MENU
klinika

Ja çfarë parashikojnë

‘Rrini vigjilentë, një valë e madhe e Covid-19…’, ekspertët paralajmërojnë!

07.08.2020 - 07:30

Ekspertët e grupit të punës në Shtëpinë e Bardhë që menaxhon situatën e krijuar nga pandemia, paralajmëruan se edhe një rritje e vogël e përqindjes së njerëzve që testohen pozitivë për COVID-19 në disa qytete amerikane, mund të nënkuptojnë probleme. Ata u kërkuan drejtuesve lokalë të qëndrojnë vigjilentë për të shmangur një valë të madhe.

“Ky është një parashikim mbi problemet që kemi përpara”, tha të enjten doktor Anthony Fauci, zyrtari më i lartë i sëmundjeve infektive në vend. Numri i vdekjeve në SHBA si pasojë e virusit është aktualisht mbi 159 mijë, numri më i lartë në botë, ndërsa janë konfirmuar 4.8 milionë raste të infektuarish prej fillimit të pandemisë.

Të enjten guvernatori i Ohajos Mike DeWine u bë zyrtari më i fundit i lartë, i zgjedhur që rezultoi pozitiv. Ai tha se nuk kishte simptoma dhe se ishte testuar përpara një takimi të planifikuar me Presidentin Donald Trump.

Komentet zoti Fauci i bëri pasi koordinatorja mbi çështjet e koronavirusit doktoreshë Deborah Birx, identifikoi fusha të reja shqetësuese gjatë një telefonate me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë të mërkurën.

Baltimora dhe Atlanta mbeten në një “nivel shumë të lartë” të përhapjes së virusit, po kështu Kansas City, Portland, Omaha dhe Lugina Qendrore në Kaliforni, tha zonja Birx gjatë bisedës telefonike.

Të dhënat e Shtëpisë së Bardhë tregojnë një rritje të vogël në përqindje e testeve pozitive në Çikago, Boston, Detroit dhe Washington.

Ato qytete duhet ta “kapërcejnë” situatën tha zonja Birx. Edhe aty ku shumica e njerëzve po i bëjnë gjërat siç duhet, tha zoti Fauci, ata që nuk mbajnë maska ose që nuk ndjekin udhëzimet për distancimin shoqëror, mund ta mbajnë virusin gjallë.

“Nëse nuk i bëjmë gjërat si duhet të gjithë … do të vazhdojmë të shohim rritje të rasteve në disa nga ato qytete për të cilat po fliste doktoresha Birx“, tha ai, duke përmendur se rritja e numrit të të infektuarve pasohet me shtrime në spital dhe vdekje.

Tenesi dhe Karolina e Veriut raportuan një rritje rekord ditore të numrit të vdekjeve të enjten, 42 dhe 73 raste përkatësisht. Virusit është përhapur tashmë në komunitetet amerikane, nga bregu në breg, shtyrë pjesërisht nga udhëtimet për pushime verore./VOA