Ndryshimet kushtetuese të miratuara në seancën e fundit të korrikut të sesionit të kaluar Parlamentar hynë në fuqi duke zyrtarizuar kështu ndërhyrjet në listën e kandidatëve për deputetë dhe hapjen e tyre, të paktën në masën e dy të tretave.
Opozita e Bashkuar i kundërshtoi këto ndryshime, duke deklaruar se ato minojnë marrëveshjen e 5 qershorit dhe se përmes tyre, qëllimi i vërtetë i mazhorancës nuk është hapja e listave për kandidatët për deputetë, por ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.
Kundër këtyre ndryshimeve u shpreh edhe Presidenti Ilir Meta, por që nuk mund të ndërhynte për shkak të parashikimit kushtetues, që sanksionon se ndryshimet e Kushtetutës nuk mund të rikthehen për rishqyrtim në Kuvend nga ana e Presidentit. Në vend të kësaj, Presidenti zgjodhi heshtjen për këtë ligj.
Kryeministri Edi Rama thotë se ndryshimet nuk ndalojnë koalicionet parazgjedhore dhe se me këtë lëvizje ai po plotësonte një kërkesë të qytetarëve, ku mbi 80 për qind e tyre kërkojnë hapjen e listave. Propozimi fillestar për këto ndryshime u shtrua nga opozita parlamentare. Në draftin e parë sanksionohej tekstualisht ndalimi i koalicioneve, por që gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit kjo pjesë u hoq, me argumentimin se hapja e listave nënkuptonte automatikisht se koalicionet parazgjedhore në formën e zgjedhjeve të 2013-ës dhe 2009-ës ishin të pamundura.
Sipas Kushtetutës së re, jo më pak se dy të tretat e listës së kandidatëve për deputetë do të jenë të hapura, ku qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin emrin që dëshirojnë të votojnë, ndërsa pjesa tjetër do të jetë lista e mbyllur.
Po ashtu, në fuqi kanë hyrë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që u miratuan në bazë të marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik më 5 qershor me ndërmjetësimin e ambasadores së SHBA në Tiranë.
Kodi i ri ndryshon rrënjësisht strukturën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që tashmë nuk do të jetë më me një trupë, por me tre nivele vendimmarrëse me kompetenca të mirëpërcaktuara. Kodit i ri parashikon që në zgjedhjet e ardhshme të aplikohet, nëse është e mundur, 100 për qind identifikimi biometrik i zgjedhësve. I gjithë procesi i implementimit të teknologjisë do të drejtohet dhe menaxhohet nga ana e opozitës, që sipas parashikimit ligjor ka të drejtë që të propozojë emrin e zv.Komisionerit të KQZ-së.
Ajo që nuk ndryshon është prania e theksuar e politikës në procesin e votimit dhe të numërimit. Opozita nuk u tërhoq nga kjo pikë e saj, duke deklaruar se lënia e procesit në duart e administratës rrezikonte manipulimin e tij. Për këtë arsye, në marrëveshjen e 5 qershorit është përcaktuar se depolitizimi i administratës zgjedhore shtyhet për në zgjedhjet e radhës.
Këto ndryshime kaluan në Parlament në seancën e 23 korrikut. Por, ndërhyrja në Kushtetutë në seancën e një jave më vonë ka rikthyer nevojën për të ndërhyrë sërish në Kodin Zgjedhor. Të dyja palët, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga koalicioni opozitar kanë shprehur gatishmërinë për të vijuar punën në Këshillin Politik.
Me ardhjen e shtatorit, ky Këshill pritet që të mblidhet për të diskutuar këto ndryshime të reja. Këto ndryshime do të përcaktojnë edhe nivelin se në çfarë mase do të hapen listat e kandidatëve për deputetë.