MENU
klinika

Nga Reuf Bajroviç & Ivana Stradner

SHBA nuk duhet t’a lërë fatin e Ballkanit në dorën e Evropës

01.08.2020 - 08:22

* Marrëdhëniet transatlantike, tejet të brishta për pjesën më të madhe të 3 viteve të fundit, janë zbehur më tej në një rajon që në të kaluarën e afërt ka qenë rrallë një zonë e konsensusit politik.

Ballkani Perëndimor, gjithnjë një dosje diplomatike e vështirë, përjetoi arritjen e marrëveshje të rrallë në vitin 2018, kur Greqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje të vjetër midis tyre për çështjen e emrit.

Uashingtoni dhe Brukseli kishin qenë të dobishëm në prapaskenë në ndërmjetësimin e marrëveshjes, duke i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut të rifillonte rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik. Pati shpresë se mosmarrëveshja Serbi-Kosovë, një çështje edhe më e vështirë, mund të shihte një përparim të ngjashëm.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi, e kishin premtuar këtë gjë prej disa kohësh, duke lënë të kuptohet se ishte e mundur një marrëveshje mes 2 vendeve. Por shpresa të tilla u zbehën në fund të muajit të kaluar.

Qeveria e Kosovës, u rrëzua gjatë pandemisë së koronavirusit. Ish-kryeministri Albin Kurti, i preferuari i Berlinit dhe një kritik i negociatave Thaçi-Vuçiç, pretendoi më pas se largimi i tij ishte nxitur nga Riçard Grenëll, zyrtari i lartë i Trump për bisedimet Kosovë-Serbi.

Në qershor, Thaçi u akuzua nga Haga për krime lufte, teksa po bëhej gati të takonte Vuçiçin në Uashington në një samit të organizuar pikërisht nga Grenëll. Në fillim të korrikut, BE-ja rifilloi për herë të parë që nga 2018-a dialogun Beograd-Prishtinë. Por rezultati i vetëm ishte dakordësimi për takime të tjera.

Nëse e shkuara na mëson ndonjë gjë, këto bisedime nuk do të çojnë askund. Premtimi i Brukselit për të shpejtuar pranimin e Serbisë në BE, si “karota” e saj kryesore për ta nxitur Serbinë të pranojë një kompromis me Kosovën, vështirë se është më i besueshëm.

Nga ana tjetër, BE-ja nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave me Kosovën, me gjithë përmbushjen e kritereve përkatëse 2 vjet më parë. Kjo lloj “karote” është aq e prishur, sa që tundja saj para fytyrës së Kosovës, është thjesht një fyerje për këtë të fundit.

Dhe kjo sklerozë mendore, rëndohet nga disa zgjedhje vërtet të çuditshme të personelit evropian. Të paktën nga këndvështrimi i Kosovës, Evropa nuk duket thjesht e paaftë; ajo është keqdashëse ndaj kosovarëve.

Dy zyrtarët kryesorë të saj për Kosovën janë nga Spanja dhe Sllovakia, 2 shtete që nuk e njohin ende Kosovën si të pavarur. Emërimi nga kreu i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell, i ish-ministrit të Jashtëm sllovak Mirosllav Lajçak si përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, u prit me skepticizëm në Kosovë, por edhe dhe në Bosnjë, ku ai shërbeu si Përfaqësues i Lartë i BE mbi 10 vjet më parë.

Ideja shumë e kritikuar e shkëmbimeve territoriale, që thuhej se ishte “formula magjike” që mund ta bindte Beogradin dhe Prishtinës të arrinin një marrëveshje, e ka origjinën tek zyra e paraardhëses së Borrell, Federika Mogerinit.

Kritikët thonë se kjo ide ka potencialin të ndikojë negativisht në Bosnje, por edhe në Maqedoninë e Veriut, tek pakica e saj e madhe etnike shqiptare. Pretendimet se administrata Trump ka përqafuar idenë e Mogerinit për shkëmbime territoriale janë vërtet shqetësuese.

Por është lehtësues fakti që në Uashington ka një ndarje të qartë të përgjegjësive:Grenëll është ekskluzivisht në krye të bisedimeve Kosovë-Serbi, ndërsa zv/ndihmëssekretari dhe i dërguari special i Departamentit të Shtetit, Metju Palmer është përgjegjës për pjesën tjetër të rajonit.

Trajtimi i çështjeve një nga një në rajon dhe me terma të qartë, është mënyra e vetme për të shënuar progres. Por përtej problemeve me emërimet, BE ka dëshmuar se nuk ka një strategji më të gjerë për t’u përballur me Rusinë në rajon. Synimet e Moskës janë të thjeshta:ajo dëshiron të ruajë ndikimin e saj rajonal, duke vepruar si ndërhyrëse dhe arbitre e fundit për çdo zgjidhje.

Shembulli i fundit i ndërhyrjes ruse po shfaqet në Serbi, ku grupimet pro-ruse të ekstremit të djathtë, në bashkëpunim me shërbimin sekret rus, thuhet se kanë nxitur trazira të dhunshme gjatë protestave kundër masave bllokuese të qeverisë, për shkak të pandemisë së Covid-19. Për më tepër, në takimin e tij më të fundit, Këshilli Kombëtar i Sigurisë Ruse, e etiketoi mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi si një prioritet kryesor.

Rusia ishte një nga kritiket më të ashpra të ndërhyrjes së NATO-s në 1999. Ndërkohë, ajo e përdor vazhdimisht bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999, si një precedent ligjor për ndërhyrjet e saj në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, Rusia mund ta mbrojë Serbinë duke vendosur veton ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Për arsye që nuk janë plotësisht të qarta, administrata Trump ka shfaqur një interes të madh për Kosovën. Disa dyshojnë se presidenti shpreson thjesht të arrijë një marrëveshje; të tjerët se dëshiron ta mundë Angel Merkelin në terrenin e saj.

Lajmi i mirë për Kosovën, është se ajo është prapë një temë e politikës së jashtme gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Ish-zv.presidenti Xho Bajden është shprehur se pavarësisht se kush fiton në nëntor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në Ballkan.

Ndërsa rekordi i BE-së në rajon është diku midis katastrofikes dhe joproduktives, Shtetet e Bashkuara e kanë ruajtur besueshmërinë e tyre gjatë 30 viteve të fundit, dhe kanë shumë karta në dispozicion për t’i luajtur. Si për ironi, pengesa kryesore për përparimin e rajonit, nuk është politika ndaj Ballkanit, por tensionet Uashington- Berlin.

Dhe këto të fundit, ka të ngjarë të zgjasin më shumë sesa mandati i Trump. Le të jemi të sinqertë:Askush nuk beson se vendet në Ballkanin Perëndimor do të hyjnë së shpejti në BE. Por çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia nuk mund të presë më. Nëse Kosova nuk anëtarësohet në OKB-së gjatë 5 viteve të ardhshme, presioni për t’u bashkuar me Shqipërinë mund të bëhet i padurueshëm për elitat politike të Kosovës.

Kjo do të nënkuptonte rishikimin e kufijve, gjë që do të dëmtonte pozitën e SHBA-së në rajon. Heqja nga tryeza e dialogut e temës së shkëmbimeve territoriale, nuk do të thotë që kufijtë s’mund të rishikohen. Nëse do të ndodhte kjo, evropianët ka të ngjarë të pretendojnë se Kosova është një dështim i madh i administratave amerikane.

Dallimet midis SHBA-së dhe shteteve kryesore evropiane, janë në rritje që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Por mosmarrëveshja më e fundit mbi Kosovën, tregon se partneriteti transatlantik ka arritur në një pikë kthese.

Paaftësia evropiane për ta zgjidhur krizën në Ballkan në vitet 1990, shkaktoi konfliktin më të përgjakshëm që kishte parë Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe që mori fund vetëm kur situatën e mori në dorë Amerika. Pavarësisht se kush fiton në nëntor, SHBA-ja nuk duhet ta lërë në dorën e evropianëve fatin e rajonit./“The American Interest”