Nga Astrit Patozi
Cili e ka zbrazur me shumë Shqipërinë, kur ka qeverisur, këta në pushtet apo ata në opozitë? Kur kanë ikur më shumë shqiptarët nga sytë këmbët prej atdheut të vet dhe si ta ndajmë rolin e atyre, që kanë qeverisur me të dy krahët, në këtë fshesë kombëtare?
Kjo është tema në qendër të debatit politik të ditës dhe të dyja palët duket se kanë mobilizuar të gjithë arsenalin e tyre mediatik për ta kaluar kopilin në prehrin e kundërshtarit.
Pastaj do të vijojë historia vetëm duke ndërruar kasetën, por gjithmonë brenda të njëjtës logjikë.
Në cilën kohë ka pasur më shumë korrupsion, kur e kanë pasur dorën më të rëndë hajdutët e pushtetit kush ka vjedhur me shumë vota apo ka manipuluar zgjedhjet, cili prej tyre ka blerë me shumë media apo cili ka pasur me shumë lidhje me të fortët e krimit të organizuar?
Pyetja te tilla do të jenë gjithmonë në vorbullën e polemikave tona publike, nëse do të votojmë sërish të njëjtët njerëz edhe pas 20-30 vjetësh, disa prej të cilëve të ricikluar dhe gati në të gjitha ofiqet e larta të shtetit.
Ajshtajni thotë se kulmi i marrëzisë është atëherë, kur njerëzit për veprime të njëjta presin rezultate të ndryshme. Dhe e bukura është se disa prej tyre janë paraqitur në të gjitha llojet e mundshme të aleancave të paprincipta politike (për të mos përdorur atë termin e rëndë, që u shpik për zgjedhjet e një milion “shuplakave”).
Ndaj edhe e vetmja rrugë për të shpëtuar nga mallkimi i gjatë i zgjedhjes mes dy të këqijave, është të refuzosh ata, që i kanë dhënë të gjitha provat se nuk duan dhe nuk dinë te qeverisin, por e kerkojnë dhe e rrëmbejnë pushtetin në Shqipëri vetëm për të sunduar.
Ndryshimi do të vijë vetëm duke mos votuar asnjërin prej tyre në zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet të konsiderohen sikur janë nesër.