët, të djathtët me republikanët. Tradicionalisht, Partia Demokrate në SHBA është liberale, Partia Republikane është konservatore. Brenda tyre ka individë e korente të skajeve që janë socialistë apo ultradjathtistë, por në bosht janë siç e thashë dhe takohen qoftë në atashimin pas ëndrrës amerikane të lirisë, qoftë në sensin e fortë të shtetit dhe të drejtave. Dallimet mes tyre kanë rrënjë të shëndetshme ideologjike dhe kulturore. Në këtë kontekst, projektimi i spektrit amerikan në spektrin e ri shqiptar, ku dallimet mes partive më shumë simulohen sesa janë organike, është një gjë tepër e sforcuar. Dhe e cekët, sigurisht. E gjithë kjo vjen e bëhet akoma më e ngatërruar kur shohim se mënyra si artikulon dhe si u qaset disa temave presidenti i djathtë Tramp është afër qasjeve dhe mënyrave si artikulon kryeministri ynë i majtë, Rama. Po të mos e kishin njohur Ramën përpara zgjedhjes së Trampit president, do të thoshnim për të se është një imtitues dhe madje plagjiat i Trampit në aspektet që përmenda më lart. Mirëpo në e dimë se Rama e ka përdorur retorikën trampiste shumë përpara se Tramp të bënte deklarata si ajo e pardjeshmja, përshembull kur tha se “ne kemi shpenzuar këto katër vitet e fundit për të rekuperuar dëmet që Joe Biden ka bërë dyzet e shtatë vitet e fundit”.

E thonë bukur në librin e tyre “Drita që u shua”, Stephen Holmes e Ivan Krastev: Udhëheqësit iliberale apo autoritaristë nuk e imitojnë Trampin se duan të bëhen si Trampi, por ngase Tramp u jep mundësi që ata të jenë vetvetja.

Sidoqoftë rreshtimet ndaj presidencalevce amerikane në Shqipëri janë një kënaqësi, një argëtim. S’ka asgjë të keqe. E pakuptimtë dhe e keqe është “lufta” deri me nxjerrje sysh “ pse ti je me këtë dhe nuk je me atë” sikur po debatojnë për partiakët shqiptarë. Ajo që u intereson shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e kudo ku jetojnë është një SHBA demokratike dhe misionare në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe të drejtave themelore në botë. Kjo SHBA misionare na ka shpëtuar nga strategemat e shpërbërjes dhe zhdukjes si komb, na ka bërë shtete, na ka siguruar e na siguron të shkojmë përpara. Qoftë kur ka në Shtëpinë e Bardhë presidentë demokratë , qoftë kur ka republikanë. Ndaj duke qëndruar sekush në simpatitë a tifon e vet për kandidatin, kriter i shëndoshë qëndrimi, rreth të cilit duhet të jemi të bashkuar, është pikërisht misionarizmi amerikan, një prani dhe një politikë e jashtme aktive e Uashingtonit në rajon dhe dhe me gjerë. Secili President, nga Bushi Plak e këndej, pa shkuar me thellë në histori, ka regjistruar maja të misionarizmit në të mirë të kombit shqiptar.

Në shkrimin e kalur rendita disa “rekorde” proshqiptare të kandidatit Biden, që na sigurojnë se ai do të jetë një mbështetës i madh i kauzave shqiptare nëse fiton zgjedhjet. Përgjatë mandatit të parë të Presidentit Tramp, pavarësisht se zhvillimet e brendshme në SHBA dhe në stafet e Presidentit kanë qenë të pazakonshme, marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë dhe çështja shqiptare kanë hedhur hapa që shkojnë në drejtimin e shënuar nga politika konstante shumëvjeçare e parneritetit strategjik. SHBA kanë vazhduar të mbajnë në shina dhe të shtyjnë përpara drejt hedhjes në veprim refomën në drejtësi. Këtë e kanë bërë përmes ambasadorit të mëparshëm, Donald Lu, të emëruar nga presidenti Obama, vazhdojnë ta bëjnë përmes ambasadoreshës së tanishme, Juri Kim, emëruar nga Presidenti Tramp.

Ndihmës zëvendësekreari i shtetit, zoti Palmer, njeherësh i ngarkuar i posaçëm i Presidentit Tramp për rajonin, ka ndihmuar e vijon të ndihmojë për normalizmin e zhvillimeve demokratike në vendin tonë dhe në rajon. SHBA janë sponsorët kryesorë të marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit që çoi në pranimin e Maqedonisë së Veritut në NATO. SHBA kanë mbështetur krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës. Nga Shtëpia e Bardhë ka nisma për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes me Kosovës dhe Serbisë. Finalizmi i një marrëveshjeje të njohjes reciproke Kosovë-Serbi është një objektiv i SHBA-së. Pas dështimit të takimit të planifikuar disa javë më parë për shkak të tërheqjes për arsyet e njohura tashmë të Presidentit Hashim Thaçi nga delagacioni kosovar, është vendosur që takimi të mbahet në 12 shtator.

Pala shqiptare duhet të marrë pjesë sa herë të thirret, qoftë në respekt të SHBA-sa, qoftë se vetë është më e interesuara, qoftë për t’u dhënë mundësi Presidentit Tramp dhe bashkëpunëtorëve të tij të shpalosin hapat që çojnë drejt marrëveshjes së paqes. Presidenti Tramp ka vendosur gurët e tij në ngrehinën e sukseseve amerikane në politikën e jashtme dhe synon të vendoësë të tjerë. Institucionet e qëndrueshme amerikane e mbajnë presidentin e zgjedhur në këtë korsi. Jo rastësisht, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ndërhyri në Konventën republikane nga Izraeli prej ku nënvizoi rendësinë e marrëveshjes së normalizimit mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuar të ndërmjetësuar nga Uashingtoni. Lajmi i mirë këtu është se vetë Presidenti Tramp ka nevojë t’u tregojë zgjedhësve amerikanë se është i sukseshëm në politikën e jashtme. Kjo shkon në vazhdën e traditës amerikane dhe është shumë mirë për ne shqiptarët që, përtej simpative për kandidatët, kemi një zgjedhje të përbashkët për presidencialet amerikane: misionarizmin e Uashingtonit. /Gazeta Liberale