Nga Endri Kajsiu
Pamjet e ditëve të fundit nuk janë pamje të jashtëzakonshme të një situate të zakonshme, përkundrazi. Bota sot po jeton në mes të një pandemie që ka vendosur rregulla të reja jetese e lëvizje, që ka rikthyer kufinjtë mes shtetesh e kontinentesh. Jo vetëm kaq, por ka zhdukur solidaritetin duke çuar në pikëm që secili sheh veten. Natyrisht që kjo ka krijuar tensione edhe mes vendeve themeluese të BE.
Sot, të fajësosh sot Greqinë, apo të fajesosh shqiptarët, e lëre pastaj qeverinë, është gjëja më e lehtë. Është e lehtë të tregosh gishtin e të shkruash në rrjete sociale duke dhënë mend nga divani. Në fakt kur këtë sjellje e bën Presidenti i Republikes, që thjeshtë konstaton sa në Facebook e sa në Twitter se sa e rëndë është situata, por as merr mundimin te ngrejë telefonin për të marrë homologun e tij grek, njësoj siç bëri fjala vjen ministrja e Mbrojtjes apo ai brendshëm shqiptar, të gjithë të tjerët të justifikuar janë në njëfarë mënyre. Por e vërteta eshtë se jemi në kohe të papara më parë. Jetojmë në një kohë kur Britania vendos të kërkojë karantinë për çdokënd që kthehet nga Franca. Franca reagon duke vendosur reciprocitet ndaj Britanisë. Dhe sot rradhët në kufinjtë mes dy vendeve janë kilometrikë, më të mëdha se mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe njësoj ndodh mes Gjermanise dhe Spanjës, Spanjes dhe Greqisë. E s’jemi ende duke folur jashtë zonës Shengen. Sot rradha në kufirin turko-grek ishte 22 km.
Greqia ka vendosur masa strikte për hyrjen në kufijtë e saj. Sa të nevojshme dhe efikase janë këto masa është debat i gjerë. Unë personalisht mendoj se është gabim, por e rëndesishme është se këto nuk janë masa të vendosura vetëm kundër shtetasve shqiptare, as vetem ne kufijte me Shqiperine. Jane masa që aplikohen për të gjithë njësoj. Madje, nëse numri i shqiptarëve që lejohet të kalojnë çdo ditë në kufijtë tokësorë është mbi 1000 veta, numri i personave që mund të hyjnë në Greqi nga Izraeli është 600 në JAVË. Krahasimin bëjeni vetë. Nga ana tjetër, të mos harrojmë që 40% e atyre që mbetën këto tre ditë në rradhët e kufirit ishin me dyshtetësi, mbanin edhe pasaportën greke. Kurse mbi 90% kishin rezidencë greke. Më pak fjale taksapaguese e votues ne Greqi. E kjo do të thotë shumë.
Qeveria shqiptare beri aq sa mund të bënte në këtë situatë të pazakontë botërore. Ajo mbajti kontakt të përditshem me homologët, ç’ka solli shtim të kapaciteteve testuese në kufij, si edhe zgjatje të orareve të punës. Nga ana tjetër shërbimet shëndetësore dhe higjenosanitare ishin në dispozicion të atyre që kalonin orë të tëra në rradhë. Pa harruar këtu edhe ndihmën në ushqime e ujë për ata që ishin të papërgatitur për rradhët e gjata. Këto janë fakte që kanë ndodhur në këto kushte te jashtezakonshme. Dhe në këto kushte, te gjithe duhet shohin me kujdes ç’ndodh edhe rreth e rrotull para se të mllefosin. Pasi, nuk duhet harruar, jetojmë në kohë të jashtëzakonshmë, ndaj nuk duhet të gjykojmë sikur jemi në kohë normaliteti.