MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si shfaqen problemet me tiroiden?

19.08.2020 - 17:37

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Jam një vajzë 23 vjeç dhe doja të merrja një informacion në lidhje me sëmundjet e tiroides. Më konkretisht doja të dija se çfarë shenjash shfaq funksioni i shtuar i tiroides?

Përgjigjet mjeku: Së pari doja të sqaroja se funksioni i shtuar i tiroides jo në të gjitha rastet shfaqet me simptoma të qarta dhe specifike. Në disa raste sëmundja zhvillohet pa u kuptuar për muaj dhe vite. Ndër shenjat kryesore të janë: nervozizmi, pagjumësia, djersët, rrahjet e shpejta të zemrës, padurimi ndaj të nxehtit, lodhja, rënia e flokëve, oreksi i shtuar dhe rënia nga pesha shpejt dhe tepër.

Gjendra tiroide është e zmadhuar 2-4 herë në volum dhe po t’i vihet dora sipër shpesh dëgjohet një si trill ose gërhitje e lehtë që flet për vaskularizimin e tepërt dhe qarkullimin e shtuar të gjakut. Të sëmurët me hipertyreosis shpesh ankohen për vështirësi në frymëmarrje pas një sforcimi të lehtë, kjo si pasojë e dobësisë së muskujve të frymëmarrjes.

Ata mund të kenë shenja të dobësisë kockore nga humbjet e kalciumit dhe fosforit, kanë një dridhje fine të duarve që konstatohet vetëm kur preken nga jashtë. Lëkura si organi i rregullimit  të temperaturës së trupit, merr një rëndësi të veçantë në sëmundjen e tiroides. Në funksion e shtuar të saj, ajo është e ngrohtë, e butë dhe e njomë. Përveç shenjave të mësipërme mund të ndodh që flokët të bien shpejt dhe të thinjen para kohe. Thonjtë janë të thatë dhe në pjesët e tyre fundore fillojnë e çahen. Po ashtu i sëmuri mund te ketë ënjtje në pjesën e poshtme të kërcinjve.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.